Filip MARKU*/ Ju rrëfej “Heroin e Popullit” Myslym Ketën dhe drejtuesit e talentuar tankistë në dekada

    850
    Sigal

    Drejtuesit e lartë dhe oficerët tankistë, ishin dhe mbeten intelektualë me kontribute në shërbim të vendit

     Kuadrot e tankeve me punën dhe me detyrat e kryera kanë kontribuar brez pas brezi, në rritjen, organizimin, formimin e konsolidimin e reparteve, brigadave, pra në zhvillimin e armës së tankeve. Meritat e kontributet e secilit nuk harrohen, por kujtohen e mbeten të gjalla në historikun e armës së tankeve e mjeteve të blinduara të ushtrisë shqiptare. Ashtu siç e kemi përshkruar më parë, në shërbim të tankeve kanë kontribuar shumë kuadro komandues, inxhiniero-teknik e specialistë. Në fillimin e paraqitjes të kontributeve, dua të veçoj kuadrot; kolonel Myslym Keta – “Heroi i Popullit”, kolonel Adnan Qatipi, gjeneral-major Abaz Fejzo, kolonel Stefan Luarasi, kolonel Aleko Koka, për meritat e veçanta në organizimin, konsolidimin, zhvillimin, modernizimin e armës së tankeve. Të shkruash për kontributin nuk  është vështirë, vepra e tyre gjendet në të gjithë ecurinë e zhvillimit të armës së tankeve qysh me krijimin e saj. Ata mbetën lapidar për shoqërinë tankiste, nën shembullin e tyre u përgatitën, brez pas brezi me dhjetëra kuadro të rinj, komandues e inxhiniero-teknik në shërbim të tankeve. Emri i “Heroit të Popullit” Myslym Keta përfaqëson, jo vetëm komandantin trim të luftës për çlirimin e vendit, por dhe udhëheqësin e organizatorin e përkushtuar për modernizimin e armës së tankeve. I shkolluar në Akademinë e Tankeve në Moskë ka kryer detyra të larta në shërbim të armës së tankeve. Ishte viti 1960, ku unë dhe shokët, Luan Hakani e Zini Kullolli me shërbim në batalionin e tankeve në vartësi të Br4MB, u takuam me zv-komandantin e brigadës kolonel Myslym Keta. Ishte privilegj të punoje me një kuadër të tillë, i thjeshtë dhe i përkushtuar jo vetëm për armën e tankeve por dhe një përkrahës e mbështetës i kuadrove të rinj tankistë. Vdekja e parakohshme në krye të detyrës e ndau nga ne, por vepra e kujtimi i tij do mbeten të paharruara për mua dhe shoqërinë tankiste. Myslym Keta një ndër komandantët e parë të batalionit tankist me përgatitje të lartë profesionale, me ardhjen e teknikës së re për të cilën kishim studiuar, ishte i pari që u interesua për transferimin e kuadrove pranë brigadës së ardhshme në Zall-Herr me komandant kolonel Adnan Qatipi. I emëruar në batalionin e dytë për formimin e tij me komandant kapiten i parë Ismail Kondi, teknik kapiten Astrit Çobani. Jam takuar për herë të parë me komandantin e brigadës, kolonel Adnan Qatipin dhe më vonë në detyra të tjera në Drejtorin e Tankeve dhe të Industrisë Ushtarake të MM. Ai mbetet një nga kuadrot e parë të armës së tankeve me kontribut të veçantë në rritjen, organizimin, modernizimin e armës, në arsimimin e kuadrove komandues e inxhiniero-teknik në shërbim të tankeve. Kontributit t ë tij për çlirimin e vendit nga okupatori i shumëfishohet me përkushtimin e jashtëzakonshëm për zhvillimin e armës së tankeve. Me shkollimin e tij me akademi, me aftësinë e talentin e tij drejtues, kreu detyra të rëndësishme, komandant i Br1T, deri drejtor i Drejtorisë së Tankeve, drejtor i Industrisë Ushtarake pranë MM. Me interesimin e tij u dërguan shumë teknik në fakultetin e inxhinierisë për shkollim të lartë mekanik. Me daljen e tij në pension, ai nuk pushoi së punuari, në detyrën e lavdishme të kryetarit të veteranëve të luftës NÇl, duke organizuar takimet në kujtim të datave jubilare të krijimit të brigadave partizane, pa lënë dhe festimin e krijimit të armës së tankeve, duke e lënë trashëgimi brezave më të rinj. Me vdekjen e tij u shua një lapidar për tankistët, kontributi e meritat e veçanta të tij, nuk harrohen, ato do të mbeten të gjalla në kujtesën time dhe të shoqërisë tankiste. Në vitin 1964, ish- komandant në Br4MB, ku në vartësi ishte “BT -Plepat”, i vjen armës së tankeve, Gjeneral-majori i talentuar, Abaz Fejzo me detyrë komandant i Br1T në Zall-Herr. Duke qenë një ushtarak i lartë, me horizont të gjerë, mbaruar Akademinë Frunze në Moskë, me rezultate të shkëlqyera, studiues e zotërues i katër gjuhëve të huaja, jo vetëm i dha një impuls të mëtejshëm organizimit e konsolidimit të Br1T, por luajti një rol të rëndësishëm në modernizimin dhe zhvillimin në një stad më të lartë të armës së tankeve. Kontribuoi për zhvillimin cilësor të punës ushtarako-shkencore, për shkollimin e lartë të kuadrove si komandues në Fakultetin e Tankeve pranë akademisë, të inxhinierëve pranë shkollës së lartë të tankeve dhe në UShT. Të gjitha këto u realizuan në saj të këmbënguljes e interesimit të Abaz Fejzos. Duke e njohur nga viti 1960 në Durrës dhe më vonë në vitet 1968- 1974 në Komandën e Tankeve dhe Mjeteve të Blinduara ku isha me detyrë, e vlerësoj për kërkesën e lartë të llogarisë dhe për mbrojtjen e kuadrove tankiste. Ishte kënaqësi për mua vizita e tij bashkë me shokun Aleko Koka në shtëpinë e prindërve me rastin e Vitit të Ri. Jeta e vepra e Abazit si nxënës, partizanë, oficerë, studentë, komandantë, gjeneralë dhe tankistë është e ndritur deri në vitin famëkeq 1974, kur u lirua, u internua bashkë me familjen dhe u burgos në burgun e Burrelit ku ndërroi jetë në vitin 1987. Gjenerali më i ri i ushtrisë u nda nga ne në një moshë të re. Për ne tankistët ai mbetet lapidar. Për të gjitha këto, me imtësi e realitet shkruhen në Romanin historik, Luani i kafazit të shkrimtarit Shpendi Hulusi Topallaj. Për mua dhe shoqërinë tankiste, kontributi i Gjeneral- major Abaz Fejzos për armën e tankeve nuk harrohet, por do kujtohet. Ai dhe vepra e tij do mbeten të gjalla në historinë e zhvillimit të armës së tankeve. Ky vit 2014 përkon me dyzet vjetorin e goditjes të kuadrove kryesor të ushtrisë me internime bashkë me familjet, burgosje e pushkatime përfshi dhe Ministrinë e Mbrojtjes, Beqir Balluku, për të cilin ruaj kujtime të paharruara si skënderbegas në jubileun e shkollës të vitit 1957 si dhe më pas oficer. Kolonel Stefan Luarasi, inxhinier-teknik, kuadër i talentuar, novator me kontribut të lartë, në organizimin e përkushtimin për rritjen cilësore të përgatitjes së kuadrove teknikë, për modernizimin e bazës materiale-praktike e teorike, përkthyes i literaturës teknike në shërbim të zhvillimit të armës së tankeve. Në vitin 1962 eksperimentoi dhe realizoi kalimin e tankeve nën ujë. Kontribut të veçante dha në profilin teknik gjatë formimit dhe organizimit të Br1T në Zall-Herr, me detyrën e zv-komandant brigade, në vitet 1963-1964. Me studimet e kryera në BS, për specialitetin e tankeve, caktohet në detyra të ndryshme, zv-komandant regjimenti, shef teknik i komandës së Tankeve, Drejtor i Drejtorisë së Autotraktorëve. Ashtu si partizan e komandant që luftoi me trimëri për çlirimin e vendit nga pushtuesit edhe në sektorin inxhiniero-teknik në armën e tankeve dha një kontribut të veçantë në përgatitjen e kuadrove e të bazës teknike për kryerjen cilësore të shërbimeve për tekniken. Nën shembullin e Stefan Luarasit dolën teknikë, kuadro tankist të përgatitur në shkollën për oficer nga pedagogu i tankeve, novatori Dhimitër Mitrushi, si dhe kuadro të tjerë të shkolluar në fakultetet tona inxhinierike. Kontributi e meritat e Kolonel Stefan Luarasi nuk harrohen, do kujtohen nga ne tankistët, do shkruhen në historinë e zhvillimit të armës së tankeve dhe kujtimi i tij do mbetet i paharruar. Një ndër kuadrot e talentuar me karrierë të shkëlqyer ishte kolonel Aleko Koka. Shkollimi i tij si ushtarak fillon në shkollën e mesme “Skënderbej”, më pas kursin për oficer, në vitin 1960 mbaron Akademinë Ushtarake të Trupave të Blinduara Tankiste në Moskë, në vitin 1974 kryen kursin një vjeçar të shtabeve në Akademinë Ushtarake, Tiranë dhe në vitin 1978 kursin e filozofisë. Anëtar i aktivit shkencor për tanket në shumë studime teoriko-praktike, pjesëmarrës në sesionet shkencore e në hartimin e Artit Ushtarak për përdorimin e tankeve. Kontributi i tij ne armën e tankeve shtrihet në një periudhë të gjatë karriere, nga komandant toge, shef shtabi e komandant batalioni dhe brigade tankiste. Nga viti 1969 duke dorëzuar detyrën e komandantit të brigadës në Elbasan, emërohet shef shtabi i Komandës së Trupave të Blinduara e Tankiste dhe me suprimimin e saj, drejtor i Drejtorisë së Tankeve në MM. Nga viti 1980 deri në vitin 1990 shef i Katedrës së Tankeve në SHLBO. Gjatë karrierës time kam punuar me Aleko Kokën në vitet 1965- 1966 dhe 1969-1974, me një kuadër me aftësi të veçanta në organizimin e punës, komunikimin me kuadrot tankistë, në formimin e konsolidimin e brigadës së tankeve në Elbasan, në aktivizimin e kuadrove komandues e inxhiniero-teknik për punë shkencore dhe në arsimimin cilësor të tyre. Kontributi i tij në zhvillimin e modernizimin armës së tankeve nuk harrohet, por do të kujtohet nga ne tankistët e do mbetet në historinë e armës. Vdekja e tij e ndau nga ne, por ai do mbetet i gjallë për mua e shoqërinë tankiste.

     Ashtu si pesë legjendat, për të cilët u mundova sadopak të nxjerr në pah kontributin e tyre në armën e tankeve, pasi për ta mund të shkruhet shumë, edhe shume kuadro tankistë, që nuk jetojnë si dhe ata që jetojnë, kanë merita dhe kontributi i tyre vlerësohet e do shkruhet në historinë e armës së tankeve. Në shoqërinë tankiste kujtojmë shokët e ndarë nga jeta: Andrea Ziu, Loni Kristo, Ismail Kondi, Lutfi Morava, Kujtim Dajlani, Dervish Alikaj, Astrit Çobani, Hasan Berberi, Vasil Luarasi, Vizhdan Muraj, Vangjo Sopi, Faik Pajo, Petrit Mançe, Demo Liço, Dino Brati, Hilmi Brati, Eduart Shehu, Lili Bullari, Xhenet Muça, Rapi Bufi, Selim Bakiri, Zini Kullolli, Resul Ahmeti, Pëllumb Çakeri etj., të cilët i kam njohur, e shumë tankistë të tjerë, që kanë dhënë kontribut për armën e tankeve, emrat e tyre nuk harrohen, por do kujtohen e do shkruhen në historikun e armës. Me shumë shokë tankistë që jetojnë takohemi shpesh te klubi i Kolit. Bëhet fjalë për Kolonelin, Komandantin e Brigadës Tankiste të Saukut, Koli Koçollari, pedagogun e fakultetit të tankeve pranë Akademisë Ushtarake, zv-drejtor në Drejtorinë e Tankeve të MM. Me daljen në pension, duke marrë me qira ambientin, na krijoi mundësinë, që shumë shokë tankistë me banim në afërsi, si dhe ushtarakët e tjerë të takohemi e të shijojmë kafen ekspres apo turke në shoqërinë tonë. Përveç shokëve, që mund t’i thuash të përherëshmërit, veteranët Petrit Fico, Leandro Zhebro, Neki Bekteshi, Petraq Vangjeli, Bashkim Bakiu, Foto Ikonomi, Dhimitër Germau, Andon Çala, doktori i nderuar Skënder Kraja, etj., vijnë edhe shokë që banojnë më larg, si Rexhep Alimema, Petrika Trajani, Astrit Paja, Qani Spahiu, Shkelqim Meçe, veterani Estref Musabelliu, Hajdar Marku, etj.. Koli ka shoqëri të gjerë e gëzon respektin e të gjithë shokëve. Muaji prill i takon tankistëve, prandaj këtë artikull ja kushtoj dhe gjithë shoqërisë tankiste.

    *Inxhinieri tankist 

    “Veçoj kolonel Myslym Ketën – “Heroi i Popullit”, kolonel Adnan Qatipi, Gjeneral-major Abaz Fejzo, kolonel Stefan Luarasi, kolonel Aleko Koka, për meritat e veçanta në organizimin, konsolidimin, zhvillimin, modernizimin e armës së tankeve. Emri i “Heroit të Popullit” Myslym Keta përfaqëson, jo vetëm komandantin trim të luftës për çlirimin e vendit, por dhe udhëheqësin e organizatorin e përkushtuar për modernizimin e armës së tankeve”