Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Event politik. Mazhoranca është transparente, kërkon të kapë edhe pushtetin e Kryetarit e Shtetit

395
Sigal

Kështu e kam emërtuar statusin e bërë me 25 korrik 2017! Elektronika na mundëson ta verifikojmë sa e vërtetë është e kjo që trajtoj. Ja se çfarë thosha para dy vjetësh. “Meta u zgjodh Kryetar i Shtetit pa votat e opozitës parlamentare. Betimin e bëri në prani të opozitës. Uroj që të kryejë funksionet kushtetuese si përfaqësues i unitetit të Kombit!” Një politikan a analist duhet besuar kur është koherent me opinionet e tij, për t’i shërbyer interesave publike, jo atyre private. Sa koherent jam në këtë rast? Ta analizojmë. Unë e kam këshilluar Ramën kur isha deputet i PS, që PS-ja në 2009, të bënte koalicion me LSI, për të mundur “plakun e vjetër” të politikës- si kishte qejf ta ironizonte Berishën. Por ai nuk ishte dakord. Më 2012 u largova nga PS dhe themelova Lidhjen për Drejtësi e Progres. Më 2013 Rama, bëri koalicion me LSI dhe përmes sekretarit të koordinimit, Legisi më ftoi në koalicion. Por nuk isha dakord, sepse në janar 2011 Rama e zhvilloi protestën kundër Berishës, duke sulmuar Metën. Rama në 2017 e bëri Metën President të Republikës. Unë nuk isha dakord, por bëra statusin që citova. Rama, kur e bëri president, e portretizoi si “Presidentin më të mirë”! Tani e konsideron Haxhi Qamili i dytë dhe ka urdhëruar “ushtrinë e të marrëve” ta shkarkojë! Me djallëzinë e të marrit, thotë se shkeli Kushtetutën duke anuluar datën e zgjedhjeve vendore. Gënjen. Ju lutem, t’u kërkohet televizioneve të japin kronikën kur shumë kohë më parë Rama deklaroi se do e shkarkonte presidentin Meta, po nuk kishte votat e nevojshme. Sa u mbush parlamenti me ” stratiot”/ stratiot quheshin ushtarët në Bizant, Rama urdhëroi shkarkimin. Rama është në zbatim të projektit, për t’i kapur të gjitha pushtetet. S’e besoni? Ju rikujtoj si u shpreh kur i “mbushi brekushet” nga lëvizja studentore. “Do e shikoni si do e kap kreun e lëvizjes!”- deklaroi. Dhe e bëri fakt. Rama na ndihmon ta kuptojmë me “transparencën” e tij. Tani do të kapë edhe pushtetin e Kryetarit të Shtetit.

A duhet shkarkuar Presidenti? Pse çfarë ka bërë?

Ka kryer funksionin e Kryetarit të Shteti, si përfaqësues i unitetit të popullit, ashtu si e kam uruar dy vjet më parë. Sipas Kushtetues, presidenti akt ka dekretin. Atë ka bërë, dekret, për anulimin e një dekreti, si kanë vepruar edhe Presidentët Alia dhe Moisiu, pra nuk ka shkelur asnjë normë kushtetuese. Këtë e kuptuan edhe “stratiotët” e parlamentit, të cilëve, pasi u doli “efekti i drogës”, i kërkuan me paturpësi Komisionit të Venecias, a e ka shkelur Presidenti i Republikës Kushtetutën? O temporal, o mores! Stratiotët nuk kanë kulturën minimale juridike kushtetuese, duke u vetëdenoncuar, si trupa ushtarake që nuk ka krijuar Gjykatën Kushtetuese, si institucioni që bën interpretimin e ligjshmërisë së akteve që nxjerr parlamenti, presidenti, KQZ, Kolegji Zgjedhor dhe çdo institucion legjitim në Republikën e Shqipërisë. Me rastin e dy vjetorit kryetari i Shtetit bëri gjestin shumë institucional, duke depozituar ankesë në Gjykatën Kushtetuese, për anulimin e ligjit për prishjen e Teatrit. Klithma e aktorëve që ruajnë teatrin, nga artisti kryeministër, më duket si ora e mirë e rikthimit të politikes Institucionale, e zëvendësuar deri tani nga anarkizmi Haxhi Qamilist! Urime Presidentit të Republikës dhe i rikujtoj se në Gjykatën Kushtetutese duhej të kishte ankimuar të gjitha projekt ligjet që ka rikthyer në parlament!