Tirana në shtetrrethim, për gjyqin ndaj protestuesve 1.000 policë paralizojnë gjysmën e Tiranës

421
Jakup B. GJOÇA
Policia e Shtetit “përkujdeset” që gjyqi të zhvillohet me dyer të mbyllura, ministri i Brendshëm nuk i hap telefonin deputetit të gjakosur nga policia
Mëngjesi i djeshëm u gdhi në Tiranë, nën hijen e mbi 1.000 policëve, forcave speciale të Policisë dhe dhjetëra automjeteve të Policisë së Shtetit, të cilët kishin organizuar Shtetrrethimin e Tiranës në perimetrin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ku do të zhvillohej gjyqi ndaj 23 protestuesve të Kukësit, ndaj të cilëve do të vendosej nga gjykata e Kukësit, e ardhur në Tiranë, masa e sigurisë. 
Shtetrrethim i policisë ndaj popullit
Ora 06.00 Shtetrrethimi në një qytet, zakonisht vendoset nga forca të ushtrisë pushtuese, mirëpo në mëngjesin e djeshëm policia e Shtetit zbatoi operacionin policor të Shtetrrethimit në Tiranë, në perimetrin rreth Gjykatës së Tiranës, me pretekstin e ruajtjes së Rendit nga …qytetarët protestues. Operacioni policor i shtetrrethimit ndaloi qarkullimin, jo vetëm të automjeteve, por edhe të këmbësorëve në rrugët dhe rrugicat përreth Gjykatës, në një perimetër prej 1 kilometër, izoloi edhe banorët, duke i ndaluar ata të hynin dhe të dilnin nga shtëpia. Që herët në mëngjes, qytetarët u ndeshën me pasojat e shtetrrethimit. Rrugët e Tiranës u bllokuan nga qarkullimi i mjeteve, sepse nga mosinformimi u shkaktua kaos i madh. 
Ora 8,25 Banorët nuk e çajnë dot shtetrrethimin as me …pasaportë
Kaq i rreptë është operacioni policor i shtetrrethimit të gjysmës së Tiranës, sa edhe një e moshuar 80 vjeçe, në orët e para të mëngjesit donte të shkonte në shtëpinë e saj e penguan policët. E moshuara, duke mos e kuptuar shtetrrethimin policor, u lutet policëve që ta lejonin të shkonte në shtëpi, pasi e ka të pamundur fizikisht të vijë rrotull perimetrit të shtetrrethimit policor. Për t’i bindur policët që është banore e kësaj lagjeje, e moshuara u dëfton edhe ….pasaportën, thua, se në shtetrrethimin policor, banorët do të shkojnë në shtëpi me …pasaportë. Por, as pasaporta, nuk i bindi dot policët të thyenin …shtetrrethimin policor. 

Ora 09.00 Policia mbyll dyert e gjyqit, edhe për… deputetët
Qindra qytetarë u mblodhën në anën tjetër të Lanës, përballë Gjykatës së Tiranës, dhe thërrisnin “Lironi djemtë tanë!”. Seanca gjyqësore ndaj 23 protestuesve ishte planifikuar me dyer të hapura, ndaj në orën 09.00 deputetë të opozitës u munduan që të futeshin në sallën e gjyqit. Mirëpo, pa vendim gjykate, policia mbyll dyert e sallës së gjyqit, duke mos lejuar të hyjnë as deputetët. Kjo masë policore e pashembullt, e jashtëligjshme, irritoi deputetët, të cilët u munduan me forcë të hynin brenda. Është vetë drejtori i Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj, që nuk lejon deputetët të futeshin në sallën e gjyqit. Seanca gjyqësore ndërpritet, pasi avokatët kërkojnë që të dalin nga salla e gjyqit edhe forcat e policisë. 

Ora 09.12 Policia gjakos deputetin 
Deputetët u përleshëm trup me trup me forcat e policisë, të cilat kishin bllokuar dyert e sallës së gjyqit. Nga kjo përplasje verbale, deputeti dhe nënkryetari i PD-së Edmond Spaho gjakoset. Deputeti Spaho i kërkon llogari Skënderajt, se pse nuk lejohen të futen në sallë, atje ku do të caktohet edhe masa e sigurisë për 23 protestuesit e arrestuar. “Policet e tu më gjakosen me ç’të drejtë pengon deputetët të futen? Nuk ka vendim për seancë me dyer të mbyllura. Më thuaj, kush të ka dhënë urdhër për të mos më lësh mua në gjykatë, këtë më thuaj kush të dha urdhër, më thuaj”, i thotë deputeti Spaho drejtorit të Policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj.

Ora 10.25 Ministri Xhafa i mbyll telefonin deputetit 
Atëherë deputeti Spaho i telefonon ministrit të Brendshëm, Xhafaj. “Gjyqtarja deri tani nuk ka dhënë vendim. Kemi ardhur në kohën që nuk ishte marrë vendimi. Na thanë do hyni dhe nuk na lejuan të hyjmë. Tani se si i kurdisni ju këto, që nuk lejoni deputetët, ky është turp i madh. Në nuk kemi ardhur këtu për të ushtruar dhunë, në kemi ardhur të ndjekim gjyqin, ju nuk na lejoni. Kjo nuk ka bërë vaki as në kohën e Enverit, që të rrihen deputetët. Të mora që ta zgjidhim, je ministër i Brendshëm, ti mban përgjegjësi”- ka thënë Spaho në telefon.” Mirëpo ministri i Brendshëm Xhafaj ia mbylli telefonin deputetit Spaho.

Ora 11,35 Rifillon seanca gjyqësore
Senaca gjyqësore rifillon, duke lejuar deputetët të marrin pjesë, por largojnë median nga salla e gjyqit. 

Ora 14. 30 Jepet vendimi: 11 protestues, “Arrest me burg”
Gjykata e Kukësit e mbledhur në Tiranë pas një seance ku mbizotëroi tensioni dhe dhuna, vendosi të lërë pas hekurave 11 prej protestuesve, nga 23 të arrestuar. Kujtojmë se këtë masë për 11 personat, kishte kërkuar edhe prokuroria, ndërkohë që për 12 protestuesit e tjerë është caktuar masa ‘detyrim paraqitje’.
Policia “civile” arreston protestues
Ndërkohë, gjatë ditës policia, me uniformë civile arreston edhe qytetarë, të cilët protestojnë paqësisht para gjykatës së Tiranës. Dy të rinj të Forumit Rinor të PD, janë shoqëruar me dhunë nga policia në Komisariatin numër 2 në Tiranë. Sipas Partisë Demokratike, e cila denoncon ngjarjen, dy të rinjtë janë rrahur nga punonjësit e policisë. Për t’i ardhur në ndihmë, pranë Komisariatit numër 2, ka mbërritur edhe një autoambulancë. Mësohet se dy të rinjtë e FRPD të arrestuar janë shtetasit Gentjan Gjonaj dhe Ardit Zeneli.
Skandali: Gjykatësja që la në burg kuksianët, është gruaja e një drejtuesi në Policinë e Shtetit 
Gjykatësja Alma Ahmeti, e cila dha dje vendimin për protestuesit kuksianë të arrestuar, është në konflikt interesi dhe nuk duhej të gjykonte fare këtë çështje. Kjo gjyqtare është gruaja e një drejtuesi të Policisë së Shtetit, Erion Ahmeti, ndaj në çdo veprim të saj deri dje, padyshim është ndikuar edhe nga interesi i drejtorit të policisë, i cili është bashkëshorti i saj. Është neni 17 i Kodit të Procedurës Penale, pika ‘ë’ te paragrafi 1, përcakton, përse gjyqtarja Ahmeti, është në konflikt interesi të gjykojë këta protestues, derisa ajo është bashkëshortja e drejtuesit të Policisë së Shtetit. Gjyqtarja Ahmeti, pa dhënë arsyetim bindës, zhvendosi gjykimin në Tiranë, dhe në gjykimin e djeshëm, nuk pranoi falsifikimin që i është bërë orës së arrestimin të protestuesve nga Policia e Shtetit dhe prokuroria, edhe pse në gjyq u dhanë prova të besueshme, që protestuesit janë arrestuar në mesnatë në orët 02-03.00, kur edhe ligji e ndalon kategorikisht. Gjyqtarja dha masën e sigurisë për 11 protestues, jo nga pesha e veprës penale që ata kanë kryer, por sepse është ndikuar politikisht nga kryeministri Rama, i cili deklaroi se do të ndëshkohen rëndë “vandalët”, ngaqë gjyqtarja ka bashkëshortin e saj drejtor të Policisë së Shtetit. Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, shkruan se “Këto arrestime që ajo gjykon nuk janë bërë nga gjykata, por nga Policia. Në këto raste Policia i përdor bashkëshortët për të justifikuar veten… Do kishte qenë në nderin e saj, përveç se në respekt të ligjit, që të dorëhiqej nga kjo çështje! Cilido qoftë vendimi i saj, do jetë i paragjykuar!”
Reagimet politike 
15.12 Lulzim Basha: Ky është një regjim që shkel dhe nëpërkëmb liritë dhe të drejtat e qytetarëve
Protesta e Kukësit, ka nxjerrë para gjithë shqiptarëve fytyrën e këtij regjimi kriminal që mbahet në këmbë përmes mashtrimit dhe forcës. Edi Rama, ka privatizuar policinë, gjykatat, prokurorinë, për të vazhduar grabitjen e shqiptarëve dhe për të pamundësuar drejtësinë e vërtetë. Çfarë lidhje ka ky regjim, që e liron Orest Sotën të kapur me 860 mijë euro në makinë, me makinat e Sajmir Tahirit dhe mban në burg Florin Onuzin, babain e tre fëmijëve të grabitur në mes të natës, pasi i kishin terrorizuar fëmijët, sikur të ishte terrorist. Ky është një regjim që shkel dhe nëpërkëmb liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Katër ditët e fundit keni parë se si gjykatat, prokuroria, policia por edhe gjykata kanë shkelur dhe nëpërkëmbur të drejtat e qytetarëve të pafajshëm që protestonin për të drejtat e tyre legjitime, si Lulzim Popa, invalid që u grabit të mes të natës dhe u mbajt dy ditë pa ilaçet e tij duke i terrorizuar nipër e mbesa. Ky është një regjim që burgos popullin dhe lë kriminelët të lirë. Burgos qytetarët që ngrihen për të drejtat e tyre dhe lë të lirë Sajmir Tahirin që është kapur me përfitime miliona euroshe nga trafiku i drogës, kur ishte Ministër i Brendshëm.

Ora 15 25 Monika Kryemadhi: Drejtësia vdiq, tashmë fjalën e ka populli
“Hakmarrja primitive e Edi Ramës u pasqyrua sot në vendimin e Gjykatës, krejtësisht arbitrare dhe në shkelje të hapur të ligjeve dhe kushtetutës së vendit. Kryeministri humbi sot përballjen e tij me të vërtetën dhe shtetin e së drejtës. Ai dhe veglat e tij në prokurori dhe gjykatë po sot dëshmuan se drejtësia vdiq. Jetojmë tashmë në një shtet policor. Prokurorët dhe gjykatësit janë nën thundrën e policisë. Veprimi i sotëm tregoi që Reforma në Drejtësi instaloi përfundimisht kapjen e sistemit të drejtësisë nga politika e inkriminuar. Tashmë më këtë pushtet nuk ka më asnjë bashkëveprim civil. Ky vend është në duart e një kryeministri hajdut, të papërgjegjshëm dhe peng të bandave dhe kriminale. Por më shumë dhe çdo ditë po bëhet dhe peng i oligarkëve. Opozita e bashkuar nuk do ta lejojë këtë reprezalje të krimit të veshur me pushtet. Frika nga populli po ia merr frymën por ky frikacak nuk mund ta mbysë një popull të tërë. Veprimet e opozitës janë legjitime tashmë në krye të popullit që nuk pajtohet me dhunën policore dhe kriminale të Edi Ramës. Ata policë që i shërbejnë pushtetit duhet të llogarisin edhe fundin e karrierës së tyre bashkë me pushtetin e Edi Ramës. Po kështu edhe ata gjykatës e prokurorë që me zellin e tyre anti popullor po i shërbejnë Edi Ramës dhe krimit të organizuar. Sot fjala e politikës mbaroi. Tani fjalën e ka populli”- tha Kryemadhi.
Ora 15. 40 Berisha: Tani radhën e ka revolta e përgjithshme popullore
Vendim politik hakmarrës dhe antikushtetues! Farsa gjyqësore politike më e turpshme, që nga kohërat më të zeza në diktaturë. Vendimi i turpshëm i bazuar kryekëput në falsifikime kriminale të dosjeve e procesverbaleve dhe pa asnjë provë e asnjë fakt dhënë me urdhër të kryegjykatësit, kryetrafikantit Edvin Kristaq Rama dhe që e lexoi në sallën e gjyqit përfaqësuesja e tij. Ky vendim që lë në burg dhe arrest shtëpie shumicën e protestuesve të pafajshëm, është një thirrje për çdo shqiptar të përmbysim sa më parë këtë klikë të urryer nga mbarë shqiptarët! Tani radhën e ka revolta e përgjithshme popullore!”. 
Sigal