Tahiri: Shqipëria rrezikohet nga zjarret, pasojat dhe faturat e larta

422
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i pranishëm në konferencën përmbyllëse të stërvitjes së përbashkët rajonale për emergjencat civile “Join Reaction 2015”, tha se asnjë vend nuk është imun ndaj fatkeqësive dhe emergjencave natyrore dhe se Shqipëria shkon më e përgatitur përballë këtyre sfidave falë ndihmës dhe kontributit të partnerëve. 
“Ju falënderoj për mundësinë që i dhatë forcave tonë të mbrojtjes civile për të marrë pjesë dhe për të organizuar stërvitjen “Join reaction 2015”, si një përgatitje për të përballuar sfidat me të cilat përballet shoqëria jonë, institucionet. Sfida që nuk mund të jenë të suksesshme pa ndihmën e ndërkombëtarëve. E vetmja mënyrë që forcat tona të kenë mundësi të hedhin hapa të tjerë përpara për rezultate më të mira për Shqipërinë më të sigurt dhe shoqërinë më të sigurt. Të vetëdijshëm për rreziqet na kanosen. Askush nuk është imun. Jemi dëshmitarë të efekteve shkatërruese vetëm pak kohë të çdo lloj fatkeqësie”, tha Tahiri. 
Ministri i Brendshëm theksoi se dëmet ekonomike dhe fatura financiare nga fatkeqësitë natyrore janë të paimagjinueshme si për vendin ashtu edhe për të ardhmen e zonave të prekura, ndaj duhet një angazhim total i strukturave të mbrojtjes civile. 
“Vetëm dje në Shqipëri ishin aktive 7 vatra zjarri me mbi 10 hektarë pyje e kullota. Ndonëse nuk duket e rëndë, pasojat e ngjarjeve të djeshme kanë pasoja shkatërruese për ekonominë në atë zonë, për qytetarët. Angazhimi total i strukturave të mbrojtjes civile, të institucioneve në tërësi pa dyshim sjell efekt në këtë kuadër, por në fund të ditës ne dimë që rreziku është pas dere dhe kjo imponon marrjen e masave duke filluar me përmirësimin e kuadrit ligjor. Shqipëria rrezikohet nga zjarret, pasojat dhe fatura financiare tepër e lartë. Dëmton ekonominë e vendit dhe të ardhmen zhvillimore të zonave”, u shpreh Tahiri.
Sigal