PHD. Anila Kalleshi: Ja dieta për diabetikët

271

Një diabetik, më shumë se një kufizim ushqimor, kërkon ndryshim të stilit të jetesës i cili duhet orientuar jo drejt kufizimit të ushqimit, por drejt menaxhimit më të mirë të mënyrës së të ushqyerit, ku një rol të rëndësishëm luan përcaktimi i rregullt i vakteve dhe sasisë së ushqimeve që duhen ngrënë në secilin vakt.

Dieta ka shumë rëndësi në mjekimin e diabetit. Disa persona me diabet arrijnë vlera normale të sheqerit në gjak kur ndjekin dietën specifike të rekomanduar për çdo person me diabet. Dieta e personave diabetikë varet nga metabolizmi bazal, nga koeficienti i masës trupore BMI i cili përcaktohet nga pesha dhe gjatësia e personit)si dhe nga aktiviteti i tij fizik.

Një person diabetik duhet të konsumojë 3 vaktet kryesore dhe 2-3 vakte të ndërmjetme. Shumë e rëndësishme është që vaktet të merren pothuajse në të njëjtën orë çdo ditë dhe hapësira nga vakti në vakt të jetë e njëjtë.

Një diabetik duhet të respektojë këtë rregull që të mos lërë kalimin e shumë orëve pa ngrënë. Një vakt ushqimor duhet të përmbajë me patjetër karbohidratet e nevojshme. Ndërtoni një plan të ushqyerjes në të cilën të keni kontrolluar kaloritë, karbohidratet dhe sheqernat.

Një dietë e mirë për personat që vuajnë nga diabeti duhet të konsistojë në konsum të sasive të bollshme të proteinave bimore, si: drithërat, patatet dhe proteinat e tjera që përmban mishi, peshku dhe veza.

Një tjetër grup i rëndësishëm është dhe futja e sheqernave në organizëm, orientimi i të cilave duhet të jetë drejt atyre me bazë bimore dhe sasi më të pakta shtazore, si dhe sheqernat e shpejta që janë në përmbajtje të qumështit apo frutave.

Yndyrat luajnë një rol të rëndësishëm, por këto të fundit duhet të përzgjidhen me kujdes në grupin e yndyrave me bazë bimore. Kombinimi i këtyre elementeve mund të ndihmojë në largimin e problemeve dhe mbajtjen e një regjimi të rregullt të sëmundjes.

Duhet të kufizoni sa më shumë kripërat për të kontrolluar tensionit arterial dhe proteinat për të mbrojtur veshkat. Nëse jeni mbipeshë, humbja e saj do të ndikonte në përmirësimin e sheqerit dhe tensionit arterial.

Përqindja e përbërësve kryesore ushqimore të një vakti duhet të orientohet drejt një skeme të tillë ku: 40 % duhet të jenë karbohidrate, 40 % duhet të jenë proteina, si dhe pjesa e mbetur prej 20 % duhet të përbëhet nga yndyrat, kryesisht ato që listohen si yndyra të mira.

Ekziston një grup ushqimesh të cilat mund të merren dhe pa sasi të kufizuara, pasi përbërja e tyre nuk sjelle dëme në organizëm, ndryshe nga sa mund të ndodhë nëse marrim sasi të mëdha të ushqimeve të tjera që mbeten jashtë kësaj liste. Në listën e ushqimeve që mund të konsumohen pa kufij nga diabetikët janë : uji, kafeja pa sheqer, çajërat pa sheqer, rrepat, specat, spinaqi, kungujt, sallata jeshile, qepët, panxhari i kuq, lëngu i zarzavateve, lakra e bardhe, lulelakra, kastravecët, domatet, patëllxhanet, domatet, bamjet, karrotat, mollët”.

Sasitë ashtu si dhe vlerat kalorike kanë shumë rëndësi në ushqyerjen e një diabetiku, Këshillohet një sasi qumësht 200 ml, kos frutash 180 gr, 50 gr, bukë me drithëra 60 gr, oriz i gatuar 50 gr, makarona të gatuara 50 gr.patate 60 gr, bizele të gatuara 20 gr, fasule të bardha bishtaja 2 lugë supë, bizele të vogla 50 gr.

Personat që konsumojnë më shumë bulmet me pak yndyrë kanë më pak mundësi të preken nga diabeti i tipit 2. Një proteinë që gjendet tek bulmeti mund të rrisë sekretimin e insulinës. Një shumëllojshmëri ushqyesish, si vitamina D, kalciumi dhe magnezi, mund ta ulin rrezikun e diabetit.

Përdorimi i drithërave të ndryshme është masa më efikase për parandalimin e diabetit. Zarzavatet dhe perimet janë armiqtë më të mirë që frenojnë problemet që diabeti sjell në organizëm. Dieta ushqimore duhet të ketë në përmbajtje të saj sasi të bollshme ditore të perimeve dhe zarzavateve jeshile.

Përdorimi i gjallë këtyre zarzavateve në sasi të mjaftueshme si gjatë drekës apo dhe darkës, çdo ditë është një mundësi e mirë për të kontrolluar këtë sëmundje. Kjo pasi në përmbajtje të këtyre zarzavateve gjenden sasi të shumta antioksidantësh, vitaminash dhe kripërash minerale dhe fibra të cilat luftojnë radikalet e lira që pengojnë qarkullimin e lëndëve ushqimore nëpërmjet gjakut për në organet e tjera jetësore. Sa më pak të gatuara të jenë perimet dhe zarzavatet, aq më mirë i bëjnë organizmit, pasi gatimi shpesh herë humbet sasinë e vitaminës C që perimet kanë në përmbajtje të tyre, së bashku me shumicën e mineraleve që i shoqërojnë.

Është e këshillueshme pirja e ujit në të cilin më parë janë zier perimet. Ky ujë ka në përmbajtje të tij sasi të bollshme të mikroelementeve të dobishme, siç janë zinku, magnezi, kaliumi, të cilat e ndihmojnë organizmin të kryejë më me lehtësi funksionet.

Organizmi ka nevojë edhe për një sasi të caktuar yndyrash, kryesisht me bazë bimore. Yndyrat janë shumë të pasura me kalori ndaj këshillohet që konsumi i tyre të bëhet në nivele të kontrolluara që përfshijnë sasi të pakta, çka ndikon edhe në humbjen e peshës së tepërt e cila mbizotëron tek pacientët diabetikë.

Kështu diabetikët duhet të shmangin pastat, gjalpi, mishi me yndyrë, djathi i deles . Këshillohet që sasia e yndyrave të sigurohet nëpërmjet përdorimit të vajit të pastër vegjetal, vajit të ullirit. Konsumi i alkoolit duhet të jetë në sasi të monitorueshme. Lejohet konsumi i një gote verë të kuqe, por jo më shumë se 125 mil, pasi fenoli që ka në përmbajtje ndihmon funksionimin e zemrës.

Këshillohet edhe ngrënia e frutave, por jo në sasi të mëdha, pasi në përmbajtje të tyre ka nivele të larta sheqeri. Niveli i lartë i selenit në gjak mund të ulë rrezikun për të pasur çrregullime të metabolizmit të glukozës, me këtë edhe të diabetit.

Një nga ushqimet që nuk duhet të mungojë asnjëherë në tavolinë janë bishtajoret pasi kanë përmbajtje të lartë të fibrave të tretshme, që ndihmojnë që të mbani nën kontroll nivelet e sheqerit në gjak. Një diabetik duhet të konsumojë thjerrëza, bizele, fasule, dy-tri herë në javë.

Ja dieta që rekomandoj une për diabetikët:

Dita e parë

Mëngjesi : çaj jeshil, bukë e zezë, 1 copë djathë deleje

Dreka: sallatë me fara soje dhe limon, 2 kokrra vezë të ziera jo shumë, perime dhe thjerrëza me erëza, sallatë jeshile, 25 gr bukë e zezë

Pasdite: komposto molle ( pa sheqer të shtuar)

Darka: sallate me lakër të kuqe, 1 fetë proshutë pa dhjam, pak fistiqe, 1 gotë kos pa yndyrë

Dita e dytë

Mëngjesi : lëng molle , drithera me krunde dhe qumësht soje

Dreka: supe krem bizelesh, fileto merluci 100 gr, sallate jeshile, 25 gr bukë e zezë

Pasdite: kumbulla dhe lajthi

Darka: copëza pule me salcë djegëse 100 gr, perime të stinës gjysëm të pjekura, 25 gr bukë e zezë, një copë djath, 1 kokërr dardhë

Dita e tretë

Mëngjesi : 1 kokërr vezë e zier,25 gr bukë e zezë,çaj jeshil

Paradite : gjysëm kokrre qitro

Dreka: fileto viçi në zgarë 100 gr,makarona al dente me kërpulla, sallatë jeshile, kivi dhe qitro

Pasdite: fara tërshërë me çokollatë

Darka: supë me karrota, presh dhe selino të bardhë, salmon krudo, pure bizelesh 90 gr,25 gr bukë e zezë,1 lugë salcë kosi

Dita e katërt

Mëngjesi : 1 fetë bukë thekre me 1 copë djath dhie, 1 gotë lëng molle

Paradite : 1 portokall

Dreka: sardele të shoqëruara me gjethe dafine dhe erëza, pule me fasule të bardha, sallatë jeshile

Pasdite:qitro dhe kivi

Darka: bollgur 90gr dhe sallatë domatesh, mish lepuri 100 gr në furrë me kerpudha e parmixhiano, 25 gr bukë e thekur, komposto me bajame, fistike e boronica

Dita e pestë

Mëngjesi : një vezë e zier , një fetë të thekur,lëng portokalli

Paradite : ½ banane

Dreka: mish i bardhë pule 100 gr,kungull i mbushur me qepë e domate,sallatë me fasule të kuqe dhe speca

Pasdite: fruta të kuqe

Darka: supë me perime,25 gr bukë e zezë, mish viçi me perime të stinës

Dita e gjashtë

Mëngjesi : kos me rrush të thatë, çaj jeshil

Paradite : 2 kajsi

Dreka: mëlçi viçi, sallate perimesh ,1 fetë bukë e thekur

Pasdite:muesli-ushqim i përbërë nga tërshërë,fruta të freskëta dhe të thata

Darka: sallatë rukola, avokado, kastravec, ullinj, mashurka, fileto peshku në avull

Dita e shtatë

Mëngjesi : omletë me një vezë, 1 një karrotë te grirë dhe një kungull të njomë, 25 gr bukë e thekur

Paradite : komposto kumbulle të thata

Dreka: lulelakër, spinaq & brokoli të ziera shoqëruar me sallatë jeshile, krem karamel

Pasdite: lëng qitroje dhe kivi

Darka: ragu me mish qengji dhe domate gjysëm të pjekura, salcë kosi 1 lugë