Faleminderit për sigurimin: Unë nuk do të pres qeverinë…!

163

Nga Gjon Ndreja

Nuk ka asnjë mjedis, ku tema e tërmetit të mos jetë e pranishme këto ditë. Flitet në familje dhe kujtohet se si e kanë përjetuar pjesëtarë të ndryshëm këtë ngjarje, në autobus gjithashtu të gjithë tregojnë rastin e tyre, në zyrë sapo njerëzit takohen me njeri tjetrin pa u përshëndetur akoma pyesin, “Hë mo a të shkundi ndonjë çikë”?

Në hapje të çdo mbledhje moderatori i seancës, në vend të mirëseardhjes uron të pranishmit ta kenë kaluar sa më lehtë. Mediet gjithashtu i kanë dhënë një mbulim ekstrem kësaj ngjarje të rëndësishme në jetën e çdo familje, shto këtu  amplifikimet dhe tendencën për të bërë lajm me çdo kusht. Qytetarë të cilëve u është dëmtuar prona apo kanë pësuar vetë lëndime referojnë dëmet të cilat sipas tyre qeveria duhet t’i dëmshpërblejë dhe  kjo e fundit nga ana e saj nuk ka nguruar si zakonisht të premtojë zhdëmtimin e dëmeve të shkaktuara, ndërkohë që dëmet e ndodhura nga fatkeqësitë natyrore të mëparshme akoma nuk janë rimbursuar. Por në asnjë rast nuk diskutohet se si kjo çështje mund të marrë një zgjidhje përfundimtare…

Falë zotit, autori i këtyre radhëve  dhe as familjarët  e tij ,nuk patën  asnjë dëmtim material apo shëndetësor nga tërmeti i radhës por në vazhdimësi kam qenë dhe jam i shqetësuar për mundësinë e ndodhjes së një ngjarje të tillë, e cila të ketë pasoja në interesat e mia, si dhe për mënyrën se si duhet minimizuar ky risk. Shpresoj që këndvështrimi  dhe eksperienca ime lidhur me këtë çështje, të shërbejë edhe për një zgjidhje sa më të favorshme në interes të qytetarëve.

Rolet dhe përgjegjësitë

Dëmet e ardhura nga fatkeqësitë natyrore janë pothuajse të paparashikueshme, veçanërisht ato që lidhen me tërmetet. Por qytetarët vetë  dhe qeveria,  kanë rolin të minimizojnë pasojat e këtyre ngjarjeve dhe ndikimin e tyre në jetën e njerëzve.

Të edukuar për një kohë të gjatë në sistemin e kaluar, ku dominonte ideja  se çdo gjë e presim nga shteti, në rastet kur ndodhin ngjarje të tilla, qytetarët akoma  i referohen shtetit, i cili sipas tyre duhet të jetë përgjegjës për mbulimin e pasojave.

Ndërkohë shteti nga ana e vet për qëllime të pastra politike dhe elektorale promovon idenë e “fuqisë” së qeverisë, për të mbuluar pasojat e këtyre ngjarjeve. Kaq e dukshme është kjo sa tashmë është bërë një normë morale si për shtetin ashtu edhe për qytetarët.

Kjo qasje e qeverisë ndaj këtyre ngjarjeve ka shtuar oreksin e të dëmtuarve, sa shpesh herë kërkesat e tyre kanë natyrë agresive dhe fajësojnë drejtpërdrejt organet qeveritare duke kërkuar si detyrim zhdëmtimin apo riparimin e dëmeve. Dhe në gjykimin tim ky është dëmi më i madh, sa që rrezikon që ky problem të mos gjejë zgjidhje asnjëherë. Me këtë qasje të shtetit ndaj këtyre ngjarjeve, ku ky i fundit  tenton të marrë përgjegjësinë për mbulimin e dëmeve, qeveria shkakton një dëm të dyfishtë.

Nga njëra anë dëmton drejtpërdrejt arkën e shtetit duke alokuar shuma të caktuara për këtë qëllim, në vend që t’i kishte përdorur ato për të zhvilluar sektorë të ndryshëm të ekonomisë, nga ana tjetër pengon zhvillimin e atyre mekanizmave të tregut që janë destinuar për këtë qëllim duke frenuar drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik. Roli i shtetit në opinionin tim lidhet  së pari me mundësinë që ai duhet të krijojë për qytetarët, që të mbrojnë pronën dhe interesat e veta  duke  nxitur mekanizmat e tregut të lirë.

Nga ana tjetër shteti është përgjegjës që në rastin e ndodhjes së ngjarjeve të tilla  të  japë ndihmën e parë për të kaluar situatën emergjente. Me që më sipër cekëm instrumentet e tregut të nxitur nga shteti, që sigurojnë mbrojtjen e pronës nga rreziqet, shoqëritë e sigurimeve kanë një rol shumë të madh. Në gjithë botën kjo industri ka ardhë vazhdimisht duke u fuqizuar, sa që ka siguruar pa mëdyshje mbrojtjen më të sigurtë nga fatkeqësitë. Shoqëritë e sigurimeve kanë një rrjet ndërkombëtar  dhe një sistem “solidariteti” gjë e cila mundëson përballimin e pasojave të dëmeve edhe në rastet më ekstreme, duke e shumëfishuar fuqinë e tyre në përballimin e këtyre pasojave. Por në vendin tonë edhe për shkak të shkaqeve që përmendëm më sipër por edhe për shkak të traditës tonë aspak inkurajuese, tregu i sigurimeve është mbërthyer në sigurimet e detyrueshme. Mjafton të përmendim faktin se primet për sigurimin e pronës që janë vullnetare, në totalin e primeve të shkruara nuk zënë më shumë se 1.5 përqind.

Sigurimet; sa të thjeshta

Me shqetësimin dhe idenë në kokë se  një ditë mund të përballem me situata të ngjashme në të ardhmen dhe me dëshirën për të mos e parë veten nën çadrën e emergjencave civile, ju drejtova njërës prej kompanive të sigurimeve SIVIG (Sigma Interalbania Viena Insurance Group), me të cilën kam pasur marrëdhënie edhe për sigurimin e detyrueshëm të autoveturës.

Këtë vizitë e kërkova me qëllim që të vlerësoja mundësitë e sigurimit të banesës  në raport me kostot dhe përfitimet që rrjedhin prej saj. Drejtoresha e Departamentit të marrjes në sigurim më befasoi me shpjegimin e thjeshtë për procedurat e sigurimit dhe kostot përkatëse të sigurimit të pronës.

Vetëm një çertifikatë pronësie nevojitej për të bërë siguracionin e banesave me vlerë nën njëqind mijë euro. Brenda një kohe shumë të shkurtër,në më pak se një orë, unë kisha gati për nënshkrim policën e sigurimit me kushtet e saj të përfitimit në rast të ndodhjes së ngjarjes së sigurimit.

Ajo që më mundonte mua por besoj se  edhe çdo qytetar, është kostoja që do të përballoja për të kryer këtë siguracion. E thjeshtë fare, më tha drejtoresha. Çdo qytetar mund ta llogarisë vetë primin e sigurimit. Vlera e siguruar e banesës, shumëzohet me një koeficient 0.7 lekë për mijë dhe kështu del shuma e primit që duhet paguar. Por jo të gjithë qytetarët i kanë të vlerësuara apo të rivlerësuara apartamentet me çmimin e tregut nënvizova  unë dhe në këtë rast kush do të ishte zgjidhja? Edhe kjo nuk përbën problem për shoqëritë e sigurimeve.

Ato bëjnë një vlerësim të banesës, bazuar në çmimet referuese sipas zonave ku ndodhet banesa dhe kështu pa asnjë pengesë mund të përfundojë procedura. Ndërkohë për banesat me vlerë mbi njëqind mijë euro kërkohet verifikime në vend dhe një rillogaritje e primit në bazë të rreziqeve reale.

Duke lexuar policën e sigurimit, kuptova se primi i paguar si më sipër mbulon një seri rreziqesh të mundshme si, zjarrin, goditjen e rrufesë, eksplozionin, stuhitë, përmbytjet dhe tërmetin. Të gjitha këto, për   banesën time me sipërfaqe prej 68 m2 , me vlerë prej 8 milion lekë, mu desh të paguaja jo më shumë se 5600 lekë për gjithë vitin. Dhe kjo, nuk është më shumë se një kafe në ditë për një periudhë dymujore. E vlerësova se kam bërë shumë gabim që shqetësimin e vazhdueshëm që kisha, nuk e kisha ndarë më parë me kompaninë e sigurimeve dhe nënshkrova pa hezitim policën e sigurimit.

Por shoqëritë e sigurimeve duhet të jenë më fleksibël në kushtet e kontratave duke prioritizuar interesat e klientëve të tyre dhe duke marrë në konsideratë kushtet konkrete të sigurimit, larg skemave standarde. Ndërkohë skema lehtësuese pagese me  këste, mund të aplikohen për prime me vlera të konsiderueshme si p.sh. për vila apo ndërtesa speciale.

Ndërkohë Qeveria nga ana e saj , duhet të marrë përsipër sigurimin pranë shoqërive të sigurimit,  të familjeve në nevojë dhe me një minimum të ardhurash dhe jam i sigurtë se në finale  kjo do të rezultojë me shumë përfitim për qeverinë. E gjitha kjo do të ndikojë  në shtimin e numrit të klientëve dhe  më tej do të krijojë  mundësinë e uljes së primit.

Dhe  ajo që është më e rëndësishmja, transferimi i rrezikut të katastrofave tek shoqëritë e sigurimit do të kishte një përfitim për gjithë shoqërinë në tërësi dhe do të siguronte një zgjidhje përfundimtare të kësaj çështje.