Spitali Amerikan, fushatë për luftën ndaj kancerit të gjirit

56
Përgjatë Tetorit, muajit ndërkombëtar të luftës ndaj kancerit të gjirit, Spitali Amerikan u mundëson pacienteve femra paketën e kontrollit për diagnostikimin në kohë të kësaj sëmundjeje. Si çdo vit, të vendosur dhe të gatshëm për t’u ardhur në ndihmë pacientëve në nevojë dhe vështirësi ekonomike, në bashkëpunim me struktura të ndryshme shtetërore dhe organizata OJQ, Spitali Amerikan do të mundësojë për këto paciente kontrolle falas. Kanceri i gjirit mbetet një sëmundje e rrezikshme, por fatmirësisht mund të trajtohet dhe të evitohen pasojat, në rast se diagnostikohet herët. Ndonëse femrat shqiptare janë duke u informuar vazhdimisht rreth mundësive që ofron sistemi shëndetësor për diagnostikim të hershëm (sidomos lidhur me mamografinë), pjesa më e madhe e pacienteve me kancer gjiri diagnostikohen ende në stade të avancuara.

Dr. Emiljana Huti, shefe e Departamentit të Onkologjisë në Spitalin Amerikan, në kuadër të kësaj fushatë të ndërmarrë dhe në një thirrje ndërgjegjësuese për të gjitha femrat shprehet: “Për ato gra që janë duke luftuar me kancerin e gjirit do doja të për përforcoja idenë që kjo sëmundje nuk është një dënim me vdekje. Tashmë kemi një shumllojshmëri armësh për t’a luftuar këtë sëmundje (kirurgji, kimioterapi, radioterapi, terapi hormonale ) si edhe medikamentet më të reja që vazhdojnë të testohen dhe që po japin të dhëna premtuese për të ardhmen. Për ato që janë me rrezik për t’u prekur nga kjo sëmundje, ju këshilloj të bëni kontrrolle periodike, të bëni vetë ekzaminimin e gjirit. Diagnostikimi i hershëm duket të jetë çelësi i fitimit të kësaj beteje. Do ju gënjeja nëse do ju thoja se ne mund të shërojmë çdo grua të diagnostikuar me këtë sëmundje. Por siç çdo gjë në jetë e vetmja mënyrë për t’ia dalë është të mos dorëzohesh. Ne si mjekë nuk jemi dorëzuar, vazhdojmë luftën çdo ditë kundër kësaj sëmundje. Ju lutem vazhdoni të luftoni me ne …”

Kjo sëmundje përbën më shumë se 30% të sëmundjeve malinje të diagnostikuara tek femrat. Është përllogaritur që një në tetë femra do ndeshet me këtë sëmundje gjatë jetës së saj. Fatmirësisht diagnostikimi me kancer të gjirit sot nuk është denim me vdekje. Pas viteve 1990 vdekshmëria nga kjo sëmundje ka filluar të bjerë dukshëm dhe faktori më i rëndësishëm që influencon këtë prognozë të mirë është diagnostikimi në stad të hershëm të sëmundjes. Kur sëmundja është e lokalizuar vetëm në gji dhe në limfonodujt aksilar, që është dhe stadi që shohim më së tepërmi në praktikën tonë mjekësore, mbijetesa 5; 10 dhe 15 vjeçare shkon respektivisht në 89 %; 82 % dhe 77 %. Megjithëse këto janë të dhëna shumë të mira krahasuar me llojet e tjera të kancerit (si psh mushkëri ose pankreas) menaxhimi i sëmundjes në stadin metastatik është problematik. Në momentin kur sëmundja e kancerit të gjirit përhapet në organe të tjera, mbijetesa 5 vjeçare për pacientet bie menjëherë në 20 %. 

Megjithese kanceri i gjirit duket të jetë më së shumti një sëmundje sporadike, ka edhe raste kur kjo sëmundje është pasojë e trashëgimit të disa gjeneve përgjegjëse dhe në këto raste mund të jenë disa persona me kancer gjiri brenda të njëjtës familje.  Sot mjekësia jep garanci të plotë se kanceri i gjirit nuk është më sëmundja që duhet të frikësojë gratë. Ulja e përgjithshme e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit i është atribuar rritjes së mundësive për ta diagnostikuar herët dhe sigurisht trajtimeve që disponohen sot ndaj kësaj sëmundjeje. Sipas Dr. Huti, përdorimi i protokolleve terapeutike moderne mundësojnë një strategji gjithpërfshirëse për ta trajtuar sëmundjen si lokalisht ashtu edhe në distancë. Prandaj për çdo pacient që diagnostikohet me këtë sëmundje në Spitalin Amerikan realizohet një plan të personalizuar për trajtimin e saj