Liria primitive në Shqipëri

88

Kujtim Drishti

Duket sikur ka ndodhur një keqkuptim. Edhe populli, edhe gazetarët, edhe pushtetarët e kanë reduktuar ekuacionin e demokracisë në barazimin më të thjeshtë të matematikës: Demokraci = Liri e mendimit dhe e fjalës.

Në shëmbëlltyrë, e për hakmarrje të ekuacionit Diktaturë = Mbyll gojën. Tek ne shqiptarët e periudhës post komuniste të hyrë në epokën e demokracisë duket se marrëdhëniet e njerëzve me pushtetin politik drejtohen nga reflekse që ndoshta janë regjistruar në sjelljen e tyre që nga epoka e Turqisë dhe asaj komuniste, sjellje që kaluan nga frika ndaj pushtetit në indiferencën ose mos pasjen punë me pushtetin. Mirëpo Liria + indiferencë ndaj pushtetit = kaos. Ne nuk e ngacmojmë pushtetin ai nuk na ngacmon ne. Duket se ideologjia ose mentaliteti apo morali i shprehjes së famshme të huazuar nga fushë e ekonomisë: “tregu i lirë” ka ngjitur aq fort në mendjen e shqiptarit egoist sa nuk po është në gjendje të merret vesh me shqiptarin egoist përbri tij, jo më për të ndërtuar shtetin demokratik, por as për të mbrojtur idenë e kombit, as për të mbrojtur dinjitetin e Skënderbeut, sheshi përpara të cilit mbulohet nga lutjet në gjuhën arabe nga herët në mëngjes e deri vonë në mesnatë. Në këtë logjikë punojnë dhe mediat në Shqipëri. Liria e fjalës dhe mendimit janë vetëm themelet e një ndërtese që quhet Demokraci. Ne kemi 27 vjet që kënaqemi vetëm me faktin që kemi ndërtuar themelet e nuk pushojmë se iu gëzuari këtij fakti, duke u marrë me çdo gjë tjetër: ( seks, krim, vjedhje, pasion, tradhti që bëjnë përralla të bukura për njeriun e izoluar nga njeriu tjetër) veç jo me ndërtimin e ndërtesës Demokraci. Jo. As ligjin e Drejtësisë as moralin e demokracisë as Të Drejtën për Punë as të drejtën e stomakut të kombit – Ekonominë. Sepse edhe vetë rregullat për ndërtimin e kësaj ndërtese na shqetësojnë, kështu preferojmë të rrimë përjashta. E këtë logjikë e mbajnë fort edhe mediat, të cilat nuk marrin rolin e pedagogut të lirisë e demokracisë, të opozitarit të pushtetit. Ato nuk zbulojnë se ç’bën pushteti. Ato po zbulojnë se ç’kishin bërë njerëzit në pushtet që nuk janë më në pushtet, por jo ata që janë tani. Si konkluzion, liria jonë është shumë tepër primitive për demokracinë që pretendojmë. Shembullin për braktisjen e kësaj lirie primitive kur nuk e jep pushteti duhet ta japin populli dhe mediat. Por, ndërkohë, kaosi i lirisë duket se po i pëlqen të gjithëve, deri sa një ditë të ndodhemi me një fuqi të huaj të ardhur për të na “drejtuar”.