Sigal

Qytetarët që kanë mace në shtepi, duhet të tregohen të kujdesshëm nga gërvishtjet e tyre.

Profesor Tritan Kalo ka paralajmëruar përmes një statusi në “Facebook” për sëmundjen e gërvishtjes së maces, që në gjuhën shkencore njihet si “Limfadenitin regjional subakut”.

Sipas profesorit, macet e në veçanti kotelet e shtëpisë janë bartëset e “Bartonella Henseale”-s, shkaktarit të kësaj sëmundjeje.

Mjeku ka shpjeguar se “në vendin e gërvishtjes nga macet mundet të shfaqet fillimisht një puçërr për të vijuar më pas me daljen kryesisht të një gjëndre në qafë ose në sqetull , të paraprirë ose jo nga dobisa trupore, ulja e oreksit dhe temperatura jo shumë e lartë. Në shumë raste sëmundja vet shërohet për 2 – 4 muaj, por nuk përjashtohen rastet e ndërlikimit të saj me prekje të syve, mëlçisë dhe shumë shumë rrallë edhe me prekje neurologjike.”

Ai ka bërë thirrje se në raste të tilla, qytetarët nuk duhet të hezitojnë që të konsultohen me një mjek specialist infeksionist, si dhe të mos panikohen nga dalja e një gjëndre sepse jo çdo gjëndër e zmadhuar ka të bëjë me një sëmundje tumorale.