646
Sigal

OPINION/ Rast i paprecedent në futboll, në dy javë kampionat largohen katër trajnerë

Vera e nxehtë duket se po e mban të tillë edhe ritmin e futbollit shqiptar, kryesisht në Kategorinë Superiore. Thënë më qartë, në dy javët e para të kësaj kategorie elitare të futbollit shqiptar, kanë lëvizur jo pak, por 4 trajnerë, ndërsa në horizont deri më 15 shtator që do të luhet java e tretë, pritet që të “shkundet” edhe bankina e pestë. Pra, në nisje të “këstit të parë” të Kampionatit, rrethi i trajnerëve nis dhe ngushtohet në maksimumin e tij. Një statistikë e frikshme për pasojat që do të bien në “shpatullat” e futbollit tonë, të cilin fenomene të tilla me lojëra trajnerësh po e mbajnë në “karantinë”. Ky treg informal që rrokulliset në dy javët e para, na servir edhe trajnerë informalë, pasi janë vetë këta që janë bërë palë për raste të tilla, unikale vetëm për topkëmbën shqiptare. Në rast se këtë fenomen do ta vështrojmë në aspektin e cilësisë që kërkon futbolli ynë i brishtë, kjo duket si një telenovelë e vjetërsuar, së cilës i është mësuar fillimi dhe fundi. Kësisoj, duket qartë se ekziston një treg dhe një ç’organizim, të cilët duken informalë në formë dhe në përmbatje, ku realisht “luajnë” ata që futbollin e kanë kthyer në “çil e mbyll”. Në gjithë hapësirën e futbollit shqiptar, shohim këtë lojë bajate me këtë emër, e cila mesa duket i ka rrënjët edhe tek morali i dobët profesional që kjo kategori bart në përgjithësi, si edhe tek amullia që ekziston në tregun e gjetjes dhe të vendosjes së tyre në drejtim e skuadrave. Kjo lojë që e informalizon shumë këtë post, por edhe që i zhvesh qartë se sa vlejnë disa prej këtyre trajnerëve që prishin edhe tregun.

Si përzgjidhen trajnerët?

Është fare e qartë se përzgjedhjen e trajnerëve e bëjnë presidentët e skuadrave, e në mungesë të tyre drejtuesit e klubeve, të cilët nisur ndoshta nga emri i një trajneri, apo nisur edhe nga tarafe të tjera, vendosin në bankinën e skuadrës së tyre një trajner. Thonë se ka një “lob” që i bën pazaret e trajnerëve në një kafene, dhe prej aty mund të mësosh se ku do të shkojë X-i dhe kur do të shkarkohet Y-ni. Pra, ekziston një konkurrencë absolutisht e padrejtë, ku shpesh kuptohet se kush specialist futbolli del i fituar! Ndërsa kriteret e vendosjes së një trajneri në këtë post janë shumë të sakta, por kush pyet për kriteret, edhe në se i plotëson X trajner, kur ai është shumë i paaftë. Por, të mos themi se vetëm trajnerët janë të paaftë, sepse “loja e kungulleshkave” që presidentë të skuadrave bëjnë me bankinat, duket se ata nuk janë “rritur” për të menaxhuar standarde të reja në drejtimin e skuadrave. Jo gjithmonë faji është i trajnerëve, kur në një skuadër ka probleme!

Sa japin trajnerët?

Nuk mund të mendosh se një trajner do të japë efektet e punës së tij për një periudhë një, dy apo tre mujore. Jo vetëm në Superiore nuk mund të ndodhë kjo, por as edhe në kategoritë e tjera më të ulta ku normalisht niveli është edhe më i ulët. Por, kur një trajner hidhet e dridhet në dy-tre skuadra gjatë një sezoni, sikur edhe Guardiola e Murinjo të ishte ai, nuk do të kishte asnjë sukses në skuadrat shqiptare, ku realisht mungojnë shumë talentet që bëjnë diferencën dhe i bëjnë zgjidhje situatave në lojë edhe pa trajnerin. Nga ana tjetër, është e vështirë të mësosh se një trajner në aktivitet në futbollin tonë arrin të lexojë një literaturë të kohës dhe atë ta përshtatë menjeherë në skuadrën ku drejton në periudha kohe të limituara. E thënë më troç, pjesa më e madhe e këtyre bankinave mbetet “rob” i gazetave sportive, ku duke lexuar e dëgjuar gazetën mediat, mediokriteti mbetet i ulur këmbëkryq mbi skuadrën. Prandaj edhe niveli ynë në futboll po mbetet gjithmonë në një stanjacion duke e mbajtur atë “me frena dore”, njëherësh, vetë kjo kategori me këto preformanca profesionale e morale, bëhet “pre” e presidentëve në çdo moment që ata e kërkojnë.

Sa i pyesin trajnerët?

Nga kontaktet me shumë trajnerë të Superiores, por edhe me specialistë të ndryshëm të futbollit, është mësuar se në mbi 60% të skuadrave, formacionin e bën paraprakisht presidenti i skuadrës, apo edhe kryetari i bashkisë! Kjo është shumë e saktë dhe kujt trajner nuk do t’i shkonte për mirë, mundet që t’i japim më konkretisht ndeshjen, formacionin e presidentit të tij dhe rezultatin ndryshe nga sa mundet të arrihej. Pra, në të tilla situata trajnerët dalin si “manikinë” që vetëm në stërvitje janë të parët me skuadrën, ndërsa në vendimmarrjet e tjera janë vetëm zbatues të porosive nga lart. Edhe pse kjo formë nuk ekziston në disa ekipe, duke qenë prezente në pjesën më të madhe të tyre, ajo vret shumë. Sepse edhe ato fakte që janë mësuar, kanë dalë nga stafet drejtuese të skuadrave, nga shokët dhe miqtë e presidentëve dhe të trajnerëve, të cilët herë me ironi dhe herë me keqardhje, tregojnë se sa i doli rezultati presidentit në ndeshjen kur ai e bëri formacionin e skuadrës. Ndoshta në këto dy javë kemi pasur edhe situata të tilla, përderisa lëvizjet e tyre janë të një logjike jashtë misionit të futbollit.

Pse s’flasin kur largohen?

Kur shkarkohen trajnerët në Kategorinë Superiore, ose do mërmëritin nëpër dhëmbë ndonjë shprehje që askujt nuk i vlen, ose shfajësohen duke thënë se e kanë bërë punën e tyre. Por që të dalë sikur edhe njëri dhe të demaskojë ato fakte pas kuintave, askujt nuk ia mban. “Ç’më duhet të flas, nesër do të jem përsëri treg i atij presidenti”, është kjo ligjërata e drejtë e dalë sezonin e kaluar nga goja e disa prej ish-trajnerëve të shkarkuar, të cilët pas shkarkimit, pas një, dy apo tre javëve janë gjendur si fitimtarë në një skuadër tjetër, po të Superiores. Por frika e mosfoljes shkon deri aty, sepse pjesa më e madhe e trajnerëve në Superiore nuk kanë kontrata të rregullta me presidentët e skuadrave, duke punuar më shumë në të zezë. Prandaj, duke qenë ata informalë, edhe prodhimtaria e tyre do të jetë në këtë situatë, gjë që po e shohim nga sezoni në sezon.

Përfundimi moral!

Asnjë trajner shqiptar nuk ka bërë qytetarinë që, kur ka dështuar në një skuadër të deklarojë fajësinë e tij profesionale dhe dëmin që i ka shkaktuar skuadrës dhe drejtuesit që ka shpenzuar milionat. Nga ana tjetër, asnjeri që e quan veten trajner në Superiore, nuk ka pasur guximin qytetar dhe profesional që të tregojë publikisht “pse”-të e largimit të tij. Se të thuash vetëm se “…Jap dorëheqjen e parevokueshme”, kjo nuk është bindëse edhe për një maturant që luan futboll, pasi edhe vetë dorëheqja e ka një shkak që duhet bërë publik, dhe që së pari duhet të jetë profesional, më pas financiar apo moral. Kështu, trajnerë të tillë nuk i shërbejnë futbollit në fushë e jashtë saj, por vetëm interesave të tyre të errëta financiare! Kësisoj, a është e drejtë të themi se: “Çorba” me bankinat, është një start me erë të rëndë për Superioren?”

  Shoqata Kombëtare e Trajnerëve të Futbollit

Vetëm nëpër Asambletë e FSHF-së mund të mësosh se ka edhe një Shoqatë trajnerësh, ku një përfaqësues i tyre ka një votë të plotë në zgjedhjen e forumeve drejtuese të institucionit të futbollit tonë. Por, asnjëherë nuk kemi parë e lexuar që kjo shoqatë të verë “gishtin mbi këtë plagë”, qoftë edhe për të justifikuar atashimin e saj në FSHF. Nga ky fakt del qartë se informaliteti me këtë pjesë të rëndësishme të futbollit tonë është vertikal, nga lart, poshtë. Inekzistenca me ose pa qëllim e shoqatës në fjalë, nisur nga pasione të çastit apo edhe arsye të tjera, nuk duket se kanë lidhje me atë futboll që mediatikisht predikojnë trajnerët tanë.

  LËVIZJET E TRAJNERËVE

Flamurtari largon Shkëlqim Muçën dhe merr Hulian Rubion

Nga Tirana largohet Hulian Rubio, në projekt kroati Ilija Lonçareviç

Laçi largon Përparim Daiun dhe merr Stavri Nicën

Teuta largon Hasan Likën dhe mendon për Gugash Maganin, i cili është në drejtimin e Shkumbinit, që nga ana tjetër do të “trazojë” edhe një bankinë tjetër të Superiores

 Luftëtari, një ndeshje pa shikues

Edhe Ada dhe Butrinti do te luajne nga nje takim pa spektatore

 Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit vendosi të ndëshkojë Luftëtarin, më një ndeshje pa shikues në stadiumin e tij (në bazë të nenit 66.3/a të Kodit të Drejtësisë Sportive), pikërisht atë kundër Tiranës (java e 4-t), për shkak të hedhjes së mjeteve ndezëse në fushwn e lojës, gjatë takimit Luftëtari-Teuta, të përfunduar me rezultatin 4-1, që solli edhe shkarkimin e trajnerit të ekipit durrsak, Hasan Lika. Klubi i Luftëtarit mori edhe një ndëshkim tjetër, pasi zëvendëstrajneri Neritan Novi u pezullua për tetë ndeshje nga aktiviteti për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të takimit në fjalë, si dhe u dënua më 500 mijë lekë gjobë. Pas ndeshjeve të javës së parë, Tomori u ndëshkua me katër ndeshje pa shikues, ndërsa Vllaznia me një. Dënimet e Disiplinës u shtrinë edhe në Kategorinë e Parë: Butrinti do te zhvillojë një ndeshje pa shikues, për hedhje të sendeve të forta, ndërkohë që të njëjtin dënim do të vuajë edhe Ada, për futje të personave të paautorizuar në ndeshjen e humbur ndaj Partizanit. Dy zyrtarë të Adës, presidenti Lazër Matija dhe Alfred Pjetri, për sjellje jo sportive dhe kërcënim ndaj zyrtarëve të ndeshjes, u dënuan me nga dhjetë ndeshje pezullim, si dhe me nga 500 mijë lekë gjobë. Zyrtari i Pogradecit, Anest Lito, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes u pezullua tetë ndeshje dhe 250 mijë lekë gjobë. Përsa u përket dënimeve të lojtarëve, Ermal Gega i Besëlidhjes u pezullua katër ndeshje, Endri Halilaj i Elbasanit, po me katër ndeshje.

DËNIMET E KËTIJ SEZONI

TOMORI

Katër ndeshje pa shikues

VLLAZNIA

Një ndeshje pa shikues

LUFTËTARI

Një ndeshje pa shikues