“Adoleshenti” Gëce i dhuron Gjermanisë yllin e katërt

469
Sigal

“Pancerat” e Johakim Lëvit triumfuan 1-0 ndaj Argjentinës së Lionel Mesit. Titujt e gjermanëve: 1954, 1974, 1990 dhe 2014

 Gjermania është fituesja e Kampionatit të 20-të Botëror dhe Kampionia e re e Botës. Titulli i katërt për gjermanët, që barazojnë kështu Italinë (Brazili ka 5 tituj). Gjithçka u zgjidh pas 120 minutave, kur një gol i realizuar në nga Mario Gëce në minutën e 113-të i dha fitoren 1-0 ndaj Argjentinës së Lionel Mesit, më këtë të fundit që dështon sërish të fitojë trofeun më të çmuar në planet. Trofeun kapitenit Filip Lahm ia dorëzoi Presidentja e Brazilit, Dilma Rusef dhe Presidenti i FIFA-s, Josep Blater. Ndeshja pati momente shumë emocione, por dhe dramë brenda saj, përmes dyluftimeve të forta, shpesh herë dhe agresive. Një gol i anuluar i Gonzalo Higuain (30’) dhe një shtyllë e goditur nga Benedikt Hoevedes (45’) pas goditjes nga këndi të Toni Krosit, këto ishin dy kulmet e pjesës së parë. Gjermanët dominuan në kontrollin e topit (63%), por argjentinasit ishin më të qartë dhe më të rrezikshëm në fazën sulmuese, duke e goditur më shumë drejt portës së mbrojtur nga gjiganti Manuel Nojer. Gjatë pjesës së parë veçohet edhe dëmtimi i mesfushorit gjerman Kramer, i cili pas goditjes në kokë gjatë një dyluftimi disa minuta më pas, në të 31’, u zëvendsua nga Shyrle. Pjesa e parë  mbyll pa gola. Në minutën e 50-të, Lionel Mesi gjeti një hapësirë të çmuar në zonën, por goditja e tij diagonale kaloi disa centimetra larg shtyllës së djathtë pingule të portës së Gjermanisë, me Manuel Nojerin që përjetoi një moment shumë të vështirë. Gjermania vazhdoi të ushtrojë presion, por Shyrle dhe Ozil ishin mjaft të paqartë përballë portës së Romeros. Nuk mungoi edhe një ndërhyrje tip “Shumakeri”, kur portieri Nojer kërceu mbi sulmuesin argjentinas, Gonzalo Higuain. Gjithsesi, edhe pse Gjermania ishte disi më superiore (58%-42%), gjatë 90 minutave nuk pati gola. Kjo është finalja e dytë rresht që shkon në shtesa, pas asnjë Spanjë-Holandë (2010), ndërkohë që një finalja tjetër është ajo Brazil-Itali (1994). Andrea Shyrle goditi bukur në minutën e 91-të, por Romero e bllokoi me zgjuarsi. Palasio pati rastin më të mirë për të kaluar në avantazh Argjentinën kur doli i vetëm përballë Nojerit në minutën e 97-të, por topi i harkuar prej tij nuk përfundoi në kuadrat. Por, heroi i ndeshjes nuk do të ishte Lionel Mesi, i konsideruar si lojtari më i mirë në planet, por “adoleshenti” Mario Gëce, që pasi mori një asist nga Tomas Myler, e stopoi topin me gjoks dhe me një gjuajtje mjeshtërore realizoi golin që e shpalli për herë të katërt Gjermaninë Kampione të Botës. Pamjet e Kancelares gjermane Angela Merkel, e cila festonte si një tifoze e madhe e “Nationalmanchaft”. Kjo ishte finalja e tretë midis tyre në Kampionatet Botërore. Në “Meksikë 1986”, Argjentina me kapiten Diego Maradonën fitoi 3-2, ndërsa në “Itali 1990”, Gjermania me kapiten Lotar Mateus fitoi 1-0.

  1986, Argjentinë-RFGJ 3-2

 Në finalen e “Meksikë 1986”, pjesa e parë u mbyll 1-0 për argjentinasit pas golit të Braunit që shfrytëzon një gabim të rëndë të portierit kundërshtar Shumaker. 11 minuta pas fillimit të pjesës së dytë kur Valdanoja shënoi përsëri, u duk se fitorja e argjentinasve ishte tashmë një aksiomë. Befas gjithçka mund të ishte përmbysur në 14 minutat e fundit gjatë të cilave gjermano-perëndimoret shënuan dy herë me anë të Rumeniges dhe Fëlerit. Po në tri minutat e fundit shpresat e trajnerit Bekenbauer për fitore i rrëzoi Burruçaga me atë vrapim galopant, duke lënë pas Hans-Peter Brigelin. Hera e dytë e Argjentinës si Kampione Bote: 1978 dhe 1986.

 1990, RFGJ-Argjentinë 1-0

Katër vjet më pas, në “Itali 1990”, Gjermani fiti 1-0. Një ndeshje me shumë dramë dhe emocione. Gjithçka u zgjidh 6 minuta para mbarimit te takimit kur gjyqtari meksikan Kodizal “dekretoi” një 11-metërsh në favor të gjermano-perëndimoreve, i cili disa sportdashësve iu duk i dyshimtë. Brehme gjuajti saktësisht e portieri Goigoçea i specializuar në pritjet e këtyre gjuajtjeve këtë radhë u dorëzua. Gjermania Perëndimore fitoi 1-0, në një takim ku nuk mundi te shfaqë potencialin e vet, por pragmatizmin e saj, kjo dhe për faktin se Argjentina e mbylli ndeshjen me dy lojtarë më pak. Hera e tretë për Gjermaninë si Kampione e Botës: 1954, 1974 dhe 1990!

 Hames Gonzales i Kolumbisë fiton “Këpucën e Artë” me 6 gola

 Shkodra Mustafi, shqiptari i parë që shpallet Kampion Bote

  Portieri Manuel Nojer i Gjermanisë fiton “Dorezat e arta”

 Lionel Mesi i Argjentinës fiton “Topin e Artë”

Shakira ndez finalen. Merkel e Putin në “Marakana”

 Mbrëmja festive e Marakanasë nisi me Ceremoninë Mbyllëse të “Brazil 2014”, që zgjati rreth 20 minuta. Në fushë e blertë të “Marakanasë”, e mbuluar me flamurin gjigant të Brazilit performoi shkolla e vallëzimit të Sambas, me balerinët që mbanin në duar flamujt e 32 vendeve pjesëmarrëse në botëror. Momenti më pikant i mbrëmjes ishte performanca “live” e Shakirës, e këngës “Ne do të gjjëm një rrugë”. Bashkëshortja e mbrojtësi të Barcelonës, Xherard Pike, që prej 2006 është bërë pjesë e pandashme e Kupës së Botës.  Këngëtarja kolumbiane u shoqërua nga braziliani Karlinjos Broun. Më pas u ngjitën në skenë kitaristi meksikan Karlos Santana dhe këngëtarja braziliane Ivete Sangalo. Ngjyrat muzikore u kompletuan me performancën e Uyklef Jean dhe brazilianit Aleksandre Pires. Në skenë u ngjit edhe djali i Shakirës, Milan, duke kënduar këngën Brazil. Në listën e të ftuarve “VIP” ishin midis të tjerëve, Presidentja e Brazilit, Dilma Rusef; Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

25 milionë euro për Kampionin e Botës

 “Brazil 2014” ishte turneu më i kushtueshëm i historisë së Botërorëve por dhe një nga më fitimprurësit për FIFA-n, që do të shpërndajë një pjesë të fitimeve për protagonistët e tij. Nga rreth 3 miliardë e 300 milionë Euro të arkëtuara nga FIFA nëpërmjet të drejtave televizive, sponsorizimeve dhe akordeve publicitare, vetëm 300 milionë do të shpërndahen si çmime për 32 skuadrat pjesëmarrëse. Vendi i parë, kampionët e Botës marrin dhe çmimin e parë, 25 milionë Euro, 3 milionë Euro më tepër nga sa iu paguan Spanjës për fitoren në Botërorin “Afrikë e Jugut”. Nënkampionët fitojnë 18 milionë Euro, ndërkohë që Holanda e medaljes së bronztë fiton 16 milionë Euro, ndërsa Brazili që nuk arriti të ngjitej në podium merr 14.7 milionë Euro. Që nga Afrika e Jugut në Brazil në aspektin e shpërblimeve nuk ka ndryshuar asgjë për skuadrat që arritën në çerekfinale, të cilat përfitojnë nga 10 milionë Euro, si dhe për ato që arritën në 1/8-t të cilat marrin nga 6.6 milionë Euro e po ashtu edhe për kombëtaret që u ndalën në fazën e grupeve që përfitojnë nga 5.9 milionë Euro. Veç të tjerash FIFA do të paguajë nga një bonus prej 1 milionë e 100 mijë Eurosh për të 32 skuadrat pjesëmarrëse si rimbursim për kostot e përgatitjes së turneut, udhëtimet, akomodimin e të tjera. Problemet për shpërblimet në drejtim të Federatave afrikane nuk munguan as në këtë edicion, Kameruni shkoi në Brazil me një ditë vonesë, pasi futbollistët refuzuan të niseshin pa u paguar më parë, Nigeria kërcënoi të mos zbriste në fushë për ndeshjen e 1/8-t me Francën pasi nuk kishte marrë ende shpërblimin për avancimin në fazën e ndeshjeve me eliminim direkt. FIFA ka ndarë veç dhe një fond prej 50 milionë Eurosh, si rimbursim për 736 klubet që kishin futbollistët e tyre në këtë Botëror. Çdo klub fiton nga 2 mijë Euro për çdo ditë impenjimi në Brazil të një lojtari në pronësi të tij.