Trump shkarkon këshilltarin për sigurinë, John Bolton, mbështetësin e flaktë të ndarjes së Kosovës

147

Presidenti Donald Trump, sapo ka njoftuar se ka shkarkuar këshilltarin e tij për sigurinë, John Bolton. Ky i fundit është një emër mjaft i njohur për shqiptarët, pasi ka mbështetur idenë e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes palëve.

“E kam informuar John Bolton, mbrëmjen e djeshme, se shërbimet e tij nuk do të jenë më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë. Unë nuk bie dakord në mënyrë të prerë me shumë prej sugjerimeve të tij”, shkruan Trump.

Presidenti lajmëroi se një këshilltar i ri për sigurinë do të caktohet javën e ardhshme.

Mendohet se shkarkimi i Bolton lidhet me qëndrimet e kundërta, që ai ka patur me presidentin, lidhur me anullimin e një plani paqeje, për të ftuar Talebanët në SHBA.

Bolton ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar si një ngjarje e cila binte ndesh me interesat e SHBA-ve. Ndërsa, lidhur me mundësinë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, Bolton është shprehur se nuk e përjashton këtë gjë dhe se SHBA nuk do të ndërhyjë në bisedimet mes palëve.

Mosmarrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një nga çështjet më të rëndësishme. Shumë njerëz kanë tentuar të ndërmjetësojnë. Këto përpjekje kanë dështuar(…). Mirëpo unë mendoj se ka shenja të reja se të dyja qeveritë mund të kenë vullnet për të negociuar këtë çështje në heshtje. Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territoriale. Nuk na takon ne“, është shprehur ish këshilltari i Presidentit Trump.