PS-LSI: “Bashkojmë votat në Këshillat Bashkiake të Vlorës, Beratit, Durrësit e Tiranës”

636
Sigal

Eridian Salianji kandidati më i mundshëm për Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës

Shkarkimet e prefektëve dhe zëvendësprefektëve, të cilët ishin përfaqësues tëLSI-së, do të kenë një vazhdimësi, por me kahe të kundërta. Duke qenë se prishja e balancimit politik do të pasohet edhe në pushtetin vendor, fillojnë edhe rikompozimi i ri i kryesive të qarqeve dhe këshillave bashkiakë, në të gjithë vendin. Zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho, nga PD-ja, me procedurën që u zhvillua në Kuvend ditën e hënë, duket se ka hapur kutinë e Pandorës, për ndryshimet e mëdha  për të përmbysur të  gjitha  raportet politike  të deritanishme, edhe të pushtetit vendor. Kështu, në Këshillat e qarqeve  dhe në këshillat bashkiake e të komunave, anëtarët e zgjedhur ngaLSI-ja do t’i bashkohen me këshilltarët e zgjedhur nga koalicioni i majtë dhe do të bëjnë të mundur edhe përmbysjen e kryesimit këshillave të qarqeve dhe këshillave bashkiakë, në favor të koalicionit të majtë.

 Kërkohet shkarkimi i Njazi Kosovrastit nga Këshilli Bashkiak i Tiranës

Kryesitë e qarqeve të Vlorës, Beratit, Tiranës, Durrësit,  por edhe të Fierit, i cili ka qenë edhe ngërçi politik, i cili mban peng edhe votimin e 3 ligjeve të statusit kandidat, deri tani kanë qenë në drejtuara nga koalicioni i maxhorancës. Mirëpo, kalimi iLSI-së në aleancën me PS-në, do të sjellë edhe ndryshime të tilla politike, që do të bëjnë të mundur përmbysjen e raporteve politike në kryesitë e qarqeve dhe këshillave bashkiakë. Të parët janë  këshilltarët e PS-së dhe LSI-së në Bashkinë e Tiranës, të cilët  vendosin të bashkojnë votat me qëllim balancimin e pushtetit vendor.  Këshilltarë Aldrin Dalipi dhe Shezai Rrokaj  konfirmojnë se, do të kërkojnë shkarkimin e  kreut të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti.  Kjo do të vejë në pozitë mjaft të vështirë edhe vetë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashën, i cili, këtej e tutje do ta ketë të vështirë të dominojë me kryetar Këshilli Bashkiak një këshilltar socialist. Mbledhja e këshilltarëve të PS-së me ata tëLSI-së është e para që pas krijimit të koalicionit parazgjedhor PS-LSI.

Salianji, kandidat i mundshëm për kryetar të Këshillit Bashkiak të Tiranës

Dy janë kandidatët e mundshëm për kryetar të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Avokati Eridian Salianji, i cili ka dhënë kontributin e tij në KQZ, në mbrojtje të kauzës së PS-së dhe të kryetarit të saj, Edi Rama, me një përvojë tashmë të çmuar, është kandidati më i mundshëm për të zëvendësuar Kosovrastin. Një tjetër kandidat mendohet të jetë Genti Gazheli. Po kështu, pritet të kërkohet edhe shkarkimi i kreut të Këshillit të Qarkut të Tiranës, pasi maxhoranca e djathtë e ka humbur shumicën e këshilltarëve.

Kryesitë e këshillave të qarqeve dhe bashkive në Tiranë, Vlorë, Berat, Fier, Durrës i marrin të majtët

Mbledhje të ngjashme do të zhvillohen në të gjitha njësitë, ku ka këshilltarë të PS-së dhe LSI-së. Kështu pritet që të zëvendësohen të gjithë kryetarët e këshillave të qarqeve dhe bashkive në Vlorë, Berat, Durrës dhe Fier. Në Fier, tashmë kreu i Qarkut kalon me shumicën e anëtarëve aleancës së majtë dhe kjo mund të krijojë edhe zgjidhjen e ngërçit për votimin e 3 ligjeve.

Rëndësia e rotacionit politik në kryesitë e qarqeve dhe këshillave bashkiakë

Këto përmbysje të raporteve politike edhe në pushtetin vendor nuk janë thjesht një zëvendësim personash, por, duke patur parasysh që të gjitha fondet tashmë, që vijnë nga pushteti qendror do të monitorohen dhe kontrollohen nga kryesitë e të majtëve, duke vënë në pozitë të vështirë të djathtët. Jo vetëm kaq. Duke qenë se jemi edhe në fushatë zgjedhore, gjithë procedura e votimeve do të kalojë nga kryesitë e qarqeve dhe këshillat bashkiake e të komunave, të cilat tashmë do të dominohen nga të majtët dhe PD-ja do të humbasë kësisoj edhe monopolin e kontrollit në rangun e pushtetit vendor.

Deklaratat e këshilltarëve të PS-LSI

 Dalipi: PS-LSI bashkojnë votat në çdo këshill bashkiak!

Kreu i këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi njoftoi se, pas mbledhjes së këshilltarëve tëLSIdhe PS u vendos bashkimi i votës së tyre në çdo Këshill Bashkiak të vendit. Dalipi bëri me dije se, dorëzohet kërkesa Këshillit Bashkiak për shkarkimin e kryetarit Njazi Kosovrasti.  “Marrëveshja dhe koalicioni i ri nga sot kalon në bashkëpunimin edhe të Këshillit Bashkiak të Tiranës, e majta do jetë forcë dominuese në Këshillin Bashkiak për të garantuar se vota e tyre do të jetë e garantuar për shkak të një shumice që do të vejë në radhë të parë interesin qytetar dhe një votë të dominuar nga interesi i demokracisë. Kjo është nisja dhe do i japim rrugë në të gjitha Bashkitë dhe Komunat e vendit. Ne sot grupet e këshilltarëve të PS dhe LSI sapo firmosëm kërkesën që do i drejtohet Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, për të marrë drejtimin e Këshillit Bashkiak në interes të vlerave”,- tha Dalipi.

Shezai Rrokaj: Qëndrimi ynë politik, në mbrojtje të votës
 Këshilltari iLSI-së në Këshillin Bashkiak, Shezai Rrokaj bëri me dije se, vendimi i sotëm është qëndrim politik i së majtës, në mbrojtje të votës së lirë. “Ky është qëndrim politik që erdhi pas seancës maratonë, ku u sulmua një institucion që ne e quajmë të shenjtë, pasi është institucioni i votës së lirë, ne mendojmë se pushteti lokal ka një prioritet që është mbrojtja e votës së lirë. Që do thotë bashkimi i energjive ne mbrojtje të votës së lirë. Në radhë të parë krijojmë një maxhorancë të natyrshme dhe këtë duhet të shfrytëzojmë për hapat e mëtejshëm. Ne do japim shembullin e qartë se jemi me ligjin”, theksoi Rrokaj.