A do t’i mundë dot spanjolli Rubio, 13 shqiptarët?

631
Sigal

Është trajneri i vetëm i huaj në Superligë. Sezonin e kaluar fitoi Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë

Gjatë sezonit të kaluar, në Kagegorinë Superiore drejtuan katër trajnerë të huaj: çeku Stanislav Levi (kampion me Skënderbeun), italiani Mauro De Vekis (nuk ia doli t’i sigurojë mbijetesën Kamzës), kosovaro-turku Naxhi Shensoj (la përshtypje shumë të mira në drejtimin e Bylisit) dhe spanjolli Hulian Rubio, që në drejtimin e Tiranës, arriti të fitojë Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë (në dy finale dramatike me Tiranën). Në sezonin, që do të nisë vetëm pas 15 ditësh (më 25 gusht), spanjolli Hulian Rubio është trajneri i huaj vetëm i edicionit 2012-2013, ndërkohë që do të ketë përballë 13 trajnerë shqiptarë. Por, a do t’ia dalë dot që Rubio t’u rrëmbejë atyre titullin kampion, që është dhe objektivi kryesor i një Tirane, që nuk e shijon prej tre sezonesh trofeun e lakmuar, qysh nga kampionati i 70-të Kombëtar, pra sezoni 2008-2009, me Alban Tafajin në bankinë (aktualisht, në rolin e drejtorit teknik).

 KUNDËRSHTARI I SUPERKUPËS

Rubio firmosi një kontratë dyvjeçare, me një pagë vjetore që i kalon 100 mijë eurot (e majme për një trajner në Shqipëri). Sprova e parë e tij do të nisë, më 19 gusht kur do të luhet edhe finalja e Superkupës së Shqipërisë, e dyta rresht për spanjollin. Si për ironi të fatit, do të ketë përballë sërish (kampionin) Skënderbeu, të cilin e mundi në dy finalet e mëdha të sezonit të kaluar: Superkupë (gusht 2012) dhe Kupë (maj 2013), të fituara të dyja 1-0, dhe me të njëjtin autor golash, Bekim Balajn, ky i fundit luan tanë në Çeki, me Spartën e Pragës. Intriga bëhet edhe më e madhe, pasi përballë Rubios do të jetë Mirel Josa, një ish-trajner i Tiranës, e që ka fituar titullin me bardheblutë në sezonin 2003-2004. Një 90-minutësh i ndezur, për më tepër që do të luhet në “Qemal Stafa”. Vështirë ta parashikosh, që tani. Fakt, është, se nëse Rubio e njeh dhe e ka ndërtuar vetë skuadrën, Mirel Josa është në ditët e para të rikthimit të tretë në Korçë, duke pasuar çekun Stanislav Levi, ky i fundit e drejtoi skuadrën korçare në Ligën e Kampioneve, por pa mundur të kalojë hungarezët e Debrecenit.

 KUNDËRSHTARËT E KAMPIONATIT

Nëse Superkupa, aq e dëshiruar nga Skënderbeu, është vetëm një “aperitiv”, në 26 javët e kampionatit, Rubion do ta presin trajnerë me përvojë dhe që kanë fituar tituj kampionë. Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, është më i titulluari nga 13 teknikët që do të drejtojnë në këtë sezon. Ka fituar katër tituj kampionë, tre prej tyre me Tiranën: 1994-1995, 1999-2000 dhe 2006-2007, si dhe një me Dinamon (2009-2010). Nuk ka asnjë dyshim se, Muça di të ndërtojë skuadra fituese dhe që do të jetë një koleg i vështirë për Rubion. Një tjetër trajner kampion është dhe Shpëtim Duro. Tekniku, i cili fitoi me Besën e Kavajës, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë (2010), është dhe njeriu që riktheu titullin kampion në Korçë pas 78 vitesh (në sezonin 2011-2012), duke kompletuar punën e nisur nga Muça. Ilir Daja është një tjetër trajner që e ka shijuar titullin kampion, madje dy herë: me Elbasanin, në sezonin 2005-2006 dhe Dinamon, në sezonin 2007-2008. Këtë sezon, Ilir Daja do të drejtojë Besën e Kavajës, të rikthyer me ambicie në Kategorinë Superiore, pas “stazhit” në të Parën. Hasan Lika do të jetë sërish në bankinën e Teutës, skuadër më të cilën doli nënkampione e vendit, ashtu si dikur kur drejtoi Partizanin në sezonin 2007-2008. Përveç Armando Cungut, që debuton me Kukësin, duhet përmendur se me përvojë janë dhe Agim Canaj (Bylis), Kristaq Mile (Tomori), ndërkohë që eksperiencë kanë fituar edhe Ernest Gjoka (Apolonia), Gugash Magani (Shkumbini, nënkampion me Flamurtarin), Përparim Daiu (Laçi), Nevil Dede (Luftëtari).

Trajnerët në sezonin 2012-2013

 Apolonia        Ernest Gjoka    (i ri)

Besa            Ilir Daja       (i ri)

Bylis           Agim Canaj      (i ri)

Flamurtari      Shkëlqim Muça   (i konfirmuar)

Kastrioti       Artan Mërgjyshi (i ri)

Kukësi          Armando Cungu   (i ri)

Laçi            Përparim Daiu   (i konfirmuar)

Luftëtari       Nevil Dede      (i konfirmuar)

Shkumbini       Gugash Magani   (i ri)

Skënderbeu      Mirel Josa      (i ri)

Teuta           Hasan Lika      (i konfirmuar)

Tirana          Hulian Rubio    (i konfirmuar)

Tomori          Kristaq Mile    (i ri)

Vllaznia        Shpëtim Duro    (i ri)

 Trajnerët me tituj kampion

 Shkëlqim Muça        4    (3 Tirana, 1 Dinamo)

Ilir Daja            2    (1 Elbasani, 1 Dinamo)

Shpëtim Duro         1    (1 Skënderbeu)

Mirel Josa           1    (1 Tirana)

 Pesë trajnerë të rikonfirmuar

 Nga 14 skuadra, vetëm pesë prej tyre kanë konfirmuar trajnerët më të cilën mbyllën sezonin e kaluar: Tirana (Hulian Rubio), Teuta (Hasan Lika), Flamurtari (Shkëlqim Muça), Laçi (Përparim Daiu) dhe Luftëtari (Nevil Dede). Nëntë skuadrat e tjera kana trajnerë të rinj.

 Haxhiosmanoviç-Levi, kampionët e huaj në Shqipëri

 Nga viti 1996 dhe deri në ditë tona, në Shqipëri kanë punuar 27 trajnerë të huaj, por vetëm dy prej tyre kanë mundur të fitojnë titullin kampion: malazezi Dervish Haxhiosmanoviç, që e fitoi me Vllazninë në sezonin 2000-2011, nën presidencën e të ndjerit Myftar Çela, çeku Stanislav Levi me Skënderbeun (2001-2012) me presidentin Agim Zeqo. Edhe boshnjaku Bllazhko Slishkoviç me president Refik Halilin, mund të konsiderohet një fitues kampion, pasi Tirana nën drejtimin e tij të Agustin Kolës dhe më pas të Alban Tafajt, fitoi kampionatin e sezonit 2008-2009. Përsa u përket fitimit të Kupës së Shqipërisë janë rumuni i Dinamos, Aurel Cikleanu në sezonin 2002-2003 dhe kroati i Tiranës, Misho Krstiçeviç (2010-2011) i cili pasoi Sulejman Starovën dhe Nevil Deden fitoi Kupën e Shqipërisë, si dhe spanjolli Hulian Rubio, që fitoi Kupën e Shqipërisë (2011-2012). Superkupën e kanë fituar hungarezi Miklosh Temeshvari me Tiranën (2001), kroati Ilija Lonçareviç me Tiranën (2009), kroati Zlatko Daliç me Dinamon (2010) dhe spanjolli Hulian Rubo me Tiranën (2011).

Shqipëria e futbollit, si OKB-ja

 Teksa Zihni Gjinali apo Enver Shehu fitonin tituj me Dinamon apo me Partizanin para viteve 1990, askush prej tyre nuk do ta besonte se, në Shqipërinë e pas viteve 1990 do të vinin për të drejtuar dy klubet më me shumë tituj në Shqipëri, trajnerë kroatë, gjermanë, apo nga Argjentina e largët. Gjithsej, nga argjentinasi Kempes i vitit 1996, e deri te italiani De Vekis, në vitin 2012, në Shqipëri, 27 trajnerë të huaj. Shumë pak trajnerë të huaj kanë arritur të fitojnë trofe kampionatesh, kupash dhe superkupash në Shqipëri. Në fakt, trajneri i parë i huaj që ka punuar në Shqipëri, në drejtimin e një klubi është hungarezi Samo Singer, në vitet 1934-1935. Atij, i atribuohen (edhe pse jo zyrtarisht) dy tituj kampionë me Tiranën. Në Shqipëri ka ardhur te Partizani, rumuni Bolanesku, ndërkohë që te të kuqtë ka punuar edhe sovjetiku Nikoai Lukshnikov. Aventura e shumëpaguar e trajnerëve të huaj në Shqipëri, fillon me argjentinasi Mario Kempes që drejtoi për disa muaj te Lushnja, erdhi në gusht të viti 2006 dhe u largua vetëm pas pak muajsh, më saktësisht më 4 nëntor 2006, i “arratisur” pak muaj përpara shpërthimit të krizës së piramidave. Gjatë sezonit të kaluar 4 nga 14 skuadrat e Superligës patën në drejtimin e tyre trajnerë të huaj. Spanjolli i Tiranës, Hulian Rubio dhe kosovaro-turku i Bylisit, Naxhi Shensoji, drejtuan nga java e parë. Çeku i Skënderbeut, Stanislav Levi erdhi në javën e 5-të, ndërsa italiani i Kamzës, Mauro De Vekis drejtoi nga java e 14-të. Kësaj liste i shtohen italiani Menikini (Tirana), argjentinasi Paskuli (Dinamo), kroati Kataliniç (Dinamo) rumuni Silviu Dumitresku (Apolonia, Besa).  Në sezonin 2008-2009, në Superligë drejtuan këta trajnerë të huaj: kroati Zllatko Daliç (Dinamo), Sllavko Kovaçiç (Flamurtari), Blazh Slishkoviç (Tirana) dhe Esad Karishik (Apolonia). Asnjë nga këtë nuk e përfundoi apo e bëri të plotë edicionin.  Kroati Slavko Kovaciç ishte ndihmësi i ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, Oto Bariç, madje drejtoi tri ndeshje të Përfaqësueses: Shqipëri-Slloveni 0-0, Shqipëri-Bjellorusi 2-4 dhe Rumani-Shqipëri 6-1 (për eliminatoret Euro 2008). Në sezonin 2009-2010, drejtoi te Tirana kroati Ilija Lonçareviç. Në sezonin 2010-2011, Mojash Radonjiç drejtoi Vllazninë, por vetëm për tetë javë. Gjatë atij sezoni drejtuan edhe argjentinasi Luis Manuel Blanko te Dinamo (16 javë), maqedonasi Nikola Ilievski te Bylisi (javët 5-24) dhe kroati Misho Kristeçeviç te Tirana (javët 20-33) dhe boshnajko-serbi Esad Karishik. Duke parë kombësinë e 27 trajnerëve, janë 14 të tilla, ku mbizotërojnë ata kroatë (6) dhe çuditërisht ata… argjentinas (4). Kështu tek Dinamo kanë drejtuar kroatët:  Luka Bonaçiç, Ivan Kataliniç, Slavko Kovaçiç dhe Zlatko Daliç; tek Tirana kanë qenë Ilija Lonçareviç dhe Misho Kristeçeviç. Argjentinasit kanë punuar në dy skuadra: 3 te Dinamo (Pedro Pablo Paskuli, Ramon Kabrero dhe Luis Manuel Blanko) dhe 1 te Lushnja (Mario Kempes). Italianët janë tre: Ticiano Gori (Erzeni, Partizani), Leonardo Menikini (Tirana) dhe Mauro De Vekis (Kamza). Dy boshnjakët janë sistemuar te Tirana: Enver Haxhiabdiç dhe Bllazho Sllavkoviç, dy rumunët janë shpërndarë: Aurel Cikleanu (Dinamo, Lushnja) dhe Silviu Dumitresku (Apolonia, Besa). Mali i Zi prezantohet me Dervish Haxhiosmanoviçin (Vllaznia, Erzeni) dhe Mojash Radonjiçin (Vllaznia). Tetë shtete të tjera kanë nga një përfaqësues: Hungaria me Miklos Temeshvarin (Tirana); Bullgaria me Nikolai Arabovin (Partizani, Flamurtari, Naftëtari); Gjermania me Ulrih Shulsen (Vllaznia), Serbia me Esad Karishikun (Apolonia, Elbasani); Maqedonia me Nikola Ilievskin (Bylis); Spanja me Hulian Rubion (Tirana); Kosovë/Turqi me Naxhi Shensoin (Bylis) dhe Çekia me Stanislav Levin (Skënderbeu).