Tirana, sot beteja për çmimin e ujt

87
Bashkia rrit çmimin e ujit të pijshëm, PD kundër, LSI vendos dy kushte 
Kryebashkiaku Erjon Veliaj ka vendosur të rritë çmimin e ujit për qytetarët. Kundërshtojnë ashpër PD. LSI vendos kushte dhe rrëfen emrat e deputetëve që e vjedhin
Bashkia e Tiranës po shqyrton rritjen e çmimit të ujit, sipas një vendimi, që do t’i propozohet Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, ditën e sotme. Sipas relacionit, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3.

Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3. Ne relacionin e bashkisë theksohet se shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujë-matës, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021, dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018. Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura. Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të Ujësjellësit. Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015. 
Veliaj: Edhe Kamza e ka çmimin e ujit më shtrenjtë
Gjatë dëgjesës së djeshme në Këshillin Bashkiak, Erjon Veliaj deklaroi se rritja e çmimit të ujit është domosdoshmëri, ndërsa hoqi një paralele me Kamzën. Ai tha se qytetarët e Bathores e marrin ujin më shtrenjtë se një qytetar në Tiranë. Sipas tij kryebashkiaku i Kamzës e blen me 12 lekë dhe e shet me 65 lekë një metër kub ujë. “Arsye pse kemi probleme nuk është Bovilla, por depozitat e pallateve. E mira e të pasurit ujë 24 orë prej rrjetit ka të bëjë me cilësinë e ujit. Ne duam ta bëjmë 24 orë.

Ajo që ne propozojmë është ta shikojmë me detaje Korçën. Xhelali e blen ujin më lirë tek ne dhe e shet më shtrenjtë tek qytetarët. Në një kohë që ai nuk ka borxhe. Ato i kemi ne. Ai 5 milionë euro që ne kemi fitim shkon për të larë këtë borxh.

Në këtë derexhe na sollën këta që sot bëjnë si histerikë dhe nuk erdhën fare në Këshillin Bashkiak. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka mbrojtur propozimin për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3. Veliaj tha se, brenda 5 viteve të ardhshme, kryeqyteti do të furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë, bazuar edhe në planin e investimeve te Ujësjellës-Kanalizimeve, i cili do t’i hapë rrugën investimeve të mëdha e të nevojshme për mospërsëritjen e situatave të emergjencës.“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të kursejnë ujin e pijshëm, pasi jemi ende në një situatë krize. Duam që brenda 5 viteve, me planin tonë të investimeve, Tirana të ketë ujë 24 orë. Nëse dikush është i shqetësuar për atë 20 lekëshin, mjafton vetëm 10 sekonda të mbylli çezmën. Sikur 10 sekonda të kursejë ujë në ditë, as nuk e ndjen fare në faturë të gjithë diferencën e çmimit. Ama, me çmim sikur të ishim në Bathore, do kemi ujë sikur të ishim në Korçë”, theksoi Veliaj, teksa inspektoi përfundimin e punimeve për rikualifikimin urban të bllokut të kufizuar nga rrugët “Muhamet Gjollesha” – “Myslym Shyri” – rruga e “Kavajës”.

PD-LSI, nis fushata kundër socialistëve
Bashkia e Tiranës e kontrolluar nga socialisti Erion Veliaj po përpiqet të kalojë për miratim një vendim për rritjen me rreth 44% për qind të çmimit të ujit, duke dashur të rritë arkëtimet e ndërmarrjes në varësi të saj, Ujësjellës Kanalizime Tiranë. Kërkesa e Veliajt, që mbështetet nga grupi i këshilltarëve socialistë, vjen ndërsa mbarë kryeqyteti vuan nga mungesa e përditshme për shumë orë e ujit të pijshëm. Kjo kërkesë vjen edhe në kushtet kur uji, në më të shumtën është i papastër për t’u konsumuar duke detyruar pjesën më të madhe të qytetarëve që jetojnë në Tiranë, ta blejnë rregullisht atë. Kërkesa vjen edhe në kushtet kur uji në çezmat e familjeve vjen jo më shumë se në 3 deri 6 orë në ditë ndërsa bashkia pretendon se siguron 13 orë në ditë. Të hënën kryebashkiaku Veliaj premtoi se në vitet në vazhdim, do të ketë 24 orë ujë në ditë në gjithë Tiranën, premtim që duket si ëndërr pasi është përsëritur prej afro tre dekadash nga kryebashkiakët dhe krerët e partive që i kanë kandiduar në ato poste. Kurse dje, duke komentuar synimin për të shtrenjtuar ujin, Veliaj tha se kjo është e vetmja mënyrë për të rritur investimet dhe për t’i siguruar Tiranës brenda një periudhe 2-vjeçare 24 orë ujë të pijshëm. Në kuadrin e vendimit që kërkon të miratojë Veliaj, ka nisur oponenca e fortë ndaj tij. Si Partia Demokratike, ashtu dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke paralajmëruar votat e këshilltarëve të tyre kundër. 

Ku shkojnë paratë e fituara nga ujësjellësi?
Gjatë dëgjesës me kryebashkiakun e Tiranës, thirrur ditën e djeshme nga këshilltarët e LSI-së, Erjon Veliaj gjeti një zgjidhje të shpejtë se ku shkonin paratë e fituara nga ujësjellësi. Pranoi se ka fitim të madh nga uji në kryeqytet, por deklaroi se i gjithë fitimi shkon për të larë borxhet që, sipas tij, i ka lënë ish-kryebashkiaku Lulzim Basha, për të cilin tha se, kishte marrë një borxh prej 20 milionë lekësh në një bankë të nivelit të dytë në rrugën e Elbasanit. 

Por si do të ndahen paratë që do të investohen në ujësjellës sipas Veliajt?
10 mln në burime të reja. Burimi i Gurit të Bardhë në Burrel.
50 mln në transmetim aty ku ne kemi humbjet.
Pjesën më të madhe kredisë do investohen në transmetim
Tjetra është rrjeti i shpërndarjes.
Matësit dhe automatizimi 
40 mln është për kanalizimin
120 mln kredi me 12 vjet afat shlyerje dhe tre vite me interesa zero