Goli i Shehajt eliminon gjeorgjianët e Sioni Bolnisit. Rumunët e Petrolul Ploieshti, rivali i radhës
Një gol i Ardit Shehaj pesë minuta nga përfundimi i ndeshjes i garantoi kualifikimin Flamurtarit, për në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, pavarësisht se kuqezinjtë humbën 2-1 me gjeorgjianët e Sioni Bolnisi në ndeshjen e kthimit të zhvilluar dje në Vlorë. Fituesit e Kupës së Shqipërisë kishin fituar takimin e parë 3-2, rezultat që u mjaftoi për të regjistruar kualifikimin e tretë në historinë e klubit, pas atyre në edicionin 1987-1988 (Kupa UEFA) dhe në sezonin 2011-2012 (Liga e Europës). Një sukses i madh i klubit të Flamurtarit, ashtu dhe skuadrës së drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka që gjetën forca për të bërë të pavlefshëm fitoren e Sioni Bolnisit. Gjeorgjianët e Sioni Bolnisi kishin dyfishuar shifrat (me autogolin e Kuqit) dhe praktikisht ishin ata të kualifikuar. Vlonjatët janë mundur në kthim, me rezultatin 2-1, por golat e shënuar në fushën kundërshtare i kanë nderuar ata. Rezultati total i dy ballafaqimeve të turit të parë mes këtyre dy skuadrave është 4-4. Por fakti që Flamurtari shënoi tri herë në Gjeorgji, në fitoren 3-2 të një jave më parë, ka bërë diferencën, sa për t’i dërguar kuqezinjtë në turin vijues të Ligës së Europës. Një ndeshje mjaft dramatike në Vlorë, ku Sioni Bolnisi u imponua me lojën e vet, realizoi dy herë në portën e Ilion Likës dhe për pak u bëri gjëmën të besuarve të Gjokës. Këta të fundit kanë shënuar edhe dy herë të tjera, por gjyqtarët kanë anuluar gjithcka për pozicione jashtë loje. Flamurtari vuan pra, rrezikon shumë, megjithatë Ardit Shehaj ka evituar një disfatë që do të peshonte shumë. Kjo për faktin se të fitosh në transfertë, të shënosh tre gola në fushë kundërshtare dhe të mos jesh në gjendje të bësh diçka në shtëpi, tregon për inferioritet psikologjik, më së paku. Kujtojmë se në turin tjetër të Ligës së Europës, skuadra vlonjate do të përballet me rumunët e Petrolul Ploieshti. Një kundërshtar shumë i vështirë, me trajner Razvan Lucesku, ish-teknikun e kombëtares së Rumanisë. Në 28 ndeshje në Europë, Flamurtari ka regjistruar 6 fitore, 4 barazime e 18 humbje.
SKEDAT E NDESHJEVE
Ndeshja 2, 10 korrik
FLAMURTARI-SIONI BLONISI 1:2
Golat: Shehaj 85′ / Ugulava 56′, Kuqi 83′ (aut)
Ndeshja 1, 3 korrik
SIONI BOLNISI–FLAMURTARI 2-3
GOLAT: Isiani 27’, 30’/ Veliu 20’, Kuqi 74’, G.Lika 90’
– Kualifikohet Flamurtari me rezultatin e përgjithshëm 4-4, falë më shumë golave në fushën kundërshtare
Kur Flamurtari eliminonte Partizanin e Beogradit
Në edicionin 1987-1988 regjistrohet edhe kulmi i futbollit shqiptar në Europë. Flamurtari eliminoi në turin e parë Partizanin e Beogradit: fitoi 2-0 në Vlorë (autogol i Gjorxheviçit dhe gol i Roland Iljadhit) dhe humbi 2-1 në Beograd (eurogol i Sokol Kushtës). Në turin e dytë eliminoi gjermanolindorët e Vismute Aue: humbi 1-0 në Gjermani dhe fitoi 2-0 dhe Vlorë (Taho, Ruci). Në turin e tretë, u eliminua nga Barcelona: humbi 4-1 në “Kamp Nou” (gol i Vasil Rucit), fitoi 1-0 në Vlorë (gol i Kushtës).
FLAMURTARI NË EUROPË
1985-1986/ Kupa e Kupave
Flamurtari-HJK Helsnki 1-2, 1-3
1986-1987/Kupa UEFA
Flamurtari-Barcelona 1-1, 0-0
1987-1988/Kupa UEFA
Flamurtari-Partizan Beograd 2-0, 1-2
Flamurtari-Vismute Aue 2-0, 0-1
Flamurtari-Barcelona 1-0, 1-4
1988-1989/ Kupa e Kupave
Flamurtari-Leh Poznan 2-3, 0-1
1990-1991/ Kupa e Kupave
Flamurtari-Olimpiakos 0-2, 1-3
1991-1992/ Kupa UEFA
Flamurtari-Goteborg 1-1, 0-0
1996-1997/ Kupa e Kupave
Flamurtari-Humene 0-2, 0-1
2009-2010/ Liga e Europës
Flamurtari-Madhëruell 1-0, 1-8
2011-2012/ Liga e Europës
Flamurtari-Buduçnost 1-2, 3-1
Flamurtari-Jablonec 0-2, 1-5
2012-2013/ Liga e Europës
Flamurtari-Honved 0-1, 0-2
2014-2015/ Liga e Europës
Flamurtari-Sioni Bolnisi, 3-2, 1-2
Bilanci: 28 ndeshje, 6 fitore, 4 barazime, 18 humbje
Përfundon ëndrra e Kukësit në Europë
Edhe pse e kërkoi me ngulm golin, Kukësi nuk ia doli të mposhte Kairatin, duke i dhënë fund ëndrrës për një kualifikim në turin e dytë të Ligës së Europës. Ai gol i vonshëm i pësuar në Kazakistan para një javë mbeti në fuqi edhe në 90-minutëshin e kthimit, të luajtur në “Qemal Stafa”. Skuadra e Agim Canajt ka tentuar me të gjitha mundësitë për ta ndryshuar fatin e vet, por nuk ka shkuar dot më larg se një barazim i bardhë. Kairat Almaty ka arritur të mbrojë epërsinë e sfidës së parë dhe të kualifikohet për më tej. Nënkampionët e Shqipërisë mbyllin shpejt aventurën europiane, duke nisur të mendojnë tashmë për kampionatin shqiptar.
SKEDAT E NDESHJEVE
Ndeshja 2, 10 korrik
KUKËSI-KAIRAT 0-0
Ndeshja 1, 3 korrik
KAIRAT-KUKESI 1-0
Golat: Darabayev 89’
Kualifikohet Kairaty me rezultatin e përgjithshëm 1-0
KUKËSI NË EUROPË
LIGA E EUROPËS
Sezoni 2013-2014
Kukësi-Flora Talin 0-0, 1-1
Kukësi-Sarajevo 3-2, 0-0
Kukësi-Metalurg D. 2-0, 0-1
Kukësi-Trabzonspor 0-2, 1-3
Sezoni 2014-2015
Kukësi-Kairaty 0-1, 0-0
Bilanci: 10 ndeshje, 2 fitore, 3 barazim, 5 humbje
Kurbinasit eliminojnë sllovenët e Rudar Velenjës. Vujadoniviç pret tri penallti
Një malazez shkruan historinë e Laçit
Miroslav Vuijadinoviç është heroi i Laçit, në kualifikimin e parë historik të kurbinasve, pas dy tentativa të dështuara. Malazezi priti plot 3 penallti në lotarinë e 11- metërshave përballë sllovenëve të Rudar Velenje që u mposhtën 3-2 nga pika e bardhë pas 120 minutave në barazim 1-1, aq sa rezultati i sfidës së parë të luajtur në Slloveni. Laçi kalon me meritë në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës. Pas një pjesë të parë pa gola – Laçit i mjaftonte dhe ky rezulzat – fraksioni i dytë pati shumë ritëm dhe mundësi të mira shënimi. Pas një kundërsulmi të shpejtë të kurbinasve portieri Rozman nuk mundi të bënte asgjë kur nigeriani Segun Xhejms Adeniyi dërgoi topin në rrjetë në minutën e 57-të. Avantazhi e ndezi më tepër takimin me sllovenët këmbëngulës në kërkim të golit të barazimit. Në minutën e 93-të kur Matje Eteroviç i harruar brenda zonës me një goditje në rrëzim e sipër bëri të pllakosë heshtja në stadium me golin e tij duke e çuar ndeshjen te 30 minutat e shtesës. Nigeriani Adenjyi pati dhe dy raste të arta në minutat 104’ dhe 118’, por pa mundur ta çojë topin në rrjetë. Rezultati i dy ndeshjeve ishte i barabartë: 2-2, dhe ndeshja kaloi në serinë e penalltive. Portieri Vuajdoniviç i mohoi penalltinë e parë Eteoviçitm duke goditur psikologjikisht rivalët, por Alfred Zefi nuk arrin të krijojë avantazhin, pasi humbi edhe ai duelin me Rozman. Gjithsesi, Vujadinoviçi pret penalltinë e dytë radhazi ndaj Knezoviçit dhe Laçi i kishte të gjitha shanset për të kaluar para me Vuçajn që nuk gaboi. Vujadinoviçi priti edhe e penalltisë së tretë radhazi dhe në goditjen pasardhëse Arjan Sheta goditi me klasin e një sulmuesi, gjithsesi pas tij shënoi dhe Koçiç duke ndërprerë serinë e pabesueshme te Vujadinoviç dhe Olsi Teja pa shtyllën ti mohonte golin e kualifikimit, pas tij shënoi Kilnar dhe penalltia që vendoste gjithçka ishte për Adenyi që shndërroi në realitet ëndrrën e bukur verore laçiane. Turi i dytë sjellë përballë Laçit një skuadër të fortë si ukrainasit e Zorya Luganskut. Ndeshja e parë do luhet të enjten e ardhshme, në Kiev.
SKEDAT E NDESHJEVE
Ndeshja 2, 10 korrik
LAÇI-RUDAR 1-1
Golat: Adeniyi 57′ / Eteroviç 90+3′
Penalltitë: LAÇI-RUDAR 3:2
Laci: Zefi -, Vucaj +, Sheta +, Teqja -, Adeniyi +
Rudar: Eteroviç -, Knezoviç -, Rosher -, Kociç +, Klinar +
Ndeshja 1, 3 korrik
RUDAR VELENJE–LAÇI 1-1
GOLAT: Klinar 17’/ Adeniji 89’
Kualifikohet Laçi pas gjuajtjeve të penalltive, pasi rezultati i dy ndeshjeve doli i barabartë 2-2
LAÇI NË EUROPË
LIGA E EUROPËS
Sezoni 2010-2011
Laçi-Dnepër Mogilev 1-1, 1-7
Sezoni 2013-2014
Laçi-Diferdanzh 1-2, 1-3
Sezoni 2014-2015
Laçi-Rudar Velenje 1-1, 1-1 (3-2p)
Bilanci: 6 ndeshje, 0 fitore, 3 barazim, 3 humbje
KALIMET E TUREVE TË EKIPEVE SHQIPTARE
LIGA E KAMPIONEVE
Tirana: 6 herë (1982-1983, 1988-1989, 1989-1990, 2003-2004, 2004-2005, 2005-2006)
Vllaznia: 1 herë (2001-2002)
Dinamo: 1 herë (2002-2003)
Skënderbeu: 1 herë (2013-2014)
LIGA E EUROPËS
Flamurtari: 3 herë (1987-1988, 2011-2012, 2014-2015)
Partizani: 1 herë (2004-2005)
Vllaznia: 3 herë (2008-2009, 2009-2010, 2011-2012)
Dinamo: 1 herë (1985-1986)
Tirana: 1 herë (2006-2007)
Besa: 1 herë (2007-2008)
Laçi: 1 herë (2014-2015)
KUPA E KUPAVE
Tirana: 2 herë (1986-1987, 1994-1995)
Partizani: 1 herë (1970-1971)
Besa: 1 herë (1972-1973)
Vllaznia: 1 herë (1987-1988)
Dinamo: 1 herë (1989-1990)
Teuta: 1 herë (1995-1996)
KUPA INTERTOTO
Teuta: 1 herë (2002)
Partizani: 1 herë (2003)
Vllaznia: 1 herë (2004, 2007)
Besa: 1 herë (2008)
DY TURE
Flamurtari: 1 herë (1987-1988)
TRE TURE
Kukësi: 1 herë (2013-2014)
EKIPET SHQIPTARE
NË KUPAT E EUROPËS
Tirana 74 ndeshje
Partizani 44 ndeshje
Vllaznia 40 ndeshje
Dinamo 40 ndeshje
Flamurtari 28 ndeshje
Teuta 25 ndeshje
Besa 14 ndeshje
Skënderbeu 10 ndeshje
Kukësi 10 ndeshje
Elbasani 6 ndeshje
Bylisi 4 ndeshje
Apolonia 4 ndeshje
Laçi 6 ndeshje
Albpetroli 2 ndeshje
Tomori 2 ndeshje