Sevo Tarifa: Për Kastriot Hadërin, ushtaraku dhe artisti i letrave

758
Sigal

A do veproje dhe ti si Kastrioti nëse do gjeje para në rrugë?

Nga Sevo Tarifa

Duke ecur rrugës në kryeqytet, qytetari Kastriot Hadëri pa një portofol. Zgjati dorën dhe e mori. E hapi dhe pa se brenda kishte dokumente të rëndësishme personale dhe 28.000 lekë! Si veproi ky qytetar i ndershëm? Mund të merrte paret, të griste dokumentet e të mos tregonte fare, siç kanë vepruar të tjerë. Por ai s’bëri kështu. Duke u konsultuar me një shok të tij, i hyri një pune të vështirë kërkimore për të gjetur të zotin e portofolit!

Atë natë nuk bëri gjumë, e vuri veten në punë!

Dhe ra në gjurmë. Sipas adresës që kishte në një dokument, “çau e ndau”. Duke u nisur nga rrethi dhe mbiemri , u telefononte familjeve me të njëjtin mbiemër deri sa gjeti adresën konkrete të personit. Ishte Xh. B., një grua, banuese në Korçë. Atë ditë ajo ishte larguar nga Tirana për Korçë dhe nuk e kishte ndier që diku i kishte rënë portofoli. U befasua kur iu tha se “e kam gjetur unë”! Të dy nuk e njihnin njëri-tjetrin. Dhe lanë takim që “prona të shkonte te i zoti”. Takimi do të bëhej në Tiranë. Në pamundësi që ajo të vinte përsëri nga Korça në kryeqytet, u nis i ati i saj. Meqë nuk e njihnin njëri-tjetrin, lanë vendin, ditën, orën, shenjat, parullën dhe, pasi u bindën se janë ata, u takuan si të ishin të njohur. Korçarit iu dorëzua portofoli. Pinë bashkë kafen. Kryefjala ishte faleminderit! Kastrioti bëri atë që dikush tjetër mund të mos e bënte.

Kush është Kastriot Hadëri?

Është nipi i dy Heronjve të Popullit: Shefqet Peçi e Çelo Sinani. Sa bukur kombinon gjesti moral njerëzor i Kastriotit me lavdinë e njerëzve të tij heronj! Është nga Medari i Picarit. Njeri human, fabulist e poet i talentuar. Pena i këndon në duar dhe përzihet me melodinë e bukur të polifonisë labe! Fshatlindja e tij është Medari i Picarit në Gjirokastër. Ta shikosh këtë fshat nga disa pika të rrugës kombëtare, nga Votucat ose nga Fusha e Lepurit, duket sikur ka “mbirë” në gjoks të malit. Ai është si një ballkon mbi Picar, prej të cilit ke përpara një panoramë të bukur, një horizont të gjerë e të gjatë: nga Rrëza e Tepelenës deri në Rrëzë të Libohovës, në Lindje Lunxhërinë, malet Çajup dhe Bureton, në Jug Gjirokastrën, Malin e Gjerë, luginën e bukur të Dropullit dhe lumin “Drino”! Dhe po të shkosh në vend, ndër të tjera, të kënaq një mjedis ngjyrash si të ylberit: bar të njomë e të thatë, shkëmbinj të bardhë e gri, pemë lloje-lloje gjithë blerim dhe lule. Vendi gjelbëron dhe skuqon. Njerëzit janë të fortë si ata gurë dhe stralli. Lule gjithandej. Një Lule mali është dhe Kastriot Hadëri.

Pasardhës veterani. Me virtyte të larta. Nga pamja dhe vitaliteti si një djalosh dinamik kurveleshas. Energjik. I shkathët. Me trup mesatar. I pashëm. I vrullshëm. Truplidhur. Me ecje të shpejt të sorkadhit. Mendjemprehtë. Fytyrëqeshur. Syzi. Janë sy që flasin. Që ndritin. Ka një buzëqeshje të natyrshme. Gjuhëbrisk. Fjalëmjaltë. Dashamirës. Fisnik. Edhe në kushte të vështira të malit, nuk mbeti pa arsim. Filloren e kreu në fshatlindje. Me një “çantë” prej bezeje hedhur në krahë. Dimrit shkonte drejt shkollës duke mbajtur një dru në dorë ndezjen e sobës në klasë. Takonte rrugës ndonjë fshatar dhe e përshëndeste “Mirëmëngjesi”! Dhe ngazëllohej kur merrte përgjigje prej tij. Hyri si dëgjues në klasë në moshën 6-vjeçare, por në fund të vitit mori klasën e parë me rezultate të shkëlqyera! Këto m’i ka treguar miku, bashkëfshatari dhe mësuesi i tij Astrit Çeli. Ku do të shkonte tani ky pionier i dalluar? Çdo bëhej me këtë nxënës të shkëlqyer? Dy ishin rrugët: Të ngjitej malit përpjetë e të shkonte bari me dhen, apo të vazhdonte shkollën më lart e më larg? Atij i qanin sytë dhe zemra për shkollë. Dhe zgjodhi e nisi rrugën e dytë. E vazhdoi tetëvjeçaren në Picar. Ecte vrap gurë më gurë: në shi, në breshër e përmes erës që të priste si brisk. Mbërrinte në shkollë gjithnjë në orar, pa pasur orë. Orë ishte dielli me “hostenët” e tij. E mbaroi me sakrifica edhe këtë shkollë, gjithashtu shkëlqyer! Po tani, çdo bënte adoleshenti Kastriot Hadëri, me kaq shkollë do të mbetej? As prindërit e tij të mirë e të dashur nuk donin ta lënin me një copë tetëvjeçare. Dëshira e tyre puqej me atë të djalit: të vazhdonte rrugën e nisur, të arsimohej. Dhe kështu u bë. Ishte 14 vjeç. Iu qep shkollës industriale të Fierit. Por, për të përballuar shpenzimet, i duhej të mësonte e të punonte. Dy veprime të guximshme njëherësh: mësim dhe punë në prodhim! Me duart e tij të njoma filloi punëtor në Uzinën Mekanike Bujqësore të atij qyteti. Ditët dhe netët për djaloshin e ri, që sapo hyri në organizatën e rinisë, ishin njëlloj. S’kishte natë për të. Natën e bënte ditë. Dhe shkollën profesionale e mbaroi shkëlqyeshëm. Duke mësuar e punuar, iu kalit më tej vullneti. I pëlqente edhe mësimi, edhe puna fizike. I shkriu të dyja këto në një. Por punën e la në mes. Erdhi dita që u thirr nën armë. Veshi rrobën ushtarake. E panë se ç’djalë ishte. Komanda bëri që ai të vazhdojë më lart shkollën. Dhe kaloi nga nxënës në terren, student në ushtri. Pesë vjet vazhdoi studimet e larta në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Edhe këtu i shkëlqyer. Zelli në mësime e shtynte të mos ndërpriste vitet shkollore. Vazhdoi dhe shkolla të tjera: edhe tre vjet në Shkollën e Lartë të Partisë. Edhe tre kurse specializimi në fushën ushtarake. Të gjitha këto shkolla e kurse u kurorëzuan me një shkollë të madhe 25-vjeçare të jetës ushtarake. Një çerekshekulli me uniformën e oficerit të karrierës, me detyra të larta, deri komisar brigade, me gradën nënkolonel. Shërbeu me përkushtim dhe devotshmëri në rrethin kufitar të Gjirokastrës dhe në Tepelenë. E kush nuk e njihte Kastriotin në këto anë? Në radhët e ushtrisë kishte dy armë: pushkën dhe penën. Vullneti, gjallëria, inteligjencia, gjithanshmëria, ishin veçori që spikatën te Kastrioti. Tridhjetë vjet korrespondent-gazetar. Firma e tij lexohej me endje në disa organe, gazeta e revista. Shkruante në gjini të ndryshme. Kryente dhe detyrën e anëtarit të kolegjiumit në disa organe të shtypit. Shkrimet e tij pëlqeheshin për tematikën, përmbajtjen, gjuhën. Merita të veçanta në jetën ushtarake e civile ka si veprimtar shoqëror. Është aktivizuar në disa shoqata atdhetare e kulturore: në atë “Antifashiste”, “Labëria”, të “Dëshmorëve”, në shoqatën e ushtarakëve etj. Disa vjet ka qenë kryetar i degës së shkrimtarëve Pegasi të Tepelenës. Atje ka ndihmuar cilësisht dhe ka lënë gjurma të mira si njeri dhe letrar, duke qenë bashkë me një shok tjetër të penës: mësuesin e tij, doktor neuropsikiatrin, fabulistin e poetin e mirënjohur Izet S. Çulli. Dy fshatrat e tyre, Medarin dhe Progonatin i ndan një mal, por ata kanë qenë dhe janë të lidhur si pena me bojën dhe bashkëpunojnë. Tipar dallues i Kastriotit është të ndihmojë të tjerët: ka redaktuar, korrektuar apo recensuar mbi 70 libra të autorëve të tjerë. Është i rrethuar nga letrarë, poetë e fabulistë, të cilët i shfaqin respektin dhe mirënjohjen për ndihmën që u jep. Pena e Kastriot Hadërit ka ardhur gjithnjë duke u mprehur më tej dhe është bërë si një shpatë! Ka botuar 15 libra, njëri më cilësor se tjetri. Krijimtaria e tij letrare është vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Talenti i tij shkëlqen sidomos në gjininë e fabulës. Edhe kur pushon, mendja dhe lapsi i punojnë për fabula dhe vargje poetike. Dëgjon një bisedë, një episod apo një tregim dhe aty për aty të jep fabula në dorë! Në konkursin ndërkombëtar të zhvilluar në Athinë ka fituar çmimin e parë në gjininë e fabulës. Krijimtaria e tij në fushën e letërsisë nuk është e rastit. Përveç fabulës i jepet shumë edhe për poezi. Ka kryer studime në fushën ushtarake. Ndihmesë e tij është ndier në hartimin e Historisë Ushtarake. Emri i tij si personalitet në punën me letra figuron në Enciklopedinë e Tepelenës e të Kurveleshit. Edhe pse është aktiv në punë, në fushën e letrave dhe në shoqëri, ai është një familjar shembullor. Vetë është si lule mali. Bashkëshortja e tij e ka vërtet emrin “Lule”! Lulja gjeti lulen. Pastaj dy lulet u bënë katër: vajza Ledjana, e cila ka mbaruar për inxhiniere Kimi-Ushqimore dhe djali, Florion, inxhinier në përpunimin e drurit. Është pleksur kështu letërsia me teknikën dhe këndojnë së bashku si një “kuartet”, me qëndrim në katër dhomëzat e zemrës, në familjen e re “Hadëri”!

***

Do të humbisja shumë, po të mos isha njohur me një personazh kaq të mirë si njeri e si krijues në fushën e letrave! Edhe pse jemi të një krahine, nuk na ishte dhënë rasti të bashkëpunonim më parë. Por “deficitet” përpiqemi t’i plotësojmë tani, me objektivin: ta kthejmë “deficitin” në “suficit”! Bashkëpunojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin në krijimtari. Kemi bërë një “marrëveshje”: Ai të “derdhi” energjitë djaloshare dhe unë “të zbraz” arkivin e kohës që kam në kokë, si veteran i Luftës dhe gjysh e stërgjysh!