Elvis Tabaku: “Për medalje në Izrael!”

543
Sigal

Fituesi i Medaljes së Artë në Lojërat Mesdhetare, optimist për sukses në Europianin e Peshëngritjes

Ervis Tabaku, një nga katër shtangistët shqiptarë që do të marrin pjesë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që do të zhvillohet në Tel Aviv të Izrael nga data 3-13 prill. Tabaku, 24 vjeç, do të garojë në peshën deri në 94 kg, ndërkohë që tre përfaqësuesit e tjerë të ekipit tonë janë në këto pesha: Romela Begaj (pesha 63 kg), Daniel Godelli (pesha 77 kg), Erkand Qerimaj (pesha 77 kg). Ervis Tabaku, i cili prej katër vjetësh merr pjesë në Bundesligën gjermane të Peshëngritjes, po përgatitet në Tiranë në një nga sallat e peshëngritjes në ambientet e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Ervis Tabaku e ka nisur “dashurinë” me peshëngritjen qysh në moshën 12-vjeçare, pra ka një aktivitet prej më shumë se 12 vjetësh. Ai ka marrë pjesë për herë të parë një aktivitet ndërkombëtar në vitin 2007 në Kupën e Mesdheut, kur ishte vetëm  17 vjeç. Ai ka marrë pjesë në Kampionat Europian dhe Botëror për të Rinj, Kampionat Europian dhe Botëror për të Rritur, Lojërat Mesdhetare. Ai ka dalë Kampion i Europës për të Rinj në vitin 2009 (në Landskrona të Suedisë); nënkampion i Botës për të Rinj në vitin 2009 (në Bukuresht të Rumanisë) ; medalje argjendi në Lojërat Mesdhetare “Peskara 2009), i 10-ti në Botë për të Rritur. Medalja e fundit e artë e Ervis Tabakut ishte ajo në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013” të zhvilluara në Turqi vitin e kaluar, ku zuri vendin e parë në peshën 94 kg në stilin e shkëputjes (166 kg), ndërkohë që në stilin e shtytjes mori medaljen e bronztë (196 kg).

 – Tabaku, edhe pak ditë na ndajnë nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që, do të zhvillohet në Tel Aviv të Izraelit. Si po shkojnë përgatitjet?

– Jam në kulmin e përgatitjeve nën drejtimin e trajnerit Sokol Bishanaku. Deri tani, përgatitjet po shkojnë shumë mirë, po marr ngarkesat sipas planit. Kampionati Europian është një nga aktivitetet më të rëndësishme të peshëngritjes, dhe natyrisht kur je i përzgjedhur të garosh për vendin tënd, për të arritur rezultate të mira duhet të punosh fort dhe seriozisht. Personalisht, ndihem i privilegjuar që do të përfaqësoj Shqipërinë në këtë Kampionat Europian.

– Ju jeni ambientuar me aktivitetet e mëdha, madje medaljet e fundit i keni marrë në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”. Sa të arritshme janë ato për Ervisin në Europian?

– Europiani është një kompeticion shumë i vështirë, pasi marrin pjesë disa prej peshëngritësve më të mirë në Europë dhe Botë. Sigurisht, kur ke marrë medalje më parë dëshiron të marrësh përsëri. Dhe unë e trajneri im, Bishanaku, për atë po punojmë, pavarësisht se presim një garë të fortë, pasi në peshën ku garoj unë, 94 kg, janë disa emra të mëdhenj.

– Kë konsideroni rivalin më të fortë?

– Në garën time do të garojë një peshëngritës polak, Adrian Zelinski, Kampion Olimpik i “Londër 2012” në peshën 85 kg, ndërkohë që tani do të garojë në peshën 94 kg. Rivalët e tjera janë nga Azerbajxhani, Rusia, që kanë tradita sidomos në peshat e renda. Normalisht, është një garë e fortë. Pretendimet e mia fillimisht janë të jap më të mirën e mundshme, pavarësisht se synimi final është të hyj në zonën e medaljeve, ku atë të bronzit e konsideroj plotësisht të mundshme, nëse gjithçka do të shkojë sipas planit dhe strategjisë që kemi hartuar.

– Në Europianin e Izraelit do të marrin pjesë edhe Erand Qerimaj dhe Daniel Godelli për meshkuj, si dhe Romela Begaj për femra…

– Janë emra të mëdhenj të peshëngritjes sonë dhe padyshim që do të hyjnë në garë për medalje, pse jo edhe për të qenë Kampion Europe. E konsideroj si të mundshme fitimin e medaljeve nga ana e tyre.

– Prej sa kohësh po përgatiteni, për Europianin nisur edhe nga fakti që garoni me ekipin tuaj në Gjermani?

– Jam duke kryer stërvitje të rregullta, duke qenë se jemi në n një aktivitet të ngjeshur në Bundesligën gjermane të peshëngritjes. Prej katër vjetësh garoj në Bundesligën gjermane me ekipin Samsvegen, një qyteti të vogël në Landin e Saksen-Anhalt në ish-Gjermaninë lindore, jo shumë larg Berlnit. Ekipi në të cilin unë bëj pjesë ka dalë dy herë Kampion i Gjermanisë në vitet 2006 dhe 2007, ndërsa në vitin 2010 ka dal në vend të tretë. Pra, ka një emër të mirë dhe traditë.

– Cili është niveli i peshëngritjes në Gjermani?

– Nuk është në nivele të larta, si në Rusi, Armeni, Azerbajxhan, Bullgari, por atje po punohet shumë fort. Është niveli i kënaqshëm. Në ndryshim nga Shqipëria, ku aktivitetet janë më të pakta në numër, atje në Gjermani funksionon kampionati, ku bëhen 8-9 gara brenda një viti. Garat kanë natyrë ekipore, ku pikët e marra nga të gjithë peshëngritësit grumbullohen dhe më pas del ekipi fitues. Pra, përballet një ekip kundër një tjetri. Ne e përfunduam këtë vit në mesin e tabelës. Vitin e kaluar unë kam qenë ndër tre më të mirët në Gjermani, ndërkohë që këtë vit isha ndër pesë më të mirët.

Shqipëria në Europian

Romela Begaj (pesha 63 kg)

Daniel Godelli (pesha 77 kg)

Erkand Qerimaj (pesha 77 kg)

Ervis Tabaku (pesha 94 kg)

Trajneri i Tabakut dhe Godellit flet për “Telegraf”: “Kemi pretendime në Europian”

 Bishanaku: “Godelli e Tabaku, në formë”

  Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes do të përfaqësohet me katër sportistët e saj më të mirë në Kampionatin Europian për të rritur, i cili zhvillohet nga 3-13 prill në Tel Aviv të Izraelit. Ekipi unë përfaqësohet nga: Romela Begaj (pesha 63 kg), Daniel Godelli (pesha 77 kg), Erkand Qerimaj (pesha 77 kg) dhe Ervis Tabaku (pesha 94 kg). Katërshja medaliste kuqezi do të shoqërohet nga trajnerët Zef Kovaçi, Sokol Bishanaku dhe Gazmend Hakcani. Prej javësh Begaj dhe Godelli, dy sportistët e Tiranës, vijojnë fazën përgatitore në kryeqytetin helen, ndërsa Qerimaj e Tabaku po stërviten në Shqipëri në palestrën e ekipeve kombëtare të peshëngritjes në stadiumin “Qemal Stafa”. Trajneri i Ervis Tabakut dhe Daniel Godellit, Sokol Bishanaku, duke folur për gazetën “Telegraf” tha: “Deri tani gjithçka ka shkuar mirë, si me Ervis Tabakun që po stërvitet në Tiranë, ashtu dhe me Daniel Godellin që po e kryen atë në Greqi. Të dy gëzojnë një formë të mirë dhe pretendojnë të hyjnë në zonën e medaljeve. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se dhe garat mund të kenë të papriturat e veta. Tabaku garon në peshën 94 dhe ka rivalë të mëdhenj, ku spikat një polak, Kampioni Olimpik Zielinski. Ndërsa në peshën 77 kg, ku garojnë Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli rivalët më të fortë janë rusë, bullgarë dhe polakë. I njohim mirë ata”. Kampionati Europian i Izraelit është një kampionat i rregullt, ndërsa Kampionati Botëror që do të zhvillohet në muajin nëntor në

Almati të Kazakistanit. Sokol Bishanaku ka një histori të pasur në peshëngritjes, duke dalë kampion më të rinj dhe të rritur në pesha të ndryshme, duke pasur mbi 80 rekorde kombëtare. Ai ka qenë Kampion Ballkani për të Rinj, vendi i 7-të në Europë, si dhe ka marrë pjesë në dy Olimpiada, në “Barcelonë 1992” (vendi i 11-të), ndërsa në “Londër 2012” ai ka marrë pjesë si trajneri i Daniel Godellit. Sokol Bishanaku është “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe aktualisht është trajneri i Tiranës.

Pagimi i gjobës

 Federata Shqiptare e Peshëngritjes i kthehet në kohë rekord pjesëmarrjes ndërkombëtare. Pas e-mail-it nga Federata Botërore e Peshëngritjes (IWF), e cila i rikujtonte Shqipërisë gjobën e pashlyer prej 25 mijë dollarësh, rrjedhimisht përjashtimin nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare dhe çdo event të IWF-së, pala shqiptare nuk ka humbur kohë. Shuma e ardhur nga 4 rastet me doping u shlye plotësisht dhe Shqipërisë i hiqet pezullimi.

FORMULA 1/ Kjo ishte fitorja e dytë e në po aq gara e skuderisë “Mercedes” në Kampionatin Botëror

 Ljuis Hemilton fiton në Malajzi

  Ljuis Hemilton fitoi Çmimin e Madh të Malajzisë në Kampionatin Botëror të Formula 1, me pilotin britanik të skuderisë gjermane “Mercedes GP”, i cili fitoi edhe “pole position”. Kjo ishte fitorja e tij e parë në cirkuitin e Malajzisë. Dy javë pas suksesit të Niko Rosbergut në Melburn, dje ishte radha e Ljuis Hemilton për të diktuar ritmin në garën e dytë të sezonit në Sepang të Malajzisë që mban shenjën e skuadrës gjermane. Ish- Kampioni i Botës ruajti pozitat që në start, duke lënë pas edhe shokun e skuadrës Niko Rosberg që u rendit një shkallë më ulët në podium me rreth 15 sekonda diferencë. Vendi i tretë shkon për 4 herë kampionin e botës, Sebastian Fetel që la pas Fernando Alonson, i cili i rrëmbeu surprizës Niko Hulkenberg vendin e katërt vetëm katër xhiro përpara fundit. Në këtë mënyrë, konsumohet një tjetër raund i këtij sezoni të Formula 1 ku Mercedes po përvijon dukshëm konturet e skuadrës që duhet mundur dhe Red Bull me shenja të dukshme përmirësimi edhe pse ende larg formës së skuadrës gjermane. Vendin e parë në klasifikim e kryeson bindshëm Niko Rosberg me 43 pikë, i ndjekur nga Ljuis Hemilton me 25 dhe Fernando Alonso me 1 pikë më pak. Në klasifikimin e përgjithshëm të skuadrave, Mercedes merr kreun me 68 pikë, 25 më shumë se McLaren dhe 38 më shumë se Ferrari. Pas një jave, njëvendëshet do të spostohen në pistën e Sakhirit për të konsumuar raundin e tretë të këtij sezoni.

RENDITJA NË MALAJZI

1. L.Hemilton 25 pikë

2. N.Rosberg 18 pikë

3. S.Fetel 15 pikë

RENDITJA E PËRGJITHSHME

1. N.Rosberg 43 pikë

2. L.Hemilton 25 pikë

3. F.Alonso 24 pikë

4. Xh.Batën 23 pikë

5. K.Magnusen 20 pikë

6. N.Hulkenberg 18 pikë

7. S.Fetel 15 pikë