Xhafaj: 40 grupe të strukturuara kriminale veprojnë në Shqipëri

94
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është shprehur se në vendin tonë, veprojnë 40 grupe kriminale, me aktivitete që shkojnë që nga vjedhjet dhe trafiqet, e deri te pengmarrjet dhe vrasjet.
Ministri deklaroi në emisionin “Opinion” se është hartuar një raport studimor, i cili ka realizuar profilin e këtyre grupeve kriminale, veprimtarinë e tyre, numrin e pjesëmarrësve, si dhe një hartë të veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri. Sipas tij, ekspertët kanë skeduar rreth 40 grupe kriminale që veprojnë në 12 qarqet e vendit.
“A e dini sot ju sa ka të regjistruara grupe të strukturuara kriminale Europoli në Europë? 5000 grupe dhe 60% e anëtarëve të këtyre grupeve janë shtetas të vendeve anëtare të BE-së. Shtetas të vendeve anëtare të BE-së. Në Shqipëri sipas standardit të Europolit, nuk do ta kalonin 15 të tilla, kurse sipas kritereve që kemi vendosur ne për efekt të vlerësimit të rrezikshmërisë shoqërore në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, janë 40 grupe të tilla. Nuk janë grupe të strukturuara në nivelin e një organizate kriminale”, deklaroi Xhafaj.
“Nga skanimi i grupeve kriminale rezulton se 53 % e tyre merren me kultivim dhe trafikim narkotikësh, 11 % me trafiqe të paligjshme, 18 % me krime të rënda si vrasje dhe pengmarrje, dhe 18 % me krim ekonomik”, tha më tej ministri Xhafaj.