Zgjedhja e kryetarit, KGS jep vendimin: Është atribut i Kongresit

53
Komisioni i Garancive Statutore ka pranuar vetëm pjesërisht kërkesën e deputeteve Blushi-Hafizi-Kopliku dhe Dade dhe 8 përfaqësuesve të Partisë Socialiste për interpretimin e disa pjesëve të statutit ekzistues të Partisë Socialiste. Komisioni i Garancive Statutore i mbledhur sot në selinë e Partisë Socialiste ka dhënë vendimin për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj force politike. Kryetari i KGS, Alket Hyseni, në vendimin që ka bërë publik për mediat shprehet se zgjedhja e kreut të Partisë Socialiste, është një atribut i Kongresit të 19 marsit. Sipas tij, nga Kongresi buron edhe statuti e programi i PS.
“Kongresi Zgjedhor i thirrur – shkruan në vendimin e saj KGS – mund të ndryshojë rendin e ditës së mbledhjes së tij me shumicë votash, si dhe ka të gjitha kompetencat dhe tagrin për të realizuar çdo ndryshim të Statutit, përfshirë mënyrën dhe procedurat e zgjedhjes së organeve qendrore, nëpërmjet zgjedhjes sipas parimit “një anëtar një votë” apo sipas parimit të zgjedhjes nga organet përfaqësuese”, u shpreh ai. Në lidhje me përfundimin e mandatit të disa organizmave dhe funksioneve në PS që prej shtatorit 2013, KGS ka vendosur se ato janë legjitime deri në zëvendësimin e rizgjedhjen e tyre.