Topalli: Do rishikojmë mandatet, e pamundur bashkë me krimin. Balla: Po bllokojnë Reformën në Drejtësi

69
Pasi ish-kryeministri Sali Berisha tha se mund të dorëzojë mandatin pasi nuk mund të pajtohet me situatën e krijuar në Kuvendin e Shqipërisë, edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shprehur të njëjtin qëndrim. Pas bllokimit të seancës plenare, Topalli duke folur për mediat tha se është e papranueshme që persona që kanë lidhje me krimin të jetë pjesë e parlamentit. Sipas deputetes demokrate kjo është “një krizë e parlamentarizmit, është një degradim”. “Do lëshojmë mandatin sepse është e pamundur që të rrimë bashkë me krimin është një situatë e paimagjinueshme, është një krizë e parlamentarizmit, është një degradim. Pyetja pse nuk vlen më për kryeministrin aktual. Nga njëra anë kemi një varfërim dhe pasiguri e madhe, papunësi, dhe nga ana tjetër kemi një grup miliarderësh të fortifikuar nga një grup kriminelësh. Nuk ka asnjë paralele me kohën kur ishim ne në qeverisje. Kur unë drejtoja parlamenti ne nuk kishim një kryeministër që fuste kriminelë në parlament. Prenga nuk u fut me dhunë në Kuvend, por atë dhe prengat e tjera i solli Rama. Do ishte më e ndershme që në krye të vendit të qëndronte Armando Prenga, sepse ai është fytyra e vërtetë e kësaj qeveria. Për dorëzimin e mandateve është mendimi im, por kjo do të diskutohet në mbledhjen e grupit parlamentar”.

BALLA: PËR DEKRIMINALIZIMIN DO TË VIJOHET ME KONSENSUS, PO KALOHET NË IMPLEMENTIMIN E LIGJIT
Deputeti socialist Taulant Balla ka theksuar se me procesin e dekriminalizimit do të ecet ashtu siç e parashikon ligji. Balla tha se për këtë proces është rënë dakord me PD që të veprohet me konsensus, dhe tashmë duhet të vijohet me implementimin e dekriminalizimit. Sipas deputetit socialist, kthimi i Prengës në Kuvend është në alibi e PD-së për të bllokuar punimet e Kuvendit dhe Reformën në Drejtësi. “U bë e disata herë që PD dhe deputetët e saj tentojnë të kthehen në një avaz të vjetër. Edhe një vit ma parë kur filloi puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi kështu ndodhi. Tani dihet se reforma është afër, dhe arsyeja se janë kaq të nevrikosur nuk është fare ajo që shitet sot. Nuk ka të bëjë me një deputetët të përjashtuar, sepse ne kemi qenë të qartë që ditën e parë, se ne kemi qenë të qarta se çështja Prenga i përket sistemin gjyqësor, por kush e kontrollon gjyqësorin në këtë vend. Ka një shqiptar që nuk e di që gjyqësorin ne vend e kontrollon Sali Berisha? Por tani u duhet të krijojnë një alibi për të bllokuar Kuvendin, dhe për të bllokuar reformën në drejtësi. Ligjet nuk janë si ndërtimet pa leje në Kamëz, por duhen implementuar.
Këtë proces do ta bëjmë me konsensus dhe brenda afatit që na ka dhënë parlamenti. Përsa i përket projekt-akteve ne do t’i marrim në shqyrtim, do të bëjmë dhe ne nënvizimet tona. Ka çështje që tejkalojnë prerogativat që ka përcaktuar ligji,. Do t;i shqyrtojmë me ekspertët tanë, dhe do të japim dakordësinë tonë për pjesën. Procesi i dekriminalizimit duhet të ecë përpara, dhe do të ecë. Kanë një tufë gënjeshtra dhe shpifje përkundrejt figurave të PS. Procesi ligjor ecën me shkallë, është miratuar ligji, tani duhet të implementohet, duhet të implementohen aktet nënligjore. PD i kthehet luftës në sallën e Kuvendit sa herë ka probleme”, tha Balla. Më tej, deputeti socialist tha se “Deputetë të PD sot kanë hedhur fyerje personale ndaj figurave të PS. Basha të distancohet nga deputetët e PD që kanë thyer rregulloren e PS”.