Victoria Nuland: Të burgosen ata që janë të korruptuar, qofshin në sektorin e biznesit apo zyrtarë publikë!

463
Sigal

Flet Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland

Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland ka deklaruar në një intervistë për Top Channel se reforma në drejtësi duhet të vazhdojë dhe se Shqipëria ka nevojë të pastrojë gjyqësorin nga korrupsioni dhe të korruptuarit. 

Nuland foli për investime të biznesit amerikan në Shqipëri, duke përmendur projektin TAP dhe kërkime për naftë në det. Ajo komentoi edhe deklaratën e sekretarit Kerry për vakancat e ambasadorëve.  Zonja Nuland vlerësoi ambasadorin Arvizu dhe u shpreh se komentet e sekretarit i drejtoheshin Senatit për shkak të bllokimit të emërimeve si pasojë e luftës së brendshme politike.

  Korrupsioni ka qenë një prej vështirësive më të mëdha të Shqipërisë në 23 vitet e fundit. A mendoni se kemi nevojë të zëvendësojmë dhe ndëshkojmë vetëm të korruptuarit apo kemi nevojë të ndryshojmë të gjithë sistemin që nuk ka funksionuar?

N/S Nuland: Më lejoni të them se kundërvënia ndaj korrupsionit është një sfidë për cilindo vend të planetit; është sfidë edhe në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka nevojë t’ua them unë shqiptarëve që keni nevojë për një sistem më të pastër dhe më pak të korruptuar, dhe që ka nevojë për më shumë punë këtu. Nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, ajo që iu këshillojmë të gjitha vendeve dhe që përpiqemi të bëjmë edhe në vendin tonë është përpjekja për ta sulmuar korrupsionin nga disa kënde. Është e qartë që duhen ngritur çështje dhe të burgosen ata që janë të korruptuar, qofshin në sektorin e biznesit apo nëse janë zyrtarë publikë. Duhet të siguroni transparencën e kontratave; duhet të siguroni që të mos merret ryshfet. Ka shumë mënyra për ta sulmuar problemin; është ana e ligjzbatimit dhe drejtësisë si dhe ka gjëra si e-governance, e cila e bën më të vështirë që njerëzit të marrin ryshfet, por është edhe nevoja kulturore. Është edhe edukimi i popullsisë për të treguar tolerancë zero dhe për të raportuar korrupsionin dhe gjëra të ngjashme. Këtë punë mund ta bëni me sektorin e OJQ-ve, nëpërmjet edukimit, nëpërmjet mbështetjes komunitare. Pra, këshilla që iu japim vendeve është t’i kundërvihen nga disa drejtime.

Në një thirrje të kohëve të fundit për mungesat që ekzistojnë në vende strategjike europiane, si Hungaria, Turqia, Republika Çeke, Moldavia dhe Shqipëria, Sekretari Kerry tha, po citoj, “Pa autoritetin e një ambasadori, nuk mund të angazhohemi plotësisht me zyrtarë të niveleve më të larta në vendet ku vlerat e përbashkëta demokratike janë në rrezik.” A është Shqipëria një prej këtyre vendeve?

N/S Nuland: Së pari, më lejoni të them që editoriali i Sekretarit Kerry i drejtohej Senatit të SHBA, ku ne kemi dyzina të tëra ambasadorësh që presin të marrin detyrën pas konfirmimit nga Senati dhe gjërat kanë ngecur në luftwrat politike brenda Senatit. Ajo që donte t’i thoshte Senatit është që SHBA-të paguajnë një çmim kur kemi mungesa në nivel ambasadori. Siç është e qartë, në Shqipëri, kemi ambasadorin tonë të shkëlqyer Arvizu. Ka kohë të gjatë që është këtu. Zakonisht ambasadorët qëndrojnë për tre vjet. Jemi me shumë fat që ai është treguar i gatshëm të qëndrojë. Mendoj se ajo që donte të përcillte Sekretari është që në të gjitha këto vende, ne punojmë për zhvillimin demokratik, punojmë në Shtetet e Bashkuara, punojmë për ‘të edhe në Shqipëri. Gjërat për të cilat kemi biseduar tani – sundimi i ligjit, reforma gjyqësore, janë pjesë e saj.