VOTAT KUNDËR SHBA-ve, NDËSHKIM PËR DIPLOMACINË SHQIPTARE

129

Jakup B. GJOÇA

Diplomacia e DASH reflekton ndaj deklaratave të rënda të Ramës ndaj presidentit Trump

Mosardhja e Wes Mitchell në Shqipëri është përgjigja zyrtare e diplomacisë së DASH ndaj votave që Shqipëria ka dhënë kundër SHBA-ve

Frank Shkreli, ish-drejtori i përgjithshëm i VOA-s për Evropën dhe Azinë, në një analizë për gazetën “Telegraf” shkruan, se është hera e tretë, që nga nëntori i 2017-s, që numri 2 i Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) për Azinë dhe Evropën, Wes Mitchell, ka vizituar Evropën, të gjitha vendet e Ballkanit, por asnjëherë nuk ka ardhur në Tiranë. Ndërkohë, që filloi të dielën një vizitë prej pothuaj një jave në Evropë. Edhe kësaj radhe Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell nuk vizitoi Shqipërinë, megjithëse ishte si të thuash aty në mëhallë. Frank Shkreli, ish-drejtori i VOA-s për Euroazinë, në analizën për gazetën “Telegraf” shtron pyetjen: A po ndodh diçka në Shqipëri që po tund angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë duke afektuar kështu negativisht edhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikano? Është e pamundur të mos bëhet pyetja, se pse po anashkalohet Shqipëria nga vizita të tilla të zyrtarëve të lartë amerikanë, sidomos kur janë aty për vizita zyrtare në Ballkanin Perëndimor, duke vizituar vendet kufitare me Shqipërinë? Anashkalimi i Shqipërisë është krejt në kundërshtim me vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë që po ndodhin në rajon dhe i pa shpjegueshëm. Është një “hap pele”, siç thotë fjala popullore, nga Prishtina, Shkupi ose Athina, por edhe nga Beogradi e Zagrebi, për të shkuar në Tiranë, por duket se është një anashkalim i qëllimshëm. Duhet bërë gjithashtu pyetja se ndonëse anashkalimi i Shqipërisë nga vizitorë të lartë amerikanë si Dr. Wes Mitchell është i dukshëm ose më mirë të themi është i qartë, është më pak e qartë, se cila është arsyeja ose arsyet që shkaktojnë një anashkalim të tillë?

Flasin për gazetën “Telegraf”

Pyetjes: A po ndodh diçka në Shqipëri që po tund angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë duke afektuar kështu negativisht edhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikano? – i janë përgjigjur në forumin e gazetës “Telegraf” Gerti Bogdani, shefi i departamentit të Jashtëm të PD-së, ish-zv.ministri i Jashtëm, Arian Starova, ish-ambasadori Spartak Topollaj, Prof. Dr. Lisen Bashkurti, lektori Arian Galdini.

Gerti Bogdani: Mosardhja e Wes Mitchell në Shqipëri, mesazh i qartë për qeverinë e Tiranës

Vizita e radhës e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, tregon edhe një herë rëndësinë që SBA-të po i japin forcimit të marrëdhënieve me BE-në, në kuadrin e iniciativës Ruajtja e Perëndimit ose Ruajta e Aleancës Perëndimore. Z. Mitchell është njohës i mirë i marrëdhënieve trans-atlantike dhe një nga zërat më të rëndësishëm në administratën Trump për forcimin e marrëdhënieve me BE-në dhe vendeve të tjera të Evropës, si dhe kundërshtar i fortë i rritjes së influencës Ruse në vendet jo anëtare të BE. Menjëherë pas marrjes së detyrës, ai ka qenë shumë i angazhuar edhe në rajonin tonë dhe ka zhvilluar një vizitë, të cilën e filloi në Prishtinë. Duke i dhënë prioritet dialogut Kosovë – Serbi, zgjidhjes së çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, situatës në Bosnjë Hercegovinë, por duke lënë jashtë Shqipërinë. Është e disata herë që z. Mitchell viziton Evropën dhe lë jashtë Shqipërinë. Nuk besoj se kjo ndodh për shkak ndryshimit të prioriteteve dhe partneriteteve mes dy vendeve dhe dy popujve. Por besoj se kjo ndodh për shkak ndryshimeve në administratën aktuale në Shtetet e Bashkuara dhe Qeverisë aktuale në Shqipëri. Prej disa kohësh qeveria shqiptare ka qenë në kundërshti, për të mos thënë në përplasje direkt, me qeverinë amerikane, gjë që është reflektuar në disa votime të Shqipërisë në OKB e më gjerë. Besoj që ky qëndrim, është gjithashtu reflektim, i qëndrimeve dhe deklaratave te papërgjegjshme të kryeministrit Rama gjatë fushatës elektorale në Amerikë, ku publikisht dhe me mungesë të thellë diplomacie anatemoi Presidentin Trump. Por jo vetëm, besoj që në këtë qëndrim influencon ndjeshëm situata aktuale politike në Shqipëri, situata dhe lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe narko-trafikun. Ndaj besoj, që ky anashkalim i përsëritur, mbi të gjitha nga një Ndihmës Sekretar Shteti që e njeh shumë mirë personalisht Evropën dhe Rajonin, nuk është një koincidencë, por një mesazh i qartë për Tiranën zyrtare dhe për qeverinë shqiptare.

Spartak Topollaj, historian, ish-diplomat: Ndëshkim ndaj diplomacisë shqiptare për votimet kundër SHBA-së

Fakti që Ndihmës Sekretari Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell në 3 herët që viziton Evropën dhe Ballkanin, nuk vjen asnjëherë në Shqipëri, ndërkohë, që ka vizituar të gjitha shtetet tona fqinje, duhet të jesh naiv të mos kuptosh se çfarë duan të thotë diplomacia amerikane e Administratës së Presidentit Trump ndaj qeverisë dhe kryeministrit tonë. Për mua, Presidenti Trump, pasi vuri në vijë disa prioritete të mëdha, po u vjen radha edhe këtyre problemeve të tjera, siç është kjo jona. Administrata e Presidentit Trump nuk e ka harruar deklaratën e kryeministrit Rama në SHBA, në kohën e zgjedhjeve presidenciale, i cili deklaroi se, nëse amerikanët votojnë Trump për President, atëherë ky do të jetë rrezik i madh për SHBA dhe gjithë Botën. Tani, që presidenti Trump bëri hapa gjigande në diplomacinë botërore me marrëveshjen me udhëheqësin e Koresë së Veriut, erdhi edhe koha të mendojë se çfarë do të bëjë edhe me ne. Amerikën, por edhe BE nuk mund t’i bësh shantazh dhe ta kërcënosh me deklarata, siç bën kryeministri Rama, se ai ka edhe rrugë të tjera, që mund të ndjekë, nëse BE-ja nuk hap negociatat, pa bërë reformat që i kërkohen, duke kuptuar, se do të orientohet jo nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, por nga Erdogani dhe Putin. Mosardhja asnjëherë në Shqipëri e Ndihmës Sekretari Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell është edhe përgjigje zyrtare e diplomacisë së DASH ndaj votave që Shqipëria ka dhënë kundër SHBA-ve, sikurse ishte vota kundër Jerusalemit në OKB, votimi që abstenoi për Palestinën, që ishte kundër qëndrimit të SHBA, ndërkohë që dihet, se Palestina është pro Serbisë dhe ka deklaruar se nuk do ta njohë kurrë Kosovën jashtë territorit të Serbisë. Edhe së fundi, vota e Shqipërisë për Marokun dhe jo për SHBA, qoftë kjo edhe në FIFA. Amerikanët janë shumë të ndjeshëm. Jo rastësi, mosardhja e Ndihmës Sekretari Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell as këtë vizitë të tretë në Shqipëri, lidhet edhe me kritikën shumë të ashpër të DASH për Shqipërinë, sidomos për korrupsionin deri në nivelet më të larta të qeverisjes në Shqipëri dhe për mosluftën kundër krimit të organizuar, sidomos ka parasysh këtu çështjet “Tahiri” dhe “Xhafaj”.

Arian Galdini, Kryetar i LDE: Mua më shqetëson apatia dhe moskreativiteti e pa këmbëngulshmëria e Tiranës Zyrtare për ta pasur Washingtonin si Kryeqytetin më miqësor

Çka unë ndershmërisht besoj, është se u takon Institucioneve më të larta shtetërore dhe politike të Shqipërisë që të jenë më të ndërlidhura dhe më vëmendje tërheqëse ndaj SHBA. Mua më shqetëson apatia dhe moskreativiteti e pa këmbëngulshmëria e Tiranës Zyrtare për ta pasur Washingtonin si Kryeqytetin me miqësor e më të pranishëm në zhvillimet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan. SHBA janë treguar tejet mbështetëse, ndihmuese, inkurajuese dhe dashamirëse ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. SHBA kanë qenë janë dhe do të vijojnë të jenë palëkundshmërisht në Shqipëri e me shqiptarët. Pyetja që më shqetëson mua, është se përse Tirana Zyrtare nuk po gjen dot, as mënyrat, as mekanizmat dhe as vullnetin për t’i konsideruar SHBA si Perëndimin më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Prof. Lisen Bashkurti: SHBA nuk vlerëson performancat individuale të secilit shtet të Ballkanit Perëndimor

Vizita e Ndihmës Sekretarit të DASH në disa shtete të Evropës lidhet me agjendën Amerikane, me sfidat e problematikat që po vërehen sot midis ShBA dhe BE. Krahas dosjeve bilaterale me vendet e veçanta Evropiane, agjenda e SHBA me Kontinentin duket të jetë më shumë në planin multilateral. Lidhur me agjendën e SHBA në Ballkanin Perëndimor unë mendoj se ata nuk kanë agjenda shtetesh individuale. SHBA ka qasje rajonale për gjithë Ballkanin Perëndimor. Konteksti rajonal nuk do thotë se SHBA nuk vlerëson performancat individuale të secilit shtet të Ballkanit Perëndimor. Por, gjithsesi konteksti rajonal është dominues mbi preferencat individuale.

Arian Starova, diplomat: Për mua, mosardhja e numrit 2 të DASH për Evropën e Azinë në Shqipëri, nuk do të thotë gjë

Arian Starova, diplomat në prononcimin për gazetën “Telegraf” shprehet se “Për mua, mosardhja e numrit 2 të DASH për Evropën e Azinë në Shqipëri, nuk do të thotë gjë. Ai mund të ketë agjendë sipas interesave diplomatike të tyre, por nëse gjatë kësaj kohe nuk ka ardhur në Shqipëri, nuk do të thotë se diplomacia e SHBA ka shmangur interesat e veta në Shqipëri.