E bujshme, Laçi-Bylis në finale!

51

  Fituesi merr 5 milionë lekë nga FSHF-ja dhe 90 mijë euro nga UEFA, për pjesëmarrjen në Ligën e Europës

 Laçi-Bylis është finalja e Kupës së 61-të të Kupës së Shqipërisë, pasi eliminuan dy ekipet që zënë dy vendet e parë në Superligë. Një finale disi e pazakontë, pasi të dyja skuadrat mbërrijnë për herë të parë në një finale. Fituesi i trofeut do të hyjë në “Librin e Artë” të kompeticionit, si skuadra e dhjetë që

fiton një Kupë të Shqipërisë, duke u bashkuar kështu me Tiranën (15 trofe), Partizanin (15), Dinamon (13), Vllazninë (6), Flamurtarin (3), Teutën (3), Elbasanin (2), Apoloninë (1) dhe Besën (1). Fituesit i Kupës do të marrë pjesë në Ligën e Europës, teksa do të përfitojë 5 milionë lekë nga FSHF-ja dhe 90 mijë euro nga UEFA, për pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

 LAÇI-KUKËSI 2-1

Një ndeshje emocionuese dhe me gola në Laç, por me fitues vendasit. Kuksianët u shfaqen tepër të kujdesshëm në prapavijë, ndërsa mundohen të dalin me pak pasime në kundërsulm, me destinacion të përhershëm të topit te “pyka” e tyre, Popovic. Janë kurbinasit, ata që i afrohen shumë pranë golit në minutën e 7-të, pas një goditjeje dënimi nga e djathta e sulmit të vet. Topi harkohet në zonë nga Shazivari dhe aty godet një tjetër lojtar i Laçit, por mbrojtësit miq evitojnë rrezikun. Dy minuta më pas, pas një këmbëngulje të gjatë nga e djathta, vendësit ekzekutojnë një këndore. Buljan ngrihet mbi të tërë, godet me kokë dhe për pak nuk shënon. Kemi të bëjmë me minuta të tëra kur presingu i madh i bardhezinjve e detyron kundërshtarin t’i përveshë mirë mëngët dhe të mbyllet në gjysmëfushën e vet. Serbi Popoviç, falë shtatlartësisë së tij, sjell pështjellim te prapavija e skuadrës së Nicës, duke e bërë thuajse të pamundur markimin e tij nga Emiljano Çela. Në minutën e 33-të, pas një topi në gjysmëlartësi në zonën e mbrojtjes kuksiane, Nimani shënon golin e parë për Laçin. Shkodrani imitonin Vuçiniçin e Juventusit, duke hequr të mbathurat e uniformës së tij. Kukësin e nisi pjesën e dytë me Alikajn në vend të Biskupit, ndërkohë që disa minuta më pas, Nica nxjerr Shazivarin për Sefgjinin. Në minutën e 66-të miqtë fitojnë një goditje dënimi mbi zonën e 16-metrave të Laçit, pas një faulli ndaj Popoviçit. Godet Progni dhe topi përplaset në murin mbrojtës, por nuk largohet së andejmi, shkon te Peqini, që e përcjell në rrjetën e Bakajt. Rezultati barazohet 1-1, çka do të thotë se Kukësi është i kualifikuar me gol në fushën kundërshtare. Në kohën kur miqtë kanë humbur mundësinë e artë për t’i dyfishuar shifrat me anë të Prognit, pas një daljeje të shpejtë, vjen minuta e 78-të, kur një mbrojtës vendas, i ardhur në ndihmë të sulmit, Emiljano Cela, godet fuqishëm dhe shënon golin e epërsisë. Shokohen verilindorët, që kishin filluar të mendonin kualifikimin për më tej, por është Laçi ai që kalon në finale.

 BYLIS-SKËNDERBEU 1-0

Në prani të një numri rekord tifozësh, ndeshja në “Adush Muça” është luajtur e fortë dhe me sulme e kundërsulme nga të dyja palët. Minuta e 10-të sjell rastin e parë ideal për gol të korçarëve. Kampionët ishin pranë golit, kur në minutën e 25-të mbrojtësi Erbim Fagu lëshoi një predhë në minutën e 25-të, por Frashëri reagon mrekullisht, duke e devijuar topin në këndore dhe evituar golin në kuadratin e vet. Drithërima për portën e Shehit në minutën e 37-të, kur Peter, një ndër më të mirët në fushë, kaloi bukur dy-tre mbrojtës korçarë dhe doli i vetëm përballë portierit Shehi, por “gardiani” i Skënderbeu i tha “jo”. Kundërpërgjigjen korcarët në minutën e 41-të. Orelesi asiston bukur Fagun, që në pozicion ballor, i gjendur mbi vijën e 16-metrave, godet fluturimthi, por Frashëri pret në dy kohë. Rastin më të mirë për shënim miqtë e kanë në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, kur Plaku gjendet i vetëm me Frashërin, pas një kundërsulmi të shpejtë të tijve, por godet mbi traun e portës vendëse. Pjesa e dytë nis edhe më kërkuese për skuadrën e Bylisit. Ajo është e vendosur për të shënuar dhe mos e lënë fatin e kualifikimit te barazimi 1-1 i sfidës së luajtur në Korçë. Në minutën e 53-të, vendasit fitojnë një goditje dënimi, që ekzekutohet mrekullisht nga fieraku Julian Gërxho. Në një largësi prej rreth 20 metrash ai e “qëndis” topin në trekëndëshin e Orges Shehit, që s’ka çfarë të bëjë. 1-0 për Bylisin dhe tifozëria mallakastriote është në qiellin e shtatë. Reagon fuqishëm skuadra e Josës, që derdhet në aksione të njëpasnjëshme sulmuese, duke i detyruar mallakastriotët të rreshtohen me forca të shumta para Frashërit, ndërsa kujtohen të dalin hera-herës në kundërsulme të shpejta. Plaku dhe Nimaga bëhen protagonistë të rasteve të shpërdoruara për juglindorët, ndërsa një korçar, por në radhët e Bylisit, Frashëri, mbetet shpëtimtar i të tijve me pritjet e bukura.

GJYSMËFINALET

Ndeshjet e vajtjes

Kukësi-Laçi          0-0

Skënderbeu-Bylis     1-1

Ndeshjet e kthimit

Laçi-Kukësi          2-1

Shënues: Nimani 33’, Çela 79’ / Peqini 65’

Bylis-Skënderbeu           1-0

Shënues: Gërxho 53’

FINALJA

Laçi-Bylis           15 maj

Stadiumi “Qemal Stafa”, Tiranë

SKEDAT E FINALISTEVE

BYLISI

Themelimi: 1972

Trajner: Naxhi Shensoji

President: Besnik Kapllanaj

NË KUPË

Pjesëmarrje: 19 herë

Në çerekfinale: 5 herë

Në gjysmëfinale: 1 herë

Finaliste: 1 herë

Fituese: 0 herë

LAÇI

Themelimi: 1960

Trajner: Stavri Nica

President: Pashk Laska

NË KUPË

Pjesëmarrje: 21 herë

Në çerekfinale: 2 herë

Në gjysmëfinale: 2 herë

Finaliste: 1 herë

Fituese: 0 herë

LIBRI I ARTË

15: Partizani

15: Tirana

13: Dinamo

6: Vllaznia

3: Teuta

3: Flamurtari

2: Besa

2: Elbasani

1: Apolonia

Finalet e rralla

 Laçi-Bylis nuk është finalja e parë e “pazakontë”. Ka disa precedentë. Në vitin 1998, finalja u diskutua midis Apolonisë dhe Lushnjës, me fierakët që e fituan trofeun. Elbasani-Besa luajtën në vitin 1992, fitoi Elbasani. Besa-Teuta u luajt në 1995, me durrsakët triumfatorë.

Banderolat në stadiumin e Laçit

 “S’ka Dinamo as Tiran, por ka vetëm Partizan!”

 “Nuk ka Kukës as Vllazni, vetëm Laçi në Veri!”

Të kuqtë do të ndeshjen me Naftëtarin e vendit të fundit, pogradecarët presin Elbasanin e rrezikuar

 Ada mund Pogradecin, Partizani një fitore larg Superligës

 Skuadra e Adës mori një fitore me shumë vlera ndaj Pogradecit (2-1), në ndeshjen e prapambetur të javës së 25-të të Kategorisë së Parë. “Fituesi” tjetër i kësaj ndeshje është Partizani, pasi të kuqtë kanë 9 pikë më shumë kur kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i sezonit. Ndeshja e luajtur në Pogradec ka shfaqur një dëshirë më të madhe të djemve velipojakë për të arritur fitoren përballë një Pogradeci tashmë të dorëzuar përfundimisht nga gara për të zënë vendin e dytë dhe për t’u ngjitur në Superligë. Trajneri Ritvan Kulli i kishte udhëzuar ashtu siç duhet futbollistët e tij për të qenë të kujdesshëm jo vetëm në manovrën mbrojtëse por për të parë edhe drejt portës vendase. Pjesa e parë ka qenë e barabartë. Në fillimin e së dytës, Ada ka rritur presionin dhe në një moment, ka fituar një 11-metërsh. Nga pika e bardhë ka qenë Orges Lini ai që ka gjuajtur saktësisht duke kaluar në avantazh ekipin e tij. Një gol që ka habitur disi vendasit që janë hedhur në sulm për të kërkuar golin e barazimit, madje në 2-3 momente ka qenë shumë pranë arritjes së tij por në minutën e 77-të do ishte Erjon Hoti ai që do të shënonte edhe golin e dytë për Adën. U duk se ndeshja do mbaronte me këtë rezultat por Pogradeci nuk do ishte dakord. Ai ka arritur të shënojë një gol në minutën e fundit të kohës së rregullt, madje ka qenë shumë pranë golit të barazimit në shtesë, gjithsesi nuk ia ka dalë dot. Ada në këtë mënyrë ka fituar me meritë 2-1, një trepikësh ky që do t’i vlejë shumë për ecurinë e mëtejshme në katër javët e mbetura të kampionatit. Me fitoren e sotme, velipojakët janë ngjitur në kuotën e 33 pikëve, në vendin e nëntë në renditje. Në javën e 27-të, Partizani do të luajë me Naftëtarin (një fitore i çon automatikisht në Superligë), ndërkohë që Pogradeci do të presë Elbasanin, ku i fundit është  në zonën e rënies nga kategoria.

RENDITJA

1    Lushnja         26   +28  62

2    Partizani       26   +6   51

3    Pogradeci       26   +10  42

4    Mamurrasi       26   +5   39

5    Tërbuni         26   +8   37

6    Dinamo          26   +2   33

7    Himara          26   +1   33

8    Iliria          26   +0   33

9    Ada             26   +0   33

10   Burreli         26   -1   33

11   Butrinti        26   -2   33

12   Besëlidhja      26   -4   31

13   Elbasani        26   -7   31

14   Kamza           26   -13  31

15   Gramshi         26   -15  30

16   Naftëtari       26   -18  20

U-19, Shqipëri-Itali 0-0

 Shqipëria U-19 e drejtuar nga Foto Strakosha barazoi 0-0 me Italinë, në miqësoren e zhvilluar në Kavajë. Të shtunën, Kombëtarja U-19 do të luajë me Bullgarinë në Korçë dhe dy ditë më pas, po me bullgarët në Pogradec.

  Abdullah Backa, karateisti 9-vjeçar me 33 medalje

  Një 9-vjeçar nga Elbasani ngre lart flamurin e Shqipërisë në Stamboll, teksa zuri vendin e tretë në botë në sportin e karatesë. Bëhet fjalë për Abdullah Backa, një fëmijë kampion që ka nisur të hedhë hapat e para në këtë sport që në moshën dy vjeçare. Medalja e bronztë e marrë në Turqi ishte e 33-ta për të në këtë karrierë të vogël sportive, por ai premton në një intervistë për “Telegraf” se do t’i shumëfishojë ato dhe një ditë synon të jetë në majën e botës në këtë sport. Abdullahi ka edhe një model që do të ndjekë në këtë sport, siç është katër herë kampioni i botës Rafael Aghayev nga Azerbaxhani. Karateisti i vogël zhvilloi pesë ndeshje, teksa fitoi katër prej tyre. Ndeshjen e parë ai fitoi me një karateist nga Kirgistani (3-0), në të dytën fitoi 6-0 me një azerbajxhanas, për të vazhduar me një 6-0 ndaj rusi dhe në të katërtën barazoi me në rus, por me deklarim të gyqtarëve me pikë fitoi 4-1. Në ndeshjen e pestë, Backa humbi ndaj azerbaxhanasit, i cili më pas u shpall edhe kampion bote. Gjithsej karateisti Backa ka marrë 33 medalje: 24 janë ari, 3 argjendi dhe 6 bronzi.