Zgjedhja e kreut të ri të Akademisë, reagon sërish Artan Fuga: Jep dorëheqjen, ose…

508
Akademiku Artan Fuga ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së kreut të ri të Akademisë së Shkencave. Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, ai u kërkon kolegeve të tij të shpëtojnë me shpejtësi Akademinë e Shkencave nga ajo që ai e quan kalbëzim.

Sipas tij, “shoqëria nuk mund të alokojë fonde për një shërbim që nuk e merr”.
Reagimi i plotë i Artan Fugës:
Në vend të urimit për kryesinë e re të Akademisë të Shkencave !
Akademikë, shpëtojeni urgjent Akademinë nga kalbëzimi!
Shoqëria nuk mund të alokojë fonde për një shërbim që nuk e merr! Rregjimi i privilegjeve ka mbaruar që më 4 gusht 1789!

Pasi u zgjodh në një kontekst krejt jo dinjitoz, me akademikë që refuzuan të kandidojnë brenda atij kuadri, i uroj kryesisë të ri-ri zgjedhur, të japi dorëheqjen dhe të mos e tërheqi edhe institucionin në humnerën e kokëfortësisë !

Këto zgjedhje nëse nuk shpallen « non-lieu », sot apo nesër, janë këmbana e fundit për Akademinë e Shkencave !

Asgjë nuk e ndaloi që sot ne 4 shtator 2017 në Akademinë e Shkencave të ndaloheshin zgjedhjet që nuk janë zgjidhje !

Zgjedhje thjesht rrotative, ku kryesia rizgjidhet si e njejta kryesi, si një rikthim i përjetshëm rrotavi rreth së njejtës gjë, ndërkohë kur i gjithë opinioni i vendit e tregon me gisht Akademinë si një institucion që ka degraduar !

Zgjedhjet sot e kundërvunë Akademinë e Shkencave me arrogancë kundër opinionit publik të vendit !

Pa një platformë të debatuar thellë dhe gjerësisht, pa kandidatë alternativë, pa pastërtinë e figurës të akademikëve, pa konceptuar një reformë tërësore, nuk mund të ketë zgjedhje sepse nuk mund të rizgjidhet një kryesi, e cila është përgjegjësja e vetme dhe e plotë, prej një dekade e stagnacionit dhe e kalbëzimit të pandërprerë të atij institucioni. Që për më tepër ka penguar reformimin e brendshëm të Akademisë, ka censuruar mendimin alternativ brenda saj, ka penguar modernizimin e institucionit.

Nuk është debat për persona ! Eshtë fjala për institucionin si e mirë publike ! Por, gjithsekushi të mbajë përgjegjësitë e veta dhe një ditë kur detyrat i tejkalojnë mundësitë, të thotë : Ecni !

Dorëheqja ose ngrirja nga të gjitha funksionet e kryesisë është i vetmi hapi që do të clirojë Akademinë e Shkencave nga modeli i vjetër, i pareformuar, në lëngimin e fundit të një institucioni që duhet dhe mund të ishte splendid dhe në krye të mënçurisë kolektive të shqiptarëve !

Me këtë kryesi, zëri i lirë i akademikëve nuk mund të shprehet !

Kryesia e zgjedhur sot, në kushtet e ngjarjeve që rrokullueseshin me shpejtësi këtë mëngjes, ka tani vetëm një rrugë të arsyeshme.
Sigal