Bashkim Aliraj:Jani Hondro, simbol i notit modern shqiptar

1203
Sigal

Shumë specialist e trajner e kanë quajtur atë “flutura e detit”, ndër më të mirin e kohërave ne not,

*Trajner, Shoqata “JON”, Vlorë

 Jani Hondro vitin e kaluar mbushi 10 vjet që është ndarë nga jeta e tij. Shumë specialist e trajner e kanë quajtur atë ndër më të mirin e kohërave ne not. Të shkruash për Janin natyrisht nuk është e lehtë. Si notar e mësues, jeta e veprimtaria e tij është e shquar. Si notar, ai nuk mund të vështrohet vetëm nga numri i madh i rekordeve kombëtare që ka vendosur. Në ato vite (1965, 1966, 1967), patën një jehonë të madhe por në radhe të parë nga niveli dhe teknika e gjithanshme e notimit. Jani arriti kulmin e tij ne vitin 1966 duke thyer 12 rekorde kombëtare për të rritur e të rinjtë. Ai në qytetin e Sarandës theu rekordin kombëtar në 100 e 200m stil i lirë, në 100 e 200 m stil delfin, në 400m katërnotin individuale, në  stafetën  4x200m stil i lirë etj. Me të drejtë ai u quajt ylli i notit shqiptar dhe “Flutura e detit” etj.

Jani me ekipin e “Flamurtarit” të Vlorës u stërvit nga vëllezërit trajner Thoma e Sotiraq Papa. Jani filloi notin në moshën 7-8 vjeç. Banonte në Skelë dhe shtëpinë e kishte 50-60m larg detit. Në ekipin e notit ai u inkuadrua në vitin 1963. Atë vit në ekipin e “Flamurtarit” me trajner Thoma e Sotiraq Papa kishte një grup notarësh të mirë si K. Sadiku, F. Nikolla, Sh. Bega, B. Aliraj, Dh. Doga, M. Likaj, që po bënin emër në not, me më të vjetrit I. Kreshpa dhe M. Beqiri. Kishte filluar një kujdes e organizim i mirë në not. Nga ana e kryetarit të sportit, Leonardo Kruta, dhe inspektorit, Vllas Opingari, për notin kishte një interesim mjaft të madh. Pranë ekipit të notit përveç Janit atë vit u inkuadruan edhe notarë të tjerë të rinj si K.Levani, Ylli Likaj, N. Bodo, D. Roshi, P. Kisi, A. Mezini, F.Konomi, I.Mati etj. Jani mori me vete dhe vëllain e tij, Vilsonin, që sot është mjek në Austri. Të gjithë çunat dhe Jani nuk e kishin problem që të vinin rregullisht në stërvitje sepse pjesa më e madhe e tyre banonin afër ose në Skelë. Falë pasionit të tyre dhe këmbënguljes në stërvitje bënë që shumë shpejt tek Jani të dilnin në pah cilësitë e shkëlqyera. Ekipi rritej, po bashkë me të, rritej e zhvillohej djaloshi Jani Hondro. Trupi i tij zbukurohej çdo ditë e çdo muaj. Mbas tre vjetësh, në vitin 1965 në muajin korrik, në Sarandë, ai theu rekordin kombëtar për të rritur në 100m batërflaj (flutur) me kohën 01.17.40 dhe në 200m katërnotim me kohën 02.57.10 për të rinjtë. Edhe në stafetën 4 x 100m stil i lirë, vlonjatet thyen rekordet kombëtare  për të rinj me kohën 04.48.30 edhe me vonë ata thyen dhe stafetën 4 x 100m të përzierë për të rriturit me kohën 05.29.30 nga 05.34.00 që ishte rekordi i mëparshëm. Po këtë muaj (korrik 1965), në takimin e më të mirëve në Korçë, Jani Hondro do të thyente përsëri rekordin kombëtar në garën e 100m me kohën 01.17.20 dhe zuri vendin e parë në garën e 200m batërflaj me kohën 03.09.60 duke mundur dy konkurrentët M. Shestani të Vllaznisë dhe Sh. Gjepali të Lokomotivës (Teutës së sotme). Jani dallohej për vendosmërinë e vullnetin në stërvitje e në garë. Ai ishte një djalë i qetë, i dashur dhe serioz. Jani punonte shumë e fliste pak. Trajnerët duke parë këto vlera tek e pasionin e tij, filluan punën duke i mësuar Janit një stil të ri, delfinin, që nuk ishte aplikuar ndonjëherë me notarët tanë. Si stil ishte më i vështiri por më rezultativ. Jani filloi ta përvetësojë shumë mirë. Bashkë me të edhe shokët e tjerë, F. Zykaj, D. Oroshi etj. Ky stil nuk ishte i përhapur në vend. Pothuaj ishin notarët e Vlorës që po e aplikonin të parët. Trajneri Sotiraq Papa na tregonte libra, kinograma, figura për të pasur një ide sa më të qartë për stilin. Dhe nuk kaluan 2-3 muaj në Sarandë, në gusht të vitit 1966, gara e 100m delfin do të kurorëzohej me sukses nga notari Jani Hondro me rekordin kombëtar për të rinj e të rritur në kohën 01.12.90, rreth 5 sek më mirë nga rekordi i mëparshëm. Garën e 200m delfin e theu notari tjetër i Flamurtarit Fatmir Zykaj me kohën 02.44.60 që mbahej nga Jani. Atë vit pati dhe notarë të tjerë që thyen rekorde si P. Kisi në 100 m bretkosë me kohën 01.24.90, që i përkiste notarit të Shkodrës E. Avdia. U thye përsëri rekordi kombëtar në garën 4 x 100m stafeta e përzier për të rritur. Por Jani Hondro, siç përmenda më sipër ishte protagonisti kryesor. Këtë vit ai theu mjaft rekorde kombëtare të tjera si në 100m e 200m stil i lirë, 200m e 400m katërnotin. Ai u cilësua si notari më i mirë i vendit. Ai ishte vetëm 17 vjeç atëherë, me një trup shumë të bukur dhe elegant. Me të drejtë dhe shtypi i asaj kohe do ta quante “flutura e detit”. Një epitet shumë i bukur për trupin dhe teknikën e mirë të notarit të talentuar Jani Hondro. Ai shquhej për lëvizje tepër të sakta, harmonike e të bukura. Nuk gabojmë ta quajmë notar më i bukur i kohërave. Natyrisht nuk mund të lemë këtu pa përmendur punën plot pasion të trajnerit të tij Thoma Papa, që punonte pa u lodhur. Ai krahas stërvitjes që bënte çdo ditë dhe dy herë në ditë, na rregullonte dhe bazën materiale, xadrat e notit për stërvitje, kujdesej për ne për trajtimin ushqimor, dhe ne notarët e ndihmonim atë: I faleminderit shumë trajnerit tonë për gjithçka që bënë për ne, për punën e madhe që ka bërë për ecurinë e notit në Vlorë, dhe atij Shqiptar. Edhe Thomai nuk jeton më dhe ai mbushi 10 vjet që është ndarë nga jeta. Me Janin atë e ndau vetëm një ditë nga jeta që u larguan njëri pas tjetrit. Dhe kjo shpesh ndodh me ata që duhen shumë. “Si mësues Jani, – thotë shoku dhe kolegu i tij, Lefter Suparaku, – ishte për t’u admiruar për niveli dhe njohuritë që kishte. Ai vinte çdo dite i përgatitur për mësimin. Niveli shkencor i tij ishte për t’u lavdëruar, ai ishte serioz e kërkues, prandaj dhe nxënësit e donin shumë. Edhe unë kam qenë notar në ato vite dhe kam kujtime te veçanta me Janin dhe i kam përjetuar vetë disa nga momentet. Kur i kujtoj këto më kap emocioni dhe ndiej tronditje, sepse që të dy ata nuk jetojnë më. Po dhe Dhori Doga, që nuk jeton më, një nga notarët më të mirë të vendit, me ekipin e Flamurtarit dhe të Partizanit, pjesëmarrës e rekordmen në stafetën 4x100m të përzier me Flamurtarin. Dhorin e kisha dhe shokë fëmijërie dhe shkolle. Po ashtu kujtoj me respekt dhe ish-trajnerin A. Kadena që nuk jeton më. Ai u bë dhe trajner i ekipit Kombëtar të femrave në vitin 1972-73. Kanë kaluar vite dhe në kujtesën time mbeten të pashlyera. Mendoj se e kemi për detyrë që t’i kujtojmë e ti nderojmë këta njerëz, sidomos Federatën e Notit apo Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sepse këta janë njerëz që i kanë dhënë shumë notit pa asnjë interes, vetëm fal pasionit e dëshirës së tyre. Këtë vit ne 30 mars, Federata e Notit organizoi për nder të tij Kupën “Jani Hondro”, një gjë shumë e mirë që duhet vazhduar më tej.

 Miqësore U-19

Shqipëri-Itali, më 17 prill

 Italia U-19 do të jetë mysafire e Shqipërisë të asaj moshe, të drejtuar nga Foto Strakosha, takim miqësor që do të luhet në stadiumin e Kavajës, më 17 prill 2013 (ora 15:00). Në fakt, bëhet fjalë për një kthim “restoje”, pasi të dyja skuadrat u ndeshën në muajin janar, në turneun e Romës. Kombëtarja U-19 do të luajë dy ndeshje edhe me Bullgarinë: përkatësisht, më 20 dhe 22 prill, të programuara për në Pogradec. Pak ditë më parë, formacioni U-19 luajti dy ndeshje në Bullgari: barazoi 0-0 dhe humbi 4-3. Po ky ekip do të luajë edhe dy miqësore kundër Moldavisë, në vendin tonë, më 27 dhe 29 qershor. Në aksion do të jetë edhe Kombëtarja U-21. Së pari, është parashikuar një turne miqësor në Austri, në datat 24 maj-3 qershor, takime këto që do t’i vlejnë trajnerit Skënder Gega, për të formatuar ekipin përpara ndeshjes me Hungarinë, më 7 qershor dhe Bosnjën, 11 qershor, për eliminatoret e Kampionatit Europian. Kombëtarja U-21 do të marri në pjesë edhe në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”, që do të zhvillohen në Turqi, nga 19-27 qershor 2013.

 Hyka

Lucerni i Jahmir Hykës humbi 4-0 në shtëpi me Bazelin, kryesuesin e kampionatit zviceran. Miqtë shënuan nga dy gola në çdo pjesë loje. Mesfushori i Kombëtares luajti gjatë gjithë ndeshjes, dhe në të 56’ u ndëshkua me karton të verdhë. Me Lucernin, që renditet në vendin e parafundit pas 25 ndeshjeve, luajti edhe kosovaro-zvicerani Pajtim Kasami.