Hasan Lika: “Fitorja, e vetmja alternativë”

478
Sigal

Trajneri i Partizanit flet para sfidës me Lushnjën. “Një kundërshtar që duhet respektuar”

Partizani do të luajë sot kundër Lushnjës në “Roza Haxhiu” (14:00), me synimin e vetëm për të ruajtur vazhdimësinë e fitoreve në transfertë, duke qenë kështu edhe skuadra që ka marrë më shumë pikë (8 nga 14 në total) në këto shtatë javët e luajtura. Për trajnerin Hasan Lika, fitorja e rëndësishme me Tiranën (1-0),  ishte një tjetër sinjal i qartë se Partizani është rikthyer në Superligë me synimin për të qenë një nga kandidatët kryesorë për të fituar kampionatin. Tekniku i kuq sheh si rivalë të fortë: Skënderbeun (kampion në fuqi), Teutën (aktualisht në vendin e dytë), por edhe Vllazninë e Kukësin. Objektivi minimal i 15 herë kampionëve të Shqipërisë është kapja e një vendi në zonën e Europës, atje ku ka luajtur për herë të fundit në vitin 2007. Me një pikë më pak se dy bashkëkryesuesit, Skënderbeu dhe Teuta (të dyja nga 15 pikë), Partizani (14) ka dëshmuar vazhdimësi në lojë. Lika kërkon që “djemtë e tij” të mos e ulin ritmin e këtij fillim kampionati, pasi në këndvështrimin e tij, myzeqarët janë një kundërshtar që duhen respektuar. Tekniku 53-vjeçar e di shumë mirë se kampionati është i gjatë, prandaj për të ka shumë rëndësi ecuria lineare e Partizanit në çdo ndeshje.

 – Zoti  Lika, Partizani do të luajë nesër (sot) ndaj Lushnjës, në transfertën e pestë në këto tetë javë. Cila është gjendja e ekipit?

– Ekipi po kalon një moment pozitiv që duhet ta shfrytëzojë për ndeshjet në vazhdim. Ne do të shkojmë në Lushnjë për të marrë maksimumin e pikëve, pra fitoren. Nuk jam dakord me përkufizimin se Partizani është skuadër transferte, sepse ne të gjitha ndeshjet i përgatisim njëlloj, por kemi qenë më produktiv jashtë kryeqytetit.

– Fitorja në derbin me Tiranën e ka rritur shumë entuziazmin e skuadrës…

– Sigurisht, që fitorja dhe tri pikë na kënaqën, por tani mendoj se ndeshja i përket historisë. Jemi plotësisht të fokusuar në sfidën me Lushnjën.

– Duket sikur është rikthyer Partizani i madh…

– Partizani i tillë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë.  Mendoj se, ne kemi një skuadër që mund të konkurrojë me çdo ekip në kampionat. Partizani ka gjithmonë objektiva të mëdha, dhe synimi ynë parësor është përfaqësimi në Europë.

– Lushnja nuk ka humbur asnjë nga katër ndeshjet e luajtura në “Roza Haxhiu”, duke regjistruar dy fitore dhe dy humbje.  A do të jetë Partizani, që do t’ia shkaktojë humbjen e parë?

– Lushnja është një skuadër që duhet respektuar. E konsideroj një kundërshtar të fortë. Në shtëpi ka bërë paraqitje shumë të mira. Pres një ndeshje të vështirë.

– Cilat janë armët më të forta të kundërshtarit?

– Luan një futboll teknik, kanë grintë në lojë, dhe nuk duhet harruar kurrsesi që kanë një mbështetje të jashtëzakonshme nga publiku. Gjithsesi, në “Roza Haxhiu” edhe Partizani do të ketë tifozët e tij.

– Për herë të fundit me Lushnjën, Partizani është ndeshur sezonin e kaluar kur të dyja skuadrat bënin pjesë në Kategorinë e Parë. Ju keni qenë trajner në atë ndeshje. Si e mbani mend?

– Kemi zhvilluar ndeshje të bukura dhe korrekte. Shpresoj që të jetë dhe ndeshja e nesërme (e sotme) po e tillë.

– Skuadra nuk ka pësuar gol prej katër ndeshjesh, duket një ekip më hermetik dhe më i konsideruar.

– Sigurisht, mbrojtja dhe portieri Hoxha kanë bërë detyrën e tyre, por të mos harrojmë se duhet të ishim më rezultativë në sulm, pasi kemi krijuar në vazhdimësi raste. Nuk duhet të harrojmë se kemi dhe disa probleme dëmtimesh, ndërkohë që nesër (sot) do të kemi dhe mungesa.

–  Cilat janë problemet e skuadrës para ndeshjes me Lushnjën?

– Kemi disa lojtarë që pas derbit kanë shfaqur probleme me dëmtimet. Dihet që në Lushnjë nuk do të jetë mesfushori Behar Maliqi, që u zëvendësua që në minutat e para në derbin me Tiranën, pasi pësoi një dëmtim në fytyrë. Probleme gjatë gjithë këtyre ditëve ka pasur edhe Hyshmeri, i cili është përgatitur i diferencuar nga grupi. Dje probleme ka shfaqur edhe Demiri. Gjithsesi, shpresojmë që deri të shtunën të riaftësojmë ndonjë nga lojtarët e lënduar.

– E shtuna ofron krahas Lushnja-Partizani edhe sfidën midis dy ekipeve kryesuese, Skënderbeu-Teuta. Një barazim i tyre, i kombinuar me një fitore tuajën do të thoshte vendi i parë për Partizanin…

– Ne duhet të bëjmë detyrën tonë, pra të fitojmë ndeshjen në Lushnjë. Se çfarë do të ndodh në Korçë është tjetër gjë. Sigurisht, që një barazim midis Skënderbeut dhe Teutës do të ishte në të mirën tonë. Secila skuadër bën llogaritë e saj.

  Bilanci

Partizani, 43 fitore më shumë

 Partizani dhe Lushnja janë ndeshur 86 herë midis tyre. Bilanci është dukshëm tejet pozitiv për të kuqtë. Partizani ka regjistruar 51 fitore në total, kundrejt 8 të lushnjarëve. 27 takime janë mbyllur në barazim. Edhe golaverazhi “peshon” nga Partizani, me një diferencë prej më shumë se +100 golash: 155-52.

 TIFOZËT

“Guerilsat”, edhe në Lushnjë

 “Ultras Guerrils” e kanë treguar besnikërinë e tyre ndaj Partizanit, si në ndeshjet e shtëpisë, ashtu dhe në transfertë,  gjë e cila pritet të ndodhë edhe sot në Lushnjë. Mbështetësit e Partizanit kanë treguar se dinë të vetorganizohen, gjë të cilën e kanë praktikuar në të gjitha transfertat që ka luajtur deri më sot ekipi.

  Portieri Hoxha nuk e ka nxjerrë topin nga porta e tij prej 419 lojë, qysh nga barazimi 2-2 me Bylisin në javën e tretë

 Katër ndeshje pa pësuar gol

 Porta e Partizanit është blinduar në katër ndeshjet e fundit, duke mos pësuar asnjë gol. Të kuqtë janë formacioni që ka pësuar më pak gola nga 12 skuadrat e Superligës në këto shtatë javë të para. Reparti i mbrojtjes ka qenë solid: vetëm 3 gola të pësuar, ndërkohë që portieri Hoxha nuk nxjerr një top nga rrjeta e tij prej 419 minutash lojë.  Mbrojtja është çelësi i suksesit të Partizanit të trajnerit Hasan Lika, pasi skuadra nuk pëson gola që nga minuta e 31-të e ndeshjes së javës së tretë me Bylisin, takim që përfundoi në barazim 2-2. Golin tjetër, pra të tretin, Partizani e ka pësuar në ndeshen e humbur 1-0 me Laçin. E përkthyer në statistika, Partizani ka pësuar 0.4 gola për ndeshje, ndërkohë që Skënderbeu dhe Teuta e kanë këtë tregues, 1 gol për ndeshje, pasi që të dyja kanë pësuar nga shtatë gola në këto shtatë javë. Partizani ka sulmin e katërt më të mirë në kampionat, me 7 gola. Më mirë se të kuqtë janë Skënderbeu (15), Teuta (15) dhe Bylisi (10).  Pas barazimit 2-2 me Bylisin, të kuqtë kanë fituar me të njëjtin rezultat 1- 0 në dy transferta, Kavajë dhe në Krujë ndaj Kukësit, ndërsa të shtunën fituan 1- 0 derbin me Tiranën. Në javën e pestë kanë barazuar 0- 0 me Flamurtarin.

NDESHJET E PARTIZANIT

Kastrioti-Partizani 2-0

Laçi-Partizani 1-0

Partizani-Bylis 2-2

Besa-Partizani 0-1

Partizani-Flamurtari 0-0

Kukësi-Partizani 0-1

Partizani-Tirana 1-0

Bilanci: 7 ndeshje, 4 fitore, 2 barazime, 1 humbje

Formacioni kundër Lushnjës

 Trajneri Lika  do të ketë në dispozicion Labinot Ibrahimin, i cili mungoi në derbin me Tiranën (për shkak të kartonëve). Behar Maliqi është i konfirmuar që nuk mund ta kalojë dëmtimin, ndërkohë që nuk do të jetë as Renato Hyshmeri.  (në vend të tij pritet të luajë Emiljano Musta). Në dyshim mbetet Ertan Demiri, që dje janë përgatitur të diferencuar. Shpresohet që ndonjëri prej tyre të riaftësohet për nesër. Formacioni  i Partizanit kundër Lushnjës pritet të jetë ky: Hoxha; B. Krasniqi, G. Krasniqi, Ibrahimi, Udoh; Demiri (Prençi), Thana, Mazrekaj, Musta; Buac dhe Mitraj.