Elbasani, skuadra e parë e rrëzuar nga Superiorja

519
Rënia e Elbasanit një kategori më poshtë, edhe pse ende jo matematikisht, mund të thuhet se është verdikti i parë i zbuluar i Kategorisë Superiore në sezonin futbollistik 2014-2015. Formacioni i Muharrem Dostit e ka të qartë se nuk mund ta rikuperojë diferencën prej 10 pikësh me Teutën. Për rrjedhojë elbasanasit po aktivizojnë lojtarë të rinj në funksion të ndërtimit të një skuadre pretendente për sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Apoloninë, që lojërat e mira që ka zhvilluar i japin shpresë për rikuperimin e diferencës prej 7 pikësh me Teutën. “Djemtë e detit duhet të gabojnë të paktën 3 ndeshje më shumë se fierakët, që formacioni i Artan Mërgjyshit të qëndrojë mes më të mirave të futbollit shqiptar edhe për sezonin e ardhshëm. Gjasat që diçka e tillë të ndodhë janë minimale edhe për faktin se përplasja direkte e fazës së katërt, mes Teutës dhe Apolonisë, do të zhvillohet në “Niko Dovana”. Gjithsesi, në këtë rast, gjen vend shprehja, “shpresa vdes e fundit”. Në fundjavë si Teuta, ashtu edhe Apolonia besohet se do të fitojnë, pasi presin respektivisht Elbasanin dhe Flamurtarin. Por në javën e 31-të vështirë se këto dy skuadra do të marrin pikë në transfertë, pasi “djemtë e detit” do të luajnë me Laçin dhe bardhejeshilët me Skënderbeun. Diferenca mes tyre, që aktualisht është 7 pikë, mund të ngushtohet në javën e 32-të, kur Teuta të presë Partizanin, ndërsa Apolonia, Vllazninë. Në javën e 33-të kalendari i rezervon sërish transferta të vështira, me Skënderbeun dhe Kukësin, të dyja skuadrave. Por Apolonisë mund t’i jepet një tjetër shans për t’u afruar në javën e 34 kur të presë Elbasanin, ndërsa Teuta të luajë në shtëpi me Kukësin. Nëse në javën e 35-të diferenca do të jetë 3, ose me më pak pikë. Që do të thotë se mbijetesa mes të dy skuadrave do të vendoset në sfidën direkte të “Niko Dovanës”, atje ku durrsakët do të jenë të favorizuar nga faktori fushë. Në javën e fundit, kur Apolonia të presë Laçin, ndërsa Teuta të vizitojë Tiranën, pritet që gjithçka të jetë vendosur. Megjithëse nuk përjashtohet një skenar triller e kjo në varësi edhe të garës për titullin kampion.
Sigal