Shtypi holandez, kryqëzon Ambasadoren shqiptare

636
Sakiqi, përkthyesja që u bë ambasadore dhe lidhja me privatizimet
Pa eksperiencë në shërbimin e jashtëm, ajo u emërua direkt si përfaqësuese e Shqipërisë në Holandë dhe Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike. Harasani: Ja lidhjet familjare që e ndihmuan
Ish-deputeti socialist, Andis Harasani, ka shpërthyer në akuza të ashpra ndaj ambasadores së Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi, pas intervistës së saj, që mohonte ekzistencën e një raporti të policisë e prokurorisë ku kërkohej rikthimi i vizave për shqiptarët. “Kjo është goca e mamit që u mor me privatizimin e energjisë, ARMO-s dhe gjithë të tjerat në Shqipëri! Kërkojeni mortjen te IFC se e gjeni! Shikojeni. Besoj të gjithë e dini pse zgjodhi Holandën! E gjen më lirë aty. Por, se pse shkon kjo ambasadore, mos ia kërkoni qeverisë, por vetes që votoni Rilindjen”, shprehet Harasani. Ish-politikani i referohet Elira Sakiqit, një zyrtare e lartë e IFC-së (pjesë e Bankës Botërore) në Tiranë. Misioni i Bankës Botërore në Tiranë është angazhuar në disa procese të privatizimit të sektorëve të ekonomisë shqiptare, duke dhënë konsulencë, ndërsa shumë prej këtyre shitjeve janë kritikuar për efikasitetin e tyre. 

Ndonëse vetëm 40-vjeçare, Adia Sakiqi është ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta dhe përfaqësuese e Shqipërisë në Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike (OPAK) në Hagë, Holandë. Ajo është diplomuar në Universitetin katolik të Leuven, (Belgjikë) në Filozofi dhe Shkenca Politike ku ka kryer studimet Master në Filozofi (2003) dhe Administratë Publike – Politikat e BE (2004). Sipas jetëshkrimit zyrtar, Adia Sakiqi e filloi karrierën e saj si përkthyese në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë në Hagë (2002-2004), profesion të cilin e vazhdoi ta kombinojë gjatë viteve në vazhdim, për Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës (2008-2014). Adia Sakiqi punoi në diplomaci si eksperte komunikimi në Misionin e Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, në Bruksel (2004-2008). Më vonë, ajo punoi për shoqërinë civile belge për politikat e migracionin, në Flandër dhe Bruksel (2008-2010). Në vitet 2010-2014, Adia Sakiqi ishte përfaqësuese e G-Consultancy në Bruksel, ku punoi si konsulente për komunikim për Ballkanin Perëndimor, për çështje evropiane, marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe konsulente për fjalimet në publik. Adia Sakiqi iu bashkua Shërbimit të Jashtëm vetëm në shtator 2014 dhe mban pozicionin e Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta dhe Përfaqësueses në Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike (OPAK) në Hagë, Holandë.
Shtypi holandez: Ambasadorja shqiptare tha marrëzira

“De Telegraaf”, gazeta më e madhe në Holandë, ka botuar dje një shkrim për intervistën e ambasadores së Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi, ku ajo mohoi ekzistencën e raportit, që sugjeron rikthimin e vizave për Shqiptarët. Në shkrim, gazeta holandeze i quan marrëzira deklaratat e ambasadores sonë në Holandë, pasi kjo mohoi ekzistencën e një raporti të tillë.

Shkrimi i plotë
Mohohet raporti për kriminelët shqiptarë/ Ambasadorja fsheh problemet në programin televiziv 
Ambasadorja e Shqipërisë në Hagë ka gjetur një mënyrë kreative për të fshehur problemet që krijohen nga krimi i organizuar, nga vendi i saj drejt Holandës. Në një edicion informativ shumë të ndjekur në Shqipëri, ajo mohoi ekzistencën e një raporti tejet të fortë nga Policia dhe Prokuroria e Amsterdamit dhe Roterdamit. 

Për shkak të konkluzioneve në raport, policia dhe prokuroria holandeze kërkuan të rivendoset regjimi i vizave për shqiptarët. Kjo do të parandalonte vendosjen e lehtë të krimit shqiptar në Holandë. Në një edicion informativ, ambasadorja Adia Sakiqi u shpreh: “Ky është një shkrim në një gazetë sensacionale, për të cilën gazetari ka pasur një bisedë të shkurtër me një njeri që punon tek policia”.

Por, në të vërtetë, dy gazetarë të “De Telegraaf” komunikuan me një oficer të lartë të Policisë si dhe një prokuror. Kjo bisedë ndodhi, pasi në media dolën 40 faqe të raportit për krimin e organizuar shqiptar. Ambasadorja foli për këtë çështje dy herë ,gjatë ditëve të fundit me gazetarët e “De Telegraaf”. Sakiqi gjithashtu pretendon se ka zhvilluar një bisedë me koordinatoren për zgjerim në BE, tek Ministria e Jashtme Holandeze. Sipas Sakiqit, ajo i kishte thënë, që të mos e merrte aq seriozisht lajmin për raportin. Por, Ministria e Jashtme Holandeze nuk e përfshin veten në ketë pretendim. “Këto janë fjalë që nuk i kemi thënë”, reagoi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme. 

Adia Sakiqi tha edhe më shumë marrëzira. Ajo deklaroi se Policia dha thjesht një përshkrim për punën e tyre, pas arrestimit të një vrasësi shqiptar, para dy javësh. Por, raporti për shqiptarët është botuar para arrestimit. Ambasadorja provoi në edicionin informativ që të hiqte vëmendjen nga problemi i krimit shqiptar, duke thënë që Amsterdami është një qytet ku turistët vijnë vetëm për drogën dhe për prostitutat. Konkluzionet e forta që u morën në ketë raport të Policisë se, në tregun holandez të drogës dhe të prostitucionit, kriminelët shqiptarë luajnë një rol parësor.

Shqipëria tenton të luftojë fort krimin, pasi kërkon të behët pjesë e Bashkimit Evropian; dhe tani është vend kandidat për anëtarësim. Kjo ishte arsyeja pse raporti i Policisë dhe Prokurorisë për krimin në Holandë ra si bombë nga qielli. Deri tani, qeveria shqiptare nuk kishte reaguar. Sakiqi ishte e para që reagoi në media. Ajo tentoi të siguronte shikuesit që vizat nuk do të kthehen. “Kam një lajm të mirë: Holanda nuk mund ta bëjë vetëm, këtë mund ta bëjë vetëm Bashkimi Evropian”. Por, kjo nuk është e vërtetë. Sipas rregullave të reja të Bashkimit Evropian, një shtet anëtar mund të kërkojë vetë për një pezullim të lëvizjes së lirë, në qoftë se personat e një nacionaliteti të caktuar kthehen në rrezik të shtuar për rendin publik, falë krimeve që kryejnë. “Kjo është pikërisht çfarë po ndodh në Holandë”, tha deputetja Mona Keijzer. Ajo ka kërkuar bashkë me kolegët e saj një sqarim nga ministri i Jashtëm, si dhe nga ai për Siguri dhe Drejtësi. Ajo kërkoi nga qeveria që të lobojë tek Komisioni Evropian, në mënyrë që Holanda të mund t’i rikthejë vizat për shqiptarët. 

Holanda nuk është vetëm, në këtë pikë. Edhe vende të tjera të BE-së, si Gjermania, Franca dhe Italia, kanë vënë re se kriminelët nga Shqipëria po fuqizohen në trafikimin e drogës dhe atë të qenieve njerëzore. Gazeta kërkoi një koment nga Sakiqi, por ajo reagoi nervoze. “Në qoftë se unë nuk e marr raportin, atëherë raporti nuk ekziston për mua. Unë nuk merrem me thashetheme”.
Sigal