Hysen Dedja: “Kjo Kombëtare na bën të ëndërrojmë”

857
Sigal

Ish-trajneri njohur: “Tashmë kemi një psikologji fituese. De Biazi ka bërë një grup cilësor”

Hysen Dedja, ish-mbrojtësi i shquar i Vllaznisë dhe ish-trajner i saj, kampion në sezonin 1997-1998, tha për gazetën “Telegraf” se, paraqitjet pozitive të Kombëtares së De Baizit kanë krijuar me të drejtë bindjen se, Shqipëria i ka të gjitha shanset për të zënë një vend në finalet e Kampionatit Botëror të Brazilit (2014). “Tashmë kemi një psikologji fituese, aq shumë të nevojshme për ne. Mendoj se, jemi shumë më afër se kurrë kualifikimit në një aktivitet të madh ndërkombëtar. Kam përshtypjen se Sllovenia dhe Norvegjia janë më poshtë se ne. Trajneri De Biazi ka bërë një punë të jashtëzakonshme, ka krijuar një grup cilësor lojtarësh”.

Dedja, i cili si futbollist ka fituar pesë trofe me Vllazninë: dy kampionate (në sezonet 1982-1983 dhe 1991-1992) dhe tri Kupa të Shqipërisë (1978-1979, 1980-1981 dhe 1986–1987). Dedja foli edhe për ecurinë ndërkomëtare të ekipeve tona, si dhe për sezonin e ri të Superligës që do të nisë, më 31 gusht. Sipas tij, tre skuadrat favorite për titull janë Skënderbeu, Kukësi dhe Laçi. Dedja, si trajner ka drejtuar përveç Vllaznisë, edhe Bylisin, Lushnjën, Teutën, Luftëtarin dhe Erzenin. Si trajner, Hysen Dedja ka zhvilluar disa ndeshje ndërkombëtare në Kupën UEFA (1999-2000) me Bylisin kundër Interit të Bratislavës dhe me Teutën në Kupën UEFA (2007-2008) kundër kroatëve të Slaven Belupos.

   Zoti Dedja, Kombëtarja fitoi me rezultat bindës 2-0 miqësoren me Armeninë, edhe pse pati shumë lojtarë të rinj. Si e patë ju atë në këndvështrimin e një specialisti?

– E kam ndjekur me vëmendje ecurinë e Kombëtares. Kam konstatuar me kënaqësi dhe më është krijuar bindja se, është krijuar një grup cilësor lojtarësh, të cilët me të drejtë na bëjnë të ëndërrojmë të arrijmë në finalet e Botërorit të Brazilit. Edhe në ndeshjen e fituar kundër Armenisë, pavarësisht se ishte një test dhe trajneri Xhani De Biazi kishte thirrur disa lojtarë të rinj në skuadër, ajo që vura re ka të bëjë me faktin se, futbollistët treguan jo vetëm potencial, por dhe se kanë psikologjinë fituese aq shumë të nevojshme për ne.

– Shumë lojtarë të rinj në provë. Sa e kanë justifikuar ata thirrjen në Kombëtare?

– Mendoj se, De Biazi ka thirrur lojtarë shumë cilësore dhe me të ardhme. Ka krijuar një kontingjent të mirë futbollistësh. Tani detyra e tij është të zgjedhë një “11-she” sa më të mirë, pasi ka shumë opsione në çdo repart, nga porta në sulm. E ka tashmë këtë luks.

Në fillim të shtatorit do të përballemi me Slloveninë në Lubjanë dhe Islandën në Reikavik, dy sfida në transfertë dhe tepër përcaktuese për objektivat e Kombëtares sonë. Si i parashikoni?

– Sigurisht që, janë shumë të vështira dhe vendimtare. Fakti që, ne morëm dy rezultate pozitive me Norvegjinë: fitore 1-0 në Oslo dhe barazim 1-1 në Tiranë, na bën të besojmë se edhe ndaj Sllovenisë, të cilën e mundëm në “Qemal Stafa” do të synojmë fitoren në fushën e saj. Kam përshtypjen se, për momentin si Norvegjia, ashtu dhe Sllovenia janë poshtë nivelit tonë. Unë mendoj se, jemi shumë më afër se kurrë kualifikimit në një aktivitet të madh ndërkombëtar.

– Rezultatet e Kombëtares U-21 janë në kontrast të plotë me ato të Përfaqësueses A. Tri humbje në po aq ndeshje në eliminatoret e Europianit të moshës së saj. Cili është komenti juaj?

– Duhet të jemi të qartë se, Kombëtarja U-21 nuk shikohet për rezultatet, por për lojtarët që ajo përgatit në funksion të Kombëtares së parë. Ajo duhet të afrojë lojtarë cilësorë për atë Kombëtare. Gjithsesi, për momentin që ndodhemi, kur në ekipin e parë ka shumë lojtarë të mirë që vijnë nga Europa, dhe ky grup është i përbërë kryesisht nga lojtarë kosovarë. Kampionati ynë është për të ardhur keq nuk po ofron futbollistë cilësorë. Gjithsesi, Kombëtarja U-21 nuk duhet t’i shpëtojë analizës për rezultatet e dobëta të saj.

– Skënderbeu fitoi për herë të parë Superkupën, pas 120 minutave dramatike dhe “ruletës” së penallitve me Laçin, një ndeshje e zhvilluar në një “Qemal Stafa” thuajse të zbrazët…

– Skënderbeu ishte favoriti, për ta fituar takimin, por unë mendoj se Laçi bëri një paraqitje të denjë. Dihet që, në ndeshjet teke vendosin episodet. Golat u shënuan në fillim (nga Skënderbeu) dhe në fund të ndeshjes (nga Laçi), ndërsa them se te penalltitë gjithmonë është edhe punë fati. Gjithsesi, Skënderbeu e meritoi dhe duhet përgëzuar.

– Në fund të muajit nis edhe sezoni i ri, 2013-2014, që përkon edhe me Kampionatin e 75-të Kombëtar. Duke parë edhe transferimet në merkato, por dhe formulën e kampionatit, ku në fund të tij do të zbresin direkt katër skuadra. Si e parashikoni atë?

– Jam duke e ndjekur me vëmendje merkaton që, po zhvillojnë të 12 skuadrat që marrin pjesë në këtë edicion të Superligës. Skuadrat që kanë marrë pjesë në Europë, si Skënderbeu, Kukësi, Laçi dhe Teuta kanë bërë më shumë merkato, pra i shoh edhe si pretendentet kryesore për titull dhe zonën europiane. Ekipet e tjera kanë që të gjitha probleme, përfshirë dhe skuadrat që kanë mbajtur futbollin si Vllaznia, Flamurtari, Tirana, apo ndonjë tjetër. E shoh pozitive rikthimin e Partizanit. Ka shumë skuadra që kanë probleme ekonomike.

 “Lojtarët me të ardhme”

 Ish-trajneri kampion me Vllazninë (1997-1998) tha për gazetën se, në gjirin e Kombëtares ka disa lojtarë me të ardhme: “Më ka befasuar portieri Etrit Berisha, i cili ka dhëne një garanci më të madh portës sonë. Ka pësuar vetëm një gol në gjashtë ndeshjet e tij me Kombëtaren. Përshtypje në ndeshjen me Armeninë më la dhe mesfushori Armir Abrashi. Lojtar i mirë është dhe Valdet Rama, i cili ka shënuar dy gola në tri ndeshje me Kombëtaren. Edhe Migjen Basha është një futbollist me horizont të madh, te mos harrojmë edhe lojtarët tjerë të mëparshëm dhe të konfirmuar tashmë. Me pak fjalë, ky grup futbollistësh na bën të ëndërrojmë”.

Tekniku: “Kanë kaluar tre kundërshtarë me emër si: Flora Talin, Sarajveo dhe Metalurg Donteskun”

 “Kukësi mund ta eliminojë Trabzonsporin”

  Si asnjë herë tjetër, Shqipëria përfaqësohet me dy skuadra në fazën “play-off” të Ligës së Europës, ose ndryshe turi i katërt eliminator. Kukësi (kaloi tre ture) dhe Skënderbeu (i ardhur pas eliminimit në Ligën e Kampioneve) tashmë i kanë njohur kundërshtarët e tyre, respektivisht Trabzonsporin (Turqi) dhe Çernomeretsin e Odesës (Ukrainë). “Absolutisht që, duhet konsideruar si një sukses i madh i futbollit tonë në arenën ë ndërkombëtare. Në veçanti, Kukësi duhet falënderuar për atë që ka bërë. Dua ta përgëzoj trajnerin shumë punëtor dhe tepër të angazhuar, Armando Cungun, si dhe drejtorin sportiv Sulejman Starova dhe ndihmësin Esat Rakiqi, tre drejtues që i njoh nga afër. Kanë ditur ta menaxhojnë në mënyrë optimale skuadrën dhe të zgjedhin lojtarë shumë të motivuar. Kukësi po korr frytet e investimeve dhe punës serioze që ka kryer, për më tepër në disa momente jo të mira që po kalonte kampionati ynë, por dhe paraqitjet jo të mira në vitet e fundit në Europë. Kukësi ka bërë një hap galopant me kalimin e tre tureve në Ligën e Europës dhe ndaj tre kundërshtarëve me emër si: Flora Talin (Estoni), Sarajevo (Bosnjë) dhe Metalurg Dontesk (Ukrainë), të cilët e kërkuan fort kualifikimin, por Kukësi ka qenë në momente shumë të mira”, – tha Dedja. Të dielën, Trabzonspori humbi (2-0) finalen e Superkupës së Turqisë me Beshiktashin. “Ishte vetëm një ndeshje dhe aty vendos dhe fati. Mesa kam lexuar, Trabzonspori e vlerëson shumë ekipin e Kukësit. Megjithatë, çfarëdo rezultati të marrin me Trabzonsporin, Kukësi e ka kaluar objektivin e fillimit të Ligës së Europës. Gjithsesi, nuk përjashtohen surprizat”. Në sezonin e tij të parë ne Europë, Kukësi ka humbur vetëm një nga gashtë ndeshjet e zhvilluar, atë 1-0 me Metalurgun në Dontesk (turi i tretë), por që nuk ndikoi në rezultatin e përgjithshëm, pasi kuksianët e kishin fituar takimin e parë 2-0 në “Qemal Stafa”.

 “Skënderbeu e ka më të  lehtë me Çernomoretsin”

 Dedja mendon se, Skënderbeu ka një kundërshtar më të lehtë se Kukësi në fazën “play-off” të Ligës së Europës: ukrainasit e Çernomerts Odesës. “Skënderbeu është një skuadër shumë e denjë për në Europë. Investimet e tre viteve të fundit, ku fitoi edhe titujt kampion, natyrshëm që do të reflektonin edhe në paraqitjet e tij në Ligën e Kampioneve. Eliminoi në turin e dytë një kundërshtar me emër dhe me buxhet shumë të madh, si azerbajaxhanasit e Neftçit, ndërkohë që doli nga Liga e Kampioneve nga kazakët e Shahkter Karagandyt, por secili nga ekipet fitoi në fushën e vet. Çernomertesin e shoh më modest si ekip, në raport me turqit e Trabzonsporit. Mesa di, Çernomoretsi, ku luajnë dhe dy lojtarë shqiptarë: Kristi Vangjeli dhe Elis Bakaj, e kanë vlerësuar shumë ndeshjen me Skënderbeun”.