“Alarm” në sulmin e kombëtares, Sadiku shfaq probleme fizike në stërvitje

508
Sigal

Trajneri i kombëtares, Christian Panucci vijon të ketë probleme të shumta në grumbullimin që po zhvillohet në Durrës. Në seancën stërvitore të paradites së kësaj të marte ka shfaqur probleme Armando Sadiku. “Bomberi”, i saporikthyer pas një dëmtimi të gjatë, pasi ka kryer ritualin e nxemjes dhe disa vrapime rreth fushës u tërhoq nga pjesa tjetër e stërvitjes për shkak të një problemi muskulor.

Shkalla e lëndimit të Sadikut mbetet ende për t’u mësuar por problemet fizike të tij përbëjnë një dhimbje të vërtetë koke për Panuccin, duke qenë se edhe qendërsulmuesi tjetër i Kombëtares, Bekim Balaj, vuan disa probleme fizike dhe nuk është në formën optimale.

Shqipëria rrezikon të mos ketë për ndeshjen e parë të eliminatoreve të Euro 2020 me Turqinë asnjë nga qendërsulmuesit e rolit, duke qenë se dhe Rey Manaj nuk mundi t’i përgjigjej thirrjes së trajnerit, pasi nuk u lejua nga klubi i tij Albacete.

Ndërkohë edhe Ylber Ramadani, i thërritur nga trajneri pas dëmtimeve të Lilës dhe Binakut, nuk ka mundur të zhvillojë seancën stërvitore të kësaj të marte, pasi vuan një lëndim në pulpë. Seanca e tretë stërvitore e Shqipërisë në grumbullimin për dy sfidat e radhës ka zgjatur për rreth 70 minuta, me Panuccin që ka zgjedhur një seancë të mbyllur, pa praninë e kamerave.