Arben Laze: Politika e dëmton futbollin, e do atë për fasadë, jo për zhvillim e progres

476
Nga Agron KAJA
Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, Presidenti i FK “Elbasani”, Arben Laze, jo vetëm që foli edhe rreth situatës më të fundit zgjedhore në prag të Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së, por nuk nguroi që të tregonte edhe votën e tij PRO Presidentit aktual, Armand Duka. Edhe pse Laze tregon respekt për kandidatin tjetër, Bashkim Finon, ai në konceptin e tij nuk nguron që të kritikojë politikanët, të cilët sipas tij duan të ngatërrojnë edhe futbollin. “Unë kam disa arsye në këtë deklarim, por së pari po veçoj; mirënjohjen që zoti Duka tregoi me qytetin e Elbasanit, me rindërtimin e stadiumit që sot quhet “Elbasan Arena”. Ky i ka dhënë një impakt pozitiv jetës në qytetin tonë, dhe për këtë e vlerësojmë shumë”, kështu theksoi midis të tjerave në deklarimin e tij Arben Laze, President i FK “Elbasani”.
Edhe pse i “fshehur” nga gjendja jo e mirë e Elbasanit, pse jeni shfaqur aktiv në media gjatë këtij muaji?
Në fakt, unë kam qenë i gatshëm në çdo moment për mediat, edhe pse dihet tashmë që skuadra e Elbasanit luan në Kategorinë e Dytë. Përpos kësaj situate, na jepet e drejta të reagojmë për gjithçka që lidhet me ambientin sportiv, e konkretisht për zhvillimin e Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së më 7 shkurt 2018, me pikën e “nxehtë”, zgjedhjen e presidentit.

Sipas jush, si duket kjo atmosferë para zgjedhore, në këndvështrimin e përgatitjeve?
Me sa kam parë e kam dëgjuar, Administrata e FSHF-së ka marrë masa të mira administrative e ligjore, që kjo Asamble ti zhvillojë sa më normalisht punimet e saj. Dihet se pikë e “nxehtë” do të jetë edhe zgjedhja e Presidentit të FSHF-së, dhe ne kemi komunikuar për paraqitjen tonë në këtë kuvend të futbollit shqiptar.

Jeni deklaruar PRO Armand Dukës për votën tuaj, mos është i shpejtë ky deklarim?
Absolutisht që është në kohën e duhur, sepse duke parë e dëgjuar se po flasin për këtë temë edhe njerëz që nuk kanë lidhje me futbollin, aq më shumë që kontributet e tyre i kanë në zero në këtë sport, dhe jo më unë, që kam 14 vite President i FK “Elbasani”.

Kjo është arsyeja që ju deklaroheni publikisht se votoni pro Armand Dukës për President në FSHF?
Në fakt, unë kam disa arsye në këtë deklarim, por së pari po veçoj mirënjohjen që zoti Duka tregoi me qytetin e Elbasanit, me rindërtimin e stadiumit që sot quhet “Elbasan Arena”. Ky i ka dhënë një impakt pozitiv jetës në qytetin tonë, dhe për këtë ne e vlerësojmë shumë.

Gjithsesi, mos dukeni kështu pak i “ngushtë” në deklarimin tuaj?
Pse dukem i ngushtë, sepse stadiumi “Elbasan Arena” është kthyer në stadium kombëtar që i ka shërbyer të gjithë shqiptarëve? Ka edhe të tjera arsye që më motivojnë në votën time PRO Armand Dukës, të cilat nuk duhet të harrohen edhe nga opinionistët e ndryshëm, pse jo edhe nga rivali i tij, Bashkim Fino.

Cila është sipas jush arsye tjetër që ju detyron juve votën PRO Armand Dukës?
Le të kujtojmë muajin tetor 2015, kur në stadiumin e Beogradit ndodhi ajo ngjarje e shëmtuar me Kombëtaren tonë. Me iniciativën e Dukës, u fitua gjyqi në KAS-in e Lozanës, një fitore kjo jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë moral e kombëtar për Shqipërinë e shqiptarët.

Ndoshta e harruat pjesëmarrjen e Kombëtares sonë në finalet e Kampionatit Evropian “Francë 2016”?
Nuk e kam harruar, sepse pas ngjarjes së Beogradit, Shqipëria njohu kulmin e saj historik deri më sot, duke shkuar në finalet e kampionatit Evropian “Francë 2016”. E natyrisht që, Armand Duka është faktori kryesor për këtë ngjarje, e cila e bëri futbollin shqiptar prezent në elitën e futbollit evropian.

Gjithsesi, përpos këtyre arsyeve, është koha e duhur që Duka të thotë “Mjaft” në postin e Presidentit të FSHF-së?
Kam lexuar një thënie të tij para disa ditësh, dhe po jua rikujtoj: “Mjaft, thotë zoti kur ta merr jetën”. Kontekstin e kësaj shprehjeje unë e vlerësoj, e po në këtë këndvështrim i ftoj të gjithë ta shohin, larg presioneve që sjell politika shqiptare, e cila futbollit i ka shumë borxhe.

Më sipër deklaruat se ka njerëz me kontribute zero në futboll, këtu e fusni edhe kandidatin Bashkim Fino?
Për Finon kam respekt si politikan, e me këtë rast nuk e humbas, pse po deklarohem PRO Dukës. Por, jam kundër futjes së politikës në sport, aq më shumë në futboll. Në këto 14 vite nuk jam ngatërruar në asnjë rast me politikën, e majtë apo e djathtë, sepse në bindjet e mia, politika e dëmton futbollin, e do atë për fasadë jo për zhvillim e progres.

Me këtë rast, çfarë do tu thoni homologëve të tjerë, që ju ti bindni në këtë deklarimin tuaj?
Unë nuk ndikoj aspak tek të tjerët, sepse sikundër unë, ashtu edhe shumë Presidentë të tjerë në klubet e futbollit shqiptar, e kanë prekur progresin nën drejtimin e Armand Dukës si President i FSHF-së. Unë ju them që të largojnë politikën me votën e tyre në Asamble.
Unë kam disa arsye në këtë deklarim, por së pari po veçoj; mirënjohjen që zoti Duka tregoi për qytetin e Elbasanit, me rindërtimin e stadiumit që sot quhet “Elbasan Arena”. Ky i ka dhënë një impakt pozitiv jetës në qytetin tonë, dhe për këtë ne e vlerësojmë shumë, ndaj e respektojmë
14 sezone
Kjo është periudha që Arben Laze është në krye të FK “Elbasani” si President, ku ka provuar edhe fitimin e titullit kampion
DUKA NË KATËR MANDATE PRESIDENT I FSHF-së
Mandati Data Asambleja Periudha Rivali 
I parë 06.02.2002 Pall. Kongres 2002-2006 M. Bushati
I dytë 14.03.2006 Hotel Tirana 2006-2010 S. Kaçaj/E. Haxhiaj
I tretë 10.03.2010 Hotel Adriatik 2010-2014 R. Halili/ R. Vata
I katërt 28.02.2014 Hotel Tirana 2014-2018 Pa rival
FSHF i kundërpërgjigjet “fantazmave”: Shoqatat e futbollit funksionojnë prej 20 vitesh
Zgjedhjet në FSHF kanë sjellë në tregun mediatik edhe polemika dhe akuza, ndërsa zyrtarët e saj kanë evidentuar zyrtarisht faktin, se shoqatat nën akuzë janë pjesë e futbollit prej 20 vitesh. “FSHF-ja ka 66 anëtarë, të cilët në bazë të statutit mund të jenë Klube futbolli, ose subjekte, të cilat përfaqësojnë grupe të caktuara profesionesh, apo rajone të caktuara gjeografike. Ky numër aktual anëtarësh është vendosur me ndryshimet statutore të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF në mbledhjet e datës 26.04.2011, 28.02.2013, 28.02.2014 dhe 19.03.2015. Përmes këtyre vendimmarrjeve unanime, Asambleja e Përgjithshme si autoriteti më i lartë i FSHF, në përputhje me tagrat që i jep Neni 23/m. i Statutit, ka definuar listën e plotë të anëtarëve të federatës, listë e cila nuk është kontestuar as përmes mjeteve statutore, as përmes ankimimeve gjyqësore. Këto entitete nuk janë “fantazëm” siç po përflitet në disa media, por kanë mbi 20 vjet që ushtrojnë aktivitet dhe përfaqësojnë realisht pjesën më të madhe të futbollit të luajtur, që është ai amator”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e FSHF-së.
Sigal