Sot në 10:00, Kuvendi i Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve

511
Sigal

Kreu i PD, Lulëzim Basha: Start i fuqishëm për përgjegjësi para votuesve dhe ardhjen sa më shpejt në pushtet

Sot në orën 10:00, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës së sotme mbanë Kuvendin e saj. Kjo ngjarje e rëndësishme, nga drejtues të kësaj force politike, simpatizantë të saj, aleatët politik në vend e jashtë Shqipërisë, shikohet si një eveniment për forcimin e rolit të kësaj force në opozitë, shtimin e radhëve të saj dhe ardhjen e shpejtë në pushtet.  Kuvendi u parapri me një aktivitet të rëndësishëm organizativ për zgjedhjen e njerëzve më të mirë në drejtimin e degëve në rrethe. Lulëzim Basha, kryetar i kësaj force të politike, pritet të pasqyrojë objektivat e kësaj force politike si dhe rrugën që ai e ekipi i ri drejtues do të ndjekë për ardhjen e afërt në pushtet. Partia Demokratike, si një pasuri e çmuar kombëtare, është forca politike që përmbysi sistemin socialist dhe Shqipëria nisi komunikimin e ndërprerë në dekada me Europën…

NGA HISTORIKU I PD

Partia Demokratike e Shqipërisë u krijua më 11 dhjetor të vitit 1990 nga një grup studentësh dhe intelektualësh shqiptarë midis të cilëve Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Eduard Selami etj., për të luftuar për të drejtat e njeriut, pluralizmin politik, lirinë e fesë, lirinë e fjalës dhe për një Shqipëri më të mirë e të zhvilluar dhe me orientim perëndimor europian. Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike u zgjodh studenti Azem Hajdari. Me vonë kryetar i Partisë Demokratike u zgjodh mjeku kardiolog Sali Berisha. Ajo ishte partia e parë opozitare pas lejimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Në zgjedhjet parlamentare të marsit të vitit 1991, Partia Demokratike nuk arriti të fitojë shumicën në Parlament. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 22 marsit të vitit 1992 Partia Demokratike fitoi shumicën absolute të vendeve në parlament. Ajo qeverisi deri në vitin1997. Gjatë kësaj periudhe qeveria e Partisë Demokratike kreu një sërë reformash për të liberalizuar vendin, për të ndërtuar ekonominë e tregut të lirë, për të siguruar sundimin e ligjit dhe për ta konsoliduar sistemin demokratik zgjedhor. Në hapjen e saj ndaj botës së jashtme, Shqipëria nënshkroi qindra marrëveshje bashkëpunimi me vendet e Europës dhe më gjerë. Në vitin 1993, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Partneritetit për Paqe dhe më pas, në vitin 1995, u anëtarësua në Këshillin e Europës. Gjatë trazirave të vitit 1997, që u shkaktuan nga rënia e firmave piramidale, qeveria e Partisë Demokratike me kryeministër Aleksandër Meksi dha dorëheqjen dhe u zëvendësua nga një qeveri kalimtare të drejtuar nga Bashkim Fino i Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e parakohshme të qershorit të vitit 1997 të zhvilluara në një atmosferë jo të qetë, ku kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike nuk mund të bëni fushatë zgjedhore, për shkak të dhunës së bandave të armatosura që përkrahnin Partinë Socialiste, Partia Demokratike kaloi në opozitë. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Në vitin 2005, Partia Demokratike u rikthye në pushtet më sloganin “Koha për Ndryshim”, duke premtuar përçimin e vlerave dhe vazhdimin e ndryshimeve të nisura në vitin 1992 – si liria, liberalizimi dhe rruga drejt prosperitetit.

Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike fitoi më shumë vende në parlament se koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste, por iu desh koalicioni me partinë e majtë Lëvizja Socialiste për Integrim për të krijuar qeverinë.

Gjatë këtyre mandateve të qeverisjes së Partia Demokratike dhe aleatëve të saj u ndërtuan më shumë se 10.000 km rrugë, duke lidhur me rrugë të asfaltuara mbi 900 fshatra me komunat dhe 169 komuna me infrastrukturën rrugore kombëtare. Për t’u përmendur është rruga Durrës-Kukës, që njihet ndryshe si Rruga e Kombit, sepse lidh Kosovën me qytetin e Durrësit. Kjo rrugë përshkon Shqipërinë lindje-perëndim dhe është vepra më e madhe rrugore në historinë e Shqipërisë. Ndërtimi i kësaj rruge u kritikua nga Partia Socialiste si shumë e kushtueshme. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në një fjalim në Kukës gjatë ndërtimit të rrugës, theksoi se me paratë e harxhuara për ndërtimin e kësaj rruge do të ishin ndërtuar shumë rrugë të tjera në Shqipëri.

Një tjetër arritje e qeverisjes së Partisë Demokratike ishte sigurimi i energjisë elektrike pa ndërprerje për qytetarët shqiptarë për herë të parë në historinë e Shqipërisë.

Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike u krijuan kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO gjë që u realizua më 2 prill 2009. Gjithashtu, u plotësuan të gjitha kushtet dhe kriteret për heqjen e vizave me vendet e Bashkimit Europian. Mbas miratimit të këtij vendimi nga Parlamenti Europian, ai hyri në fuqi më 15 dhjetor 2010.

Në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike humbi ndaj koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetari i Partisë Demokratike Profesor Doktor Sali Berisha pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe dha dorëheqjen si Kryetar i Partisë Demokratike. Një muaj më vonë, u zhvilluan zgjedhjet sipas parimit një anëtar një votë për Kryetarin e Partisë Demokratike. Në këto zgjedhje kandiduan ministri i Ministër i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Zgjedhjet u fituan nga Lulzim Basha.

KRYETARËT E PD NË 24 VITE

Njeriu i parë që ka drejtuar forcën më të madhe të së djathtës ka qenë Azem Hajdari, i cili ishte kryetar i komisionit nismëtar të kësaj force politike. Në shkurt të vitit 1992 drejtimin e PD e mori Sali Berisha njeriu që do të shënjonte historinë e kësaj force politike për me shume se dy dekada. Kur Berisha u zgjodh president i vendit kryetar i Partisë Demokratike u bë Eduard Salami, i cili qëndroi në këtë post deri ne vitin 94. Pas humbjes së referendumit për Kushtetutën, Selami kërkoi bashkimin e postit të kryetarit të partisë me atë të kryeministrit kërkesë kjo që solli çarjen e madhe të Selamit me Berishën. Eduard Selami u largua nga Shqipëria dhe u rikthye në PD vetëm në vitin 2013 për të garuar në zgjedhjet e 23 Qershorit në zonën e Librazhdit. Pas Selamit kryetar i demokrateve u bë Tritan Shehu, i cili e mbajti këtë detyrë deri në vitin 1997, kohe kur Berisha dha dorëheqjen nga post i Presidentit dhe u rikthye ne krye te Partisë Demokratike. Kryetari aktual i PD-së është Lulëzim Basha.

ORGANIZIMI I PD-S

Partia Demokratike e Shqipërisë, shtrihet në të gjithë territorin e vendit, nga veriu në jug. Strukturat funksionojnë mbi bazën e territorialitetit dhe ndarjes administrative, apo në zona elektorale, sipas kritereve të vendosura. Njësitë organizative të saj janë : seksioni, operativ, si rregull, në territorin e çdo qendre votimi; grupseksioni, operative; si rregull në territorin e çdo lagjeje; nëndega e Partisë Demokratike, operative si rregull në territorin e një zone elektorale; dega e Partisë Demokratike, që përfshin strukturat e partisë në një rreth.