Zblulohet marrëveshja, ish-shefi i SHISH-it propozohet si ambasador në NATO. Lubojna: Ai braktisi detyrën

536
Zbulohet pazari, ish-shefi i SHISH, ambasador në NATO
Kryeministri i propozon presidentit të Republikës emërimin e Visho Ajazi Likës, dy javë pas largimit nga shërbimi sekret
Kryeministri Edi Rama i propozoi Presidentit të Republikës, Ilir Meta, emërimin e ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në NATO. I konsideruar edhe publikisht si një kundërshtar i qeverisë “Rama”, për shkak të raportimeve për çështjen e drogës, Visho Ajazi Lika tashmë ka marrë në dorë propozimin e kryeministrit për të përfaqësuar Shqipërinë në një nga ambasadat e saj më të rëndësishme. Dorëheqja e Ajazit dy javë më parë nga shërbimi sekret shkaktoi jo pak habi, ndërsa edhe Kreu i Shtetit deklaroi se për të kjo lëvizje ishte një surprizë. Opozita foli dy javë më parë për trysni nga ana e qeverisë mbi shërbimet sekrete për shkak të raporteve që ato kishin hartuar mbi përfshirjen, sipas saj, të zyrtarëve të lartë të policisë në kultivimin dhe trafikun e marijuanës. Megjithatë duket se gjithçka ka qenë pjesë e një plani të mirëmenduar.

Visho Ajazi qëndroi 5 vjet në krye të shërbimit sekret shqiptar. Ai e mori detyrën në gushtin e vitit 2012, pas shkarkimit të beftë nga detyra të Bahri Shaqirit, me anë të një dekreti të Presidentit të porsaemëruar Bujar Nishani. Një lëvizje, e cila u kritikua nga Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, për shkak të lidhjeve që sipas saj, Ajazi kishte me të djathtën në pushtet. Gjithashtu, ambasada amerikane e kritikoi këtë lëvizje. Në fillim të viteve ’90, Ajazi kishte punuar si drejtor i kundërzbulimit të huaj në shërbimin sekret të asaj kohe, ndërsa në momentin e emërimit ai kryente detyrën e zëvendësministrit të Teknologjisë dhe Inovacionit. Tashmë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, kryeministri Rama ka propozuar nëndrejtorin Helidon Bendo, por emërimi i tij nuk është dekretuar ende nga presidenti Meta. Në tryezën e Metës është shtuar prej ditës së djeshme edhe propozimi për dekretimin e Ajazit.

Lubonja: Ajazi braktisi detyrën
Analisti Fatos Lubonja ka komentuar dorëheqjen e kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika, si dhe propozimin e kryeministrit Edi Rama për emërimin e tij në postin e ambasadorit të Shqipërisë në NATO. Në “Neës 24”, Lubonja tha se Visho Ajazi nuk duhet të jepte dorëheqjen në këtë moment delikat, ndërsa sipas tij, Rama kërkon të kontrollojë SHISH-in. “E para që Visho Ajazi braktisi detyrën në një moment të rëndësishëm, siç ishte rasti ‘Tahiri’ si dhe policia e përfshirë në krim. Ai u tërhoq. E dyta, ne kemi të bëjmë me një hap të Ramës për të kontrolluar SHISH-in, i cili ishte i vetmi institucion që nuk e kontrollonte. Visho Ajazi u tërhoq në një moment delikat se mbase kështu janë bërë pazaret. Qeveria dhe krimi nuk po dallohet se ku fillojnë dhe ku mbarojnë. Jemi në një moment që duhet të reflektojmë shumë thellë për rreziqet që na kanosen”, tha Lubonja. Ai komentoi edhe deklaratat e kreut të PD, Lulzim Basha, i cili kërkoi ndihmë FBI dhe DEA për të zbërthyer lidhjet e krimit me politiken dhe parave të krimit që do investohen në ekonominë shqiptare. Lubonja tha se problemet duhet të zgjidhen vetë dhe jo duke kërkuar ndihmë nga të huajt. “Nuk më pëlqeu një moment në akuzat e opozitës, ku Basha kërkon nga FBI që të bëjë transparencë. Unë s’di se si mund ta bëjë, nëse bëhet fjalë siç thotë edhe Vasili që këtu me paratë e krimit do filtrohen në ekonomi përmes oligarkisë, dhe paratë e krimit ku aludohet për një lidhje direkt midis parave të krimit dhe trafikantëve dhe oligarkëve këtu s’është më fjala të përmendim këto terma të përgjithshme është fjala të përmendin emra, cilët janë dhe cila është lidhja direkt apo indirekte që ka pasur politika e s’mund ta bëjë FBI më mirë se opozita për të qenë e ndershme me njerëzit”, tha Lubonja.
Sigal