INTERVISTA/ Sokol Hazizaj: Ja pse Reforma në Drejtësi mund të shpërbëhet si kështjellë rëre

1235
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Pezullimi i të drejtës së kandidimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kaluan KPK, por që nuk kanë ezauruar deri në fund procesin e ankimimit në Kolegj, do të përbëjë shkak ligjor të mjaftueshëm të tronditjes së sistemit të drejtësisë

Sokol Hazizaj, kotuticionalist, në intervistën për gazetën “Telegraf” e pohon se mazhoranca nuk ka vullnet politik, për të hequr dorë nga kontrolli i drejtësisë, dhe kjo duket edhe se vendimet e gjykatave administrative dhe ato të vettingut kanë karakter politik. Kostitucionalisti Hazizaj pohon se përjashtimi i kandidatëve gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët nuk e kanë kaluar të gjitha shkallët e gjykimit të vettingut nga gara për KLP dhe KLGJ, mund të tronditë gjithë sistemin e drejtësisë, nëse ata do të fitojnë në gjykimin përfundimtar të drejtën.

Zoti Hazazaj, a mendoni se në KLP dhe KLGJ ka anëtarë që janë të zgjedhur politikisht?

– Në fillim duhet pranuar se ndryshe nga mënyra e mëparshme e zgjedhjes dhe funksionimit te Këshillit të Prokurorisë, organizimi dhe funksionimi i Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë i Gjykatës, si pasojë e Ligjit të ri mbi Prokurorinë dhe organeve qeverisëse të drejtësisë, është risi ligjore dhe kushtetuese që dhe në se politika sot në mënyrë të sforcuar ndërfuti individë të saj, e ardhmja do jetë ndryshe. Kjo për disa arsye, që fillojnë që nga roli procedural i prokurorit dhe deri në funksionimin e gjykatave. Gjithsesi, duhet pranuar që politika, mazhoranca duket hapur që nuk e ka vullnetin pozitiv për zgjidhjen e kontradiktave ligjore që vihen re përditë në ligjet, rrjedhojë të reformës në drejtësi. Mjafton të shohësh me kujdes krijimin dhe pamundësinë formatimit të KED, konstatohet lehtë që shqiptarët do të qëndrojnë për kohë të gjatë pa gjykatë kushtetuese dhe atë të lartë.

A mund të themi se kjo është një rrezik, që politika të ketë ndikim në vendimmarrjen e institucioneve të Gjyqësorit?

– Është infantile të besosh që vulgariteti qeverisës politik të heqëdorë menjëherë nga ndikimi, apo presioni mbi drejtësinë. Mjafton të shohësh mënyrën me shumë standarde të veprimtarisë së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, konstatohet se produkti dhe për kohë të tjera do jetë politik. Mjafton që të hedhësh sytë nga veprimtaria e gjykatave administrative dhe vendimmarrja në to, konstaton se përmbajtja e tyre është tërësisht politike.

A duhet që në Institucionet e reja të Drejtësisë, sikurse KLP, KLGJ, KED etj, të jenë anëtarë edhe ekspertët, edhe hartuesit e Reformës në Drejtësi? Duhet të dyshojmë se kriteret e përzgjedhjes të anëtarëve të institucioneve të reja në Drejtësi janë sërish nën kontrollin e pushtetit Ekzekutiv dhe Legjislativ?

-Nisur nga fryma e ndërtimit të ligjeve brenda reformës, pranuar dhe në deklaratën e përbashkët të ekspertëve të reformës, kushti themelor ishte dhe pamundësia e rekrutimit të hartuesve në krijimin e organeve të reja të drejtësisë. Ky rregull ishte aq fals, kur u nënshkrua, sa sot dhe vetë nënshkruesit e kanë harruar. Ndaj, duke qenë se brenda një pjesë e mënyrës së krijimit të dispozitave ligjore parashiheshin kritere që vetëm emri mungonte, sot dhe më pas do të vështirësohet zgjidhja e lirë e individëve konkurrentë në institucionet e reja. Do të ishte qesharake të mos e besosh çka deklarova më sipër, kur sot vetë hartuesit e Reformës në Drejtësi kanë zënë, ose luajnë rolin e oponentit të reformës, duke pohuar rrezikun e pamundësisë së krijimit të organeve qeverisëse të drejtësisë. Paturpësia e tyre shkon deri kur lëmshin ligjor të krijuar e përdorin si presion ndaj organeve të vettingut dhe vendimeve të tyre, kur ato vijnë kundër interesave të politikës.

Zoti Hazizaj, ka anëtarë të KLP dhe KLGJ, të cilët nuk kanë kaluar Vettingun. Kjo a nuk bie në kundërshtim me Frymën e re që duhet të mbizotërojë në Reformën e re në Drejtësi?

– Pamundësia e organeve të rivlerësimit për të kryer një proces të rregullt ligjor, ka krijuar konfuzion në zbatimin e akteve të reformës, arsye për të cilën pasojat do të vijnë shumë shpejt. Nuk po zgjatem më tepër në detaje se mund që hartuesit e reformës ta deklarojnë si konstatim të tyre. Por rezultatet do vijnë shumë shpejt, në qoftë se procesi nuk “rregullohet” rrugës.

– Nëse disa anëtarë të KLP dhe KLGJ, që janë zgjedhur, rrëzohen nga Vettingu, më vonë, dhe nëse disa kandidatë të KLP dhe KLGJ, të cilët i skualifikoi KPK, por fitojnë të drejtën e tyre në shkallët e larta të gjykimit, a duhet të ribëhet shorti për KLP dhe KLGJ, derisa u përjashtuan në mënyrë të paligjshme?

– Në këtë kuptim, duhet pranuar se nxitimi për të krijuar organet si KLGj dhe KLP pa kurorëzuar gjithë procesin ligjor dhe administrativ, do të krijojë paqartësi në të ardhmen e këtyre organeve, siç dhe e kundërta, pezullimi i të drejtës së kandidimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kaluan KPK, por që nuk kanë ezauruar deri në fund procesin e ankimit në Kolegj, do të përbëjë shkak ligjor të mjaftueshëm të tronditjes së sistemit.

– Zoti Hazizaj, cili është gjykimi juaj për produktin e deritanishëm të reformës në drejtësi?

– Nuk përjashtoj mundësinë se aktet ligjore të miratuara nxitimthi në Kuvendin e Shqipërisë në fushën e drejtësisë, të cilat po shfaqin të metat dhe konfliktet formale në zbatim, janë pjesë e serisë së gjitha ligjeve të miratuara në këto gjashtë vite të kësaj mazhorance, të cilat sa vijnë dhe kontestohen logjikshëm nga aktorët. Mjafton të shohësh problemet shqetësuese në arsimin e lartë në Shqipëri, dhe konstaton lehtë se zullumi krijuar me Ligjin Nr. 80/2015 PËR ARSIMIN E LARTË DHE KËRKIMIN SHKENCOR NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” do të shpërbëhet si kala rëre. Nuk e uroj këtë fakt dhe për gjithë legjislacionin e krijuar rishtas, por kam frikë se do të ndodh.