Mustafa Koçerri: Për blegtorët që i japin jetë fshatit Vërmik

553
Sigal

Shkak për këtë shkrim u bë biseda më 13 qershor të këtij viti me njeriun tim në Babicë të Vlorës, Sulo Koçerrin, të cilin po e pyesja, si ishin dhe, midis të tjerave, ai më tha: Jam rrugës duke u kthyer për në shtëpi, pasi kishte qenë duke ecur në këmbë deri në urë të Drashovicës, për të shoqëruar e ndihmuar bashkë me disa persona të tjerë, në shtegtimin e bagëtive të tufës me dhi të Lesko Alimuçit dhe Rait Alimuçit për në fshatin e Vërmikut, i cili ndodhet afërsisht 58 kilometra larg. Pozicioni i këtij fshati favorizon në mënyrë të veçantë mbarështimin e bagëtive të imta, ku jo vetëm faqet e maleve, por edhe ato të përrenjve dhe grykave janë të veshura me llojshmëri të ndryshme drurësh të ndryshëm, të cilat janë një bazë e mirë për kullota, ashtu sikurse ka edhe shumë sipërfaqe të mëdha me kullota alpine.

Duke mbajtur parasysh sipërfaqen e territorit të këtij fshati, numri i krerëve të të imtave dhe bagëtive të tjera që në kohët më të hershme ka qenë i konsiderueshëm. Kështu nga dokumente të ndryshme del se në regjistrimet e bëra në vitin 1431 numri i krerëve të bagëtive ka qenë 13.000 krerë, më 1847 -15000;1910 – 4000; 1913 – 6730; 1955 – 4870; 1957 – 4750 dhe më 1991 kur u ndërrua sistemi u ndanë 1200 dhi dhe 250 dele. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Vërmiku pati 2000 krerë të imta të dëmtuara, si të grabitura, të vjedhura, të vrara etj., 45 kafshë dhe 750 bletë çka tregon për numrin jo të vogël që kanë pasur banorët e këtij fshati. Pas vitit 1991 banorët e Vërmikut në kërkim të një jete me kushte më të mira u larguan në vende të ndryshme ku me sakrifica dhe mund të madh ndërtuan jetën pothuajse nga e para. Por, duke parë mundësitë e mbarështimit të blegtorisë në fshatin e tyre si dhe traditën e trashëguar nga të parët, disa prej tyre filluan të shtojnë numrin e krerëve të bagëtive dhe iu kthyen përsëri punës në Vërmik. Midis shumë prej tyre unë munda të bisedoja këto ditë me njërin prej tyre, me Lesko Alimicin, ku shkurtimisht më tregoi, për vuajtjet, lodhjen, mundimin, sakrificat e për jetën e vështirë që bëjnë gjithë vitin, por në mënyrë të veçantë në momentin e nisjes për të shtegtuar, rrugën e gjatë që përshkruajnë kushtet e jetës atje ku banojnë në Vërmik etj. Ai më tregoi për lodhjen gjatë gjithë ditës duke shoqëruar bagëtitë, nëpër male e faqe shkëmbore të rrezikshme për jetën dhe deri në mjeljen e tyre, përpunimin e bulmetit dhe shitjen e tij. Ditën që ai u nis për të shtegtuar për në Vërmik ishte ora 17, gjë e cila e mundësonte udhëtimin tërë natën në këto ditë të nxehta të qershorit. Mas disa orësh udhëtim në këtë ditë me temperatura të larta, kur ishin afruar buzë lumit të Shushicës në afërsi të Drashovicës edhe qentë e kopesë nuk duruan dot, por u futën në lumë për të pirë ujë e për t’u freskuar. Udhëtimi ka vazhduar gjithë natën, duke bërë edhe ndalesa për t’u çlodhur si bagëtitë ashtu edhe vet njerëzit që i shoqëronin. Mbasi kanë arritur në Vërmik në një udhëtim kaq të lodhshëm e të gjatë, në orën 20 të mbrëmjes kanë mundur t’i mbledhin e t’i sistemojë bagëtitë në vathë. Një pjesë të punëve Leskos ia bën edhe bashkëshortja e tij Elisabeta, një labe punëtore, e cila nuk i ndahet duke vajtur edhe ajo në Vërmik nga fillimi i shtegtimit deri në muajin tetor. Ai banon në shtëpinë që kanë pasur para se të largoheshin nga Vërmiku, duke ia bërë disi më të lehtë jetesën. Edhe në ato kushte ai e përpunon vet qumështin e dhive duke prodhuar një djathë dhe nënprodukte të tjera të cilësisë së lartë e që i kërkohet nga familjarë e tregtarë të ndryshëm, ndërkohë që çmimin e ka më të ulët se ai që tregtohet në shumë supermarkete e dyqane në qytet, të pa skremuar, pa vaj palme, qumësht pluhur si dëgjojmë e bëhet nga shumë prodhues të tjerë. “Me prodhimin që kam, tregon ai, nuk mund t’i plotësoj dot kërkesat që kam.” Megjithëse gjëndra shëndetësore e tij nuk është e mire, pasi ka probleme me këmbët dhe zemrën, ai nuk tërhiqet dhe u shërben me pasion dhe merak bagëtive të tij, duke iu shkuar tërë ditën pas edhe nëpër male e faqe shkëmbore, në shi e në diell. Ai i nxjerr për të kullotur në orën 8 të mëngjesit dhe i bie në shtëpi në orën 19 të darkës, ku megjithëse banojnë më shumë se 6 muaj në këtë fshat dhe energji elektrike nuk kanë. Ushtrimi prej shumë vitesh i profesionit të bariut ka bërë që ai të jetë si një “mjek” i mirë veteriner për t’i dhënë ndihmën e shpejtë çdo bagëtie kur është e sëmurë. Që në moshë të re ai ka qenë dhe është dalluar si një bari i mirë, është njeri me vullnet të madh, i papërtuar dhe i sakrificës. Vitin e kaluar shteti na ka dhënë ndihmë, por prapë se prapë pjesën më të madhe të ilaçeve të ndryshme që përdorim dhe na nevojiten i përballojmë vetë me shpenzimet tona, tregon Leskua. Në tufën e bagëtive të Leskos do të gjesh zile të përdorura që nga babai dhe gjyshi i tij. Për kuriozitet vermikasit zilet qe përdornin për bagëtitë i blinin në Janinë dhe si rregull ato bliheshin 12 copë, të madhësive të ndryshme të cilat krijonin melodi të këndshme dhe për t’i dëgjuar e ndjekur më mirë gjatë kullotës. Por si Leskua ka edhe shumë barinj të tjerë, të cilët jetojnë një pjesë të mirë të vitit në Vërmik si Nerqez Alimuci, Aranit Alimuci, Kimet Gjoni, Hysni Tushi, Petro Alimuci, Proletar Gjoni, Viktor Gjoni, Dane Alimuci etj. Disa prej tyre mbarështojnë edhe bletë, të cilat klima dhe llojshmëria e luleve i favorizon, duke prodhuar një mjaltë të cilësisë shumë të mirë dhe të rrallë. Por përveç blegtorëve që shkojnë në Vërmik për të mbajtur bagëti, atje gjatë muajve të verës shkojnë edhe shumë banorë të tjerë vermikas dhe jo vermikas për të mbledhur bimë të ndryshme medicinale si çaj, meletin, rigon e shumë bimë të tjera, të cilët me lekët që nxjerrin nga shitja e tyre ndihmojnë sado pak ekonominë e tyre familjare, duke treguar se vermikasit janë njerëz punëtorë dhe të sakrificave dhe se rrojnë me punën dhe djersën e tyre. Por përveç përfitimit ekonomik nga këta banorë, të cilët punojë e jetojnë me sakrifica dhe në kushte të vështira jetese gjatë periudhës së beharit, ata gjallërojnë dhe i japin jetë vendlindjes së tyre dhe tonës, se atje është origjina jonë. Ata bëjnë që emrat e arave, livadheve, përrenjve, pyjeve, trojeve, shtëpive etj., të mos u harrohet emri, pasi ata i përdorin çdo ditë gjatë komunikimit të tyre me njëri tjetrin, në të kundërtën, nëse nuk do të ishin këta banorë, këto emërtime do të mbeteshin në hartë e për rrjedhojë me kalimin e kohës edhe mund të harrohen fare, ndaj ata meritojnë falënderime dhe mirënjohje.