Agron KAJA/ Kujdesuni për Danimarkën, pastaj “llastoni” Serbinë!

490
Sigal

 EURO 2016/ Shqipëri-Danimarkë, Kombëtarja në ethet e fitores së dytë, me ultimatum “stërkëmbësh” nga Beogradi

Futbolli ynë ka ndalur frymë që ditën e diel, duke ja lë në gjithçka skuadrës sonë përfaqësuese. Për Kombëtaren shqiptare ndeshja e dytë eliminatore për Euro 2016 me Danimarkën ka nisur dhe është në hapat e fundit të përgatitjeve, por gjatë gjithë kësaj kohe nuk na është ndarë hija nacionaliste serbe, ndeshja me të cilën do të luhet më 14 tetor në Beograd. Duke na sulmuar që tani për ndeshjen e radhës me objekt ndalimin e tifozëve tanë në atë takim, ndoshta duke menduar që ta luajë këtë ndeshje ende pa filluar, Federata Serbe e Futbollit është gjunjëzuar dhe është dopuar nga fryma albanofobe. Duke e trazuar futbollin me politikën e tyre anti-shqiptare, njëherësh ata kërkojnë të na venë “stërkëmbësin” psikologjik për të patur superioritet tifozët e dhunshëm në Beograd, por kjo është llogaria e tyre. Gjithsesi, me gjithë këtë situatë që është përballuar me zgjuarsi e seriozitet nga FSHF-ja, përgatitjet e skuadrës sonë kanë vijuar, sepse të shtunën më 11 tetor ajo do të luajë në Elbasan me Danimarkën, dhe një indiferentizëm i momentit ndaj presioneve nga Serbia do të ishte një prishje vëmendjeje dhe shkujdesje për ndeshjen e radhës. “Fitoni për Danimarkën, pastaj “llastoni” Serbinë”, kjo ka qenë kërkesa e tifozerisë mbarëshqiptare në të gjitha rrjetet sociale dhe në mediat sportive, madje me më shumë pathos nga ata tifozë përtej kufijve zyrtarë të Shqipërisë, të cilëve u është ndaluar të jenë në shkallët e stadiumit të Partizanit të Beogradit ku do të luhet sfida Serbi-Shqipëri, e para në historinë e dy shteteve. Kësisoj, kalendari në Grupin I eliminator na ka sjellë më parë në Shqipëri skuadrën e Danimarkës, me të cilën bilancin e kemi shumë negativ. Në 8 ndeshjet e luajtura me të kemi  vetëm 1 fitore 1-0, kemi vetëm 1 barazim dhe 6 humbje, me një golavarazh negativ 3-19. Nëse e shohim këtë sfidë nga këta tregues historikë, ndoshta Danimarka të frikëson, por nëse do të jemi realistë dhe nëse do ti lutemi pak edhe fatit, mund të themi se e marrim një fitore sikundër ndodhi 51 vite më parë më 30 qershor 1963, me rezultatin minimal 1-0. Nga ana tjetër, që të godasësh në një prognozë qoftë edhe të përafërt për këtë ndeshje, natyrisht që duhen parë edhe performancat aktuale që kanë të dyja skuadrat deri ditën e shtunë që do të luhet zyrtarisht ndeshja. Në Kombëtaren shqiptare mungesa kreysore është ajo e mesfushorit Odisa Roshi të dëmtuar, i cili e gatoi golin në ndeshjen me Portugalinë. Trajneri De Biazi e ka lënë pushim për ta patur në gatishmëri më të plotë fizike në ndeshjen e 14 tetorit kundër Serbisë, dhe po për shkak dëmtimi nuk do të jetë i gatshëm edhe sulmuesi Shkëlzen Gashi. Mungesat balancohen, kur në kampin danez do të mungojnë mbrojtësi-mesfushor Simon Kjaer dhe kapiteni Daniel Ager. Ky i fundit e kalon në dëmtimin dhe do të jetë i gatshëm në përballjen e 14 tetorit, Danimarkë-Portugali. Kështu, me këtë barazim dëmtimesh, duket sikur parashikimet kalojnë edhe në anën e barazimit, por duke qenë se, në kompanitë e basteve në Europë është përjashtuar barazimi, atëherë një fitore minimale nga të dyja anët mbetet alternativë e vetme. Ka edhe një aspekt tjetër tek i cili të dyja skuadrat kanë përdorur gjithë arsenalin e tyre, që është ai mediatik. Duke ju referuar vetëm deklarimeve të teknikëve, trajneri ynë Xhani De Biazi është treguar i kursyer në deklarimet e tij gjatë javës, duke porositur edhe futbollistët që të jenë të matur me median e shtypin sportiv. Dhe vetëm dje ai ka folur, mjaft i matur e konkret, çka don të tregojë se kundërshtarin e ka vlerësuar në maksimum. Po kështu ka vepruar edhe trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, i cili më shumë se sa vlerësimi mediatik, e quan skuadrën tonë si më të mirën në gjithë historinë e saj, një thënie që mund ta vlerësosh në të dyja anët e saj. I vetmi superioritet i skuadrës sonë në këtë sfidë do të jetë tifozeria, ku deri më sot kërkesat kanë qenë për më shumë se 12.500 vende që është kapaciteti i stadiumit “Elbasan Arena”. Këtu Shqipëria do të ketë kolonën e dytë ku mund të mbështet për sukses dhe të gjitha këto detaje do ta bëjnë edhe më interesante ndeshjen Shqipëri-Danimarkë, ku gjithë shqiptarët do të jenë me sy e veshë në “Elbasan Arena” të shtunën e 11 tetorit 2014, ora 20:45. Mes tyre, të shpresojmë që Kombëtarja jonë do të thyejë tabutë e historisë negative dhe të ketë “gatuar” një rezultat pozitiv, për të cilin e gjithë Shqipëria do të festojë.

Somario

“Fitoni me Danimarkën, pastaj “llastoni” Serbinë”, kjo ka qenë kërkesa e tifozerisë mbarëshqiptare në të gjitha rrjetet sociale dhe në mediat sportive, madje me më shumë pathos nga ata tifozë përtej kufijve zyrtarë të Shqipërisë, të cilëve u është ndaluar të jenë në shkallët e stadiumit të Partizanit të Beogradit ku do të luhet sfida Serrbi-Shqipëri, e para në historinë e dy shteteve

Formacioni mundshëm: 1-4-5-1

Pak ndryshime nga ndeshja me Portugalinë

Portier                  Berisha

Mbrojtësa             Hysaj, Mavraj, Cana, Agolli

Mesfushorë          Xhaka, Kukeli, Rama, Abrashi, Lila

Sulmues               Balaj (Cikalleshi)

Bilanci me Danimarkën

29.06.1963. Danimarkë-Shqipëri 4-0, Kamp.Europian; Tr. Loro Boriçi

30.10.1963. Shqipëri-Danimarkë 1-0, Kamp.Europian; Tr. Zyber Konçi

02.06.1993. Danimarkë-Shqipëri 4-0, Kupa e Botës; Tr. Bejkush Birçe

08.09.1993. Shqipëri-Danimarkë 0-1, Kupa e Botës; Tr. Bejkush Birçe

09.10.2004 .Shqipëri-Danimarkë 0-2, Kupa e Botës; Tr. Hans P.Brigel

08.06.2005. Danimarkë-Shqipëri 3-1, Kupa e Botës; Tr. Hans P.Brigel

01.04.2009.Danimarkë- Shqipëri 3-1, Kupa e Botës; Tr. Hari Han

09.09.2009.Shqipëri-Danimarkë 1-1, Kupa e Botës; Tr. Josip Kuzhe

Bilanci: 8 takime, 1 fitore, 1 barazim, 6 humbje, golat 3:19

Stadiumi

Ndeshja Shqipëri-Danimarkë do të luhet ditën e shtunë datë 11 tetor 2014, ora 20:45 në stadiumin “Elbasan Arena”. Kapaciteti i stadiumit është 12.500 vende të ulura, i rindërtuar gjatë vitit 2014 dhe ku Kombëtarja luan për herë të parë. Stadiumi u përurua ditën e mërkurë datë 8 tetor 2014, me një ndeshje miqësore midis Kombëtares dhe U19 e Elbasanit.

Mungesat në skuadra

SHQIPË RIA

Për ndeshjen e radhës me Danimarkën, në Kombëtaren tonë do të mungojë për shkak dëmtimi sulmuesi i Bazelit, Shkëlzen Gashi. Po për shkak dëmtimi do të  mungojë edhe mesfushori Odise Roshi, i cili është lënë në Gjermani për rikuperim, për të qenë i gatshëm në Beograd më 14 tetor.

DANIMARKA

Ndërkohë, në skuadrën daneze do të mungojnë për arsye dëmtimi mbrojtësi-mesfushor Simon Kjaer dhe kapiteni Daniel Ager, i cili do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Portugalinë më 14 tetor. Pë r zëvendësimin e tyre trajneri Olsen ka thirrur mbrojtësit e rinj Okoren dhe Jorgensen.

Biletat dhe tregu i zi arrijnë deri në 300 euro

Janë vetëm 12.500 vende të ulura në stadiumin “Elbasan Arena”, të cilat këtë herë janë pak më të kripura për xhepat e shqiptarëve. Kështu, një biletë në tribunën qendrore kushton 10 mijë lekë të reja, në tribunat karshi biletat do të variojnë nga 6 mijë në 8 mijë lekë të rinj. Në tribunat prapa portave, biletat do të kushtojnë 3 mijë dhe 2 mijë lekë të reja. Por për shitjen e tyre në treg ka patur kaos gjatë gjithë javës, çka tregon se ka fituar terren tregu i zi.

Bastet favorizojnë danezët

Ndeshja Shqipëri-Danimarkë është kuotuar gjatë gjithë javës në kompanitë e mëdha të basteve, por edhe në ato shqiptare. Favorite mbetet Danimarka, e cila për fitore kuotohet me 2.15, ndërsa fitorja e Shqipërisë kuotohet me 3.25. Barazimi kuotohet më 3.40 e quhet rezultat më pak i mundshëm në këtë përballje. Asnjë rezultat i saktë nuk kuotohet për këtë takim më poshtë se koefiçienti 6.50, çka i jep prioritet Danimarkës.

Masat e sigurisë në qytet

FSHF-ja, Bashkia Elbasan, Policia dhe Kompania e Sigurisë që ka marrë përsipër ndeshjen, së bashku kanë përcaktuar detyrat për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Danimarkë. Nuk do të ketë parkime automjetesh në një periferi 1 km me stadiumin “Elbasan Arena”, ndërkohë te sheshi i stadiumit do jenë të gatshëm 280 vende parkimi, të cilat janë të disponueshëm para orës 16:00 të ditës së sotme. Ndërkohë që, policia ka marrë masa kontrolli edhe për persona me precedentë penalë për të mos ju afruar stadiumit, ndërsa ka bërë thirrje që qytetarët të cilët kanë destinacionin stadiumin, të mos kenë me vete sende të forta, mjete plasëse apo edhe armë të ndryshme. Në stadium personat e sigurisë nuk do të lejojnë shishe uji plastike, çakmakë e mjete të tjera përdorimi vetjak. Sistemi I sigurisë dhe kontrolli i biletave në stadium janë dixhital e të gjitha këto masa sigurie, jo vetëm që e bëjnë më garant zhvillimin normal të ndeshjes, por afrojnë edhe standarde europiane në të tilla evente.

DEKLARATA

Xhani De Biazi, trajner i Kombëtares:

“Në fushë vetëm për tri pikët”

Në deklaratën e tij të djeshme për mediat, trajneri ynë Xhani De Biazi e theu heshtjen e kësaj pragndeshjeje me Danimarkën. “Në fushë skuadra do të hyjë vetëm për të fituar ndeshjen. E dimë që kemi përballë Danimarkën, skuadër të fortë fizikisht e të mirë teknikisht, por ne do kalojmë çdo vështirësi. Skuadra i ka të gjithë mundësitë ta bëjë realitet fitoren”.

Lorik Cana, kapiten i Kombëtares

“Maksimumin për fitore”

Kapiteni i skuadrës sonë Kombëtare, Lorik Cana, nuk ndjehet euforik teksa mbetet i bindur në fitoren tonë ndaj danezëve. “E kemi të qartë rëndësinë e kësaj ndeshjeje, jo vetëm se do të luhet këtu në Elbasan në këtë stadium të mrekullueshëm. Danimarka është një skuadër e fortë dhe e vështirë, por ne do të bëjmë maksimumin tonë për fitore. Për këtë unë i garantoj tifozët”.

GRUPI I

Janë luajtur/ 7 shtator 2014

Danimarkë-Armeni        2-1

Portugali-Shqipëri                   0-1

Serbi-Francë                  1-1

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Danimarka        1        3

2.Shqipëria           1        3

3.Serbia                0        0

4.Armenia            1        0

5.Portugalia         1        0

Shënim: Ndeshjet e Francës janë miqësore, nuk pikëzohen në grup

Do të luhen/ 11 tetor 2014

Armeni-Serbi                 18:00

Gjyqtar: Tom Hagen (Norvegji)

Shqipëri-Danimarkë      20:45

Gjyqtar: Viktor Kasai (Hungari)

Francë-Portugali            20:45

Do të luhen/ 14 tetor 2014

Serbi-Shqipëri                20:45

Danimarkë-Portugali     20:45

 ADRESAT ZYRTARE

Federata Daneze e Futbolli

Themelimi:  1889

Addresa:     DBU Allé 1, 2605

Brøndby

Telefon:      +45 4326 2222

Fax:            +45 4326 2245

E-mail:        [email protected]

Stadiumi:    Parken Stadium

Kapaciteti:  42.358 vende

Shteti:         Danimarkë

Federata Shqiptare e Futbollit

Themelimi:  1930

Addresa:     Rruga Labinoti

Tiranë

Telefon:      +355 (434) 660 5

Fax:            +355 (434) 660 9

E-mail:        [email protected]

Stadiumi:    Elbasan Arena

Kapaciteti: 12.500 vende

Shteti:         Shqipëri