Spitali Ushtarak i Tiranës, është një pazar i ndarë pjesë-pjesë mes shtetit dhe privatit

109

Kryetari i PS-së, Edi Rama, takohet me personelin mjekësor të SUT-së, duke evidentuar nga afër problemet

Kreu i PS-së, Edi Rama është takuar me drejtuesit, mjekët dhe infermierët e  Spitalit Ushtarak,  prej të cilëve është njohur me gjendjen dramatike në të cilën ndodhet ky spital. Pjesë të shumta të tij u janë dhënë privatëve, në mënyrë krejt abuzive, edhe pasi aty nga donatorët janë investuar shuma të mëdha për rikonstruksione dhe modernizime. Kështu kati i dytë i spitalit i është dhënë një subjekti privat, ndërkohë që kati i parë, i tretë dhe i katërt mbeten shtetërore. “4 milion e 280 mijë dollarë janë investuar nga qeveria Norvegjeze në këtë godinë që jemi këtu dhe pastaj të gjitha këto i morën privatët”, tregon njëri nga mjekët që shoqërojnë kryesocialistin nëpër mjediset e spitalit. E ndërkohë që pjesë të spitalit u janë dhënë privatëve dhoma e grafisë për fëmijët e vegjël që vuajnë nga sëmundjet e kockave është vendosur në mjediset e kabinës elektrike që furnizon spitalin me energji. “Fëmijët 0 deri në 6 muaj futen në ambientet e kësaj kabine elektrike”, thotë një tjetër mjek, ndërsa specialisti që kryen grafitë në këtë mjedis pune, një burrë i thinjur me një përvojë të gjatë në profesionin e tij shton: “Kjo dhomë këtu, mbase e kryen disi funksionin e saj, por prezantimi institucional duhet të ishte më bashkëkohor, më i konceptueshëm. Nuk koncepton njeri në botë që grafia të jetë këtu, fizioterapia në një vend tjetër, kartoteka në një kat tjetër. Një hallakatje e pakuptimtë”. Mjekët po ashtu i kanë treguar kreut të Partisë Socialiste për mungesën e theksuar të bazës materiale, çka i detyron pacientët që të sjellin me vete të gjitha materialet që duhen për operacionet që duhet të kryejnë. “Sot, po të duash të operohesh, duhet t’i blesh të gjitha vetë. Unë për shembull, kam operuar në mëngjes dhe pacienti duhej të sillte një shishe betadinë dhe materialet e tjera si garza, bende, madje edhe doreza. Që të gjitha i blejnë vetë. A i keni parë farmacitë si kanë mbirë atje jashtë spitalit, 20 a 30 janë te dera. Nga 5 milionë xhiro në ditë bëjnë rrezik. Janë blerë dhe serumet para një jave”, shprehet një tjetër mjek i Spitalit Ushtarak, i cili nuk e fsheh aspak mërzinë e tij për këtë gjendje ku është katandisur ky institucion, teksa thotë: “Mjerë kujt i bien të shtrohet”. Mjekët duket se kanë shumë për t’i thënë kreut të PS-së, aq sa shpesh ja marrin fjalën nga goja njëri-tjetrit. “Nuk ka karburant. Ambulancat e gatishmërisë ka 8 muaj nuk lëvizin se s’ka karburant”, thotë njëri prej tyre, duke treguar me dorë ambulancat, që “pushojnë” në parkim prej shumë kohësh. Si për t’i vënë kapakun gjithë kësaj ekspozeje vjen edhe një statistikë po aq skandaloze. “Buxheti në 5 vitet e fundit është rritur me 70%, ndërsa numri i shtrimeve është ulur duke arritur në 3 mijë. Pra shtrimet bien dhe buxheti ngrihet, ndërsa shërbimi është ky që shikoni”, tregon një nga mjekët, që më pas teksa kryesocialisti e pyet se ku shkojnë këto fonde, ngre duart lart si për të thënë “një Zot e di”. Kryesocialisti Rama, nga ana e tij, ka vlerësuar lart rëndësinë që ka ky Spital, që është unik në llojin e vet në Shqipëri. “Në dy tre momente tragjike që ka pasur ky vend, të gjithë tek dera e këtij spitali kanë ardhur. Kjo mjafton për të kuptuar një gjë shumë të thjeshtë, që po u humb kjo bazë zbarkimi e njerëzve në nevojë, për ndërhyrje të shpejtë, apo për ndërhyje të specializuar për trauma, ku do shkojnë. Ku do shkojnë?!”, është shprehur kreu i PS-së. Ai ka theksuar se gjëja e parë që duhet dhe do të bëjë qeveria socialiste menjëherë pas 23 qershorit do të jetë rimarrja e kontrollit të plotë të mjediseve spitalore dhe vendosja e tyre në efiçencë në funksion të të sëmurëve. “Duhet filluar me hapin e parë që është rimarrja e kontrollit mbi territorin e spitaleve të Republikës së Shqipërisë nga shteti. Se këtu territoret e spitaleve janë bërë toka e asnjërit, oburra kush mundet, njëri zapton për një parkim, tjetri për një lavash, tjetër për një piceri. Dhe, ndërkohë, qeveria vazhdon me të vetën një kat ja jep një privati, një cep ia jep një privati tjetër. Njerëzit hynë e dalin, makinat hyn e dalin. Këtu vetëm spital nuk është kur e sheh. Po jo ky, por në territorin spitalor të Republikës së Shqipërisë vetëm spital nuk ka nga pikëpamja e asaj që sheh, e asaj që të rrethon dhe e asaj që të pret”, është shprehur Rama.