Shqipëria nga veriu në jug nën pushtetin e flakëve, kërkohet ndihma e Greqisë dhe Italisë

589
Prej ditësh vendi është përfshirë nga flakët. Sipërfaqe të tëra me pyje nga veriu në jug janë djegur. Bashkitë të pa përgatitura për situata të tilla
Situata e zjarreve vijon problematike në disa zona të vendit ku vatrat janë ende aktive. Janë shtuar së tepërmi vatrat e zjarrit, ndërsa Shqipëria e pafuqishme për të përballur situatën e krijuar. Gjatë pasdites së djeshme qeverisë iu desh të kërkonte ndihmë nga vendet fqinje, pikërisht Greqia dhe Italia. Në orët e mbrëmjes dy avionë grekë iu përgjigjën thirrjes së Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati për shuarjen e zjarreve në Jug të vendit. Lajmin e bëri të ditur vet Ministria e Jashtme. Avionët grekë rreth orës 19:30 të mbrëmjes së djeshme nisën operacionin për shuarjen e zjarrit në Dukat të Vlorës, ndërsa më pas ata u zhvendosën edhe në zona të tjera. Për autoritetet e vendit tonë, situata është tepër kritike dhe për këtë qëllim është duke u punuar me të gjitha kapacitetet. Gjatë ditës së djeshme flakët rrezikuan edhe disa banesa në fshatin Dukat të Vlorës, ndërsa në Llogara situata paraqitet mjaftë kritike. Mësohet se flakët kanë mbërritur pranë Parkut Kombëtar, por edhe në Kallarat. Llogaraja, Krasta e Elbasanit, Metoh i Mallakastrës apo dhe Malin e Dajtit, pak kilometra larg Tiranës, janë nën pushtetin e flakëve prej dy apo tre ditësh. Më problematike paraqitet situata në zonën e Krastës, ku flakët kanë mbërritur pranë banesave, por falë ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës janë neutralizuar në kohë. Qyteti i Elbasanit u zgjua dje i mbuluar nga tymi. Gjatë gjithë natës zjarrfikëset dhe forcat e ushtrisë punuan për fikjen ne zjarrit, pavarësisht terrenit të vështirë. Edhe fshati Metoh i Mallakastrës është i rrethuar nga zjarri. Prej dy ditësh në pyllin e këtij fshati vijojnë që të jenë aktive disa vatra zjarri, ndërsa në rrezik serioz janë banesat pranë, pasi flakët po u afrohen me shpejtësi për shkak të erës.
Qarqet më të rrezikuara
Rritja më tepër e temperaturave ka shtuar edhe numrin e vatrave të zjarrit që janë përhapur në qarqet Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan dhe Berat. Janë shënuar 25 vatra të reja zjarri teksa forcat zjarrfikëse janë shtuar edhe më shumë. Konkretisht, janë angazhuar 15 makina zjarrfikëse, 114 forca zjarrfikëse, 20 punonjës të Gardës, 130 forca ushtarake, 10 forca pyjore, 5 punonjës të zonave të mbrojtura dhe helikopterë.
Qarku Tiranë 
Në fshatin Ibë, Njësia Administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë, pas një pune të gjatë nga forca të MZSH Tiranë dhe 30 forcave ushtarake që shkuan për ndihmë, është shuar zjarri i rënë në sipërfaqen pyjore, ku si pasojë u dogjën rreth 10 ha me shkurre dhe pisha.
Tek Shkalla e Tujanit në Malin e Dajtit ditën e djeshme është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe të madhe, dhe ka vijuar të jetë aktiv gjatë gjithë natës. Vatra e zjarrit u dobësua pas ndërhyrjes nga helikopteri. Forca të MZSH Tiranë dhe forca ushtarake po punojnë për të krehur të gjithë zonën nga vatrat e fshehura të zjarrit. 
Qarku Vlorë
Në Parkun Kombëtar të Llogarasë në fshatin Dukat të bashkisë Vlorë kanë qenë aktive vatra zjarri, në terren shumë të thyer malor mbi aksin rrugor nacional Vlorë-Llogara-Himarë. Për shkak të terrenit, ndërhyrja e forcave dhe automjeteve zjarrfikëse ka qenë e pamundur. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile kanë kërkuar ndihmë pranë Qendrës së Përgjigjes ndaj Emergjencave Civile në Bashkimin Evropian (ERÇ). Aktualisht në qark janë rreth 20 vatra zjarri aktive në largësi nga njëra tjetra, çka vështirëson shuarjen e tyre plotësisht. 3 vatra zjarri janë në krahun e majtë në aksin rrugor Orikum-Llogara-Himarë, konkretisht 1 në fshatin Dukat, 1 në Parkun Kombëtar të Llogarasë, 1 sipër fshatit Palasë dhe pjesa tjetër e vatrave të zjarrit janë në fshatrat e Lumit të Vlorës (Tërbaç, Vranisht dhe Kallarat). Mëngjesin e sotëm një helikopter ka shkuar përsëri në Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe vijon punën, pasi situata duhet mbajtur nën kontroll që zjarri mos të përfshijë nga flakët Parkun Kombëtar.
Qarku Dibër
Në vendin e quajtur “Gura e Sllatinës”, Njësia Administrative Sllovë, bashkia Peshkopi, ka rënë zjarr në terren të thyer malor, ku si pasojë ndërhyrja nga Shërbimi vendor i MZSH Dibër ka qenë e pamundur. Në vendngjarje kanë shkuar forca të Zonave të Mbrojtura, banorë të zonës dhe punonjës të njësisë administrative. Nga informacioni i fundit i marrë vatrat e zjarrit janë ende aktive.
Zjarret në vend: Qeveria i kërkon ndihmë Greqisë dhe Italisë
Qeveria shqiptare i ka kërkuar ndihmë vendeve fqinje që ta ndihmojnë në shuarjen nga ajri të zjarreve në masivet pyjore të maleve të saj. Ministri i jashtëm Ditmir Bushati u telefonoi ministrave homologë në Greqi, Kotzias dhe në Itali, Alfano për të ndihmuar Shqipërinë me helikopterët e tyre në operacionet e kundër zjarreve. Burime nga Ministria e Jashtme bënë të ditur se ata kanë shprehur gatishmërinë për këtë bashkëpunim dhe priten mjete fluturuese të mbërrijnë në zonat më të nxehta. Dy avionë pritet të vijnë nga Korfuzi dhe një tjetër nga Puglia, për t’iu bashkuar përpjekjeve nga toka të forcave shqiptare të emergjencave civile në shuarjen e zjarreve. Zjarret vazhdojnë të jenë të rrezikshëm edhe për zonat e banuara në afro 20 vatra gjatë gjithë territorit në Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan dhe Berat, ku janë shkatërruar dhe po digjen dhjetëra hektarë pyje. Shqipëria po përballet prej disa ditësh me pushtetin e flakëve. Për shkak të temperaturave tejet të larta, intensiteti i zjarreve sa vjen e shtohet, ndërsa ndërhyrja mbetet e vështire per shkak të terrenit. Emergjencat civile bëjnë me dije se në 24 orët janë shënuar 25 vatra. Situata alarmante ka detyruar autoritetet te kërkojnë edhe ndihmën nga Brukseli, për të bere te mundur shuarjen e flakëve. 
Demiraj në Krastë: E papranueshme, po rrezikohet siguria kombëtare
Flakët kanë përfshirë ditën e djeshme një masiv pyjor në Kodër-Krastë, shumë pranë qytetit të Elbasanit. Brenda pak minutave, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme, i favorizuar edhe nga era. Për shkak të terrenit, zjarrfikësit, por edhe fshatarët, e kanë pasur thuajse të pamundur ndërhyrjen, pasi vatra e zjarrit ndodhej në një lartësi të konsiderueshme ku mungonin rrugët apo shtigjet. Ditët e nxehta dhe zjarret e shumta që kanë pushtuar sipërfaqe të tëra me pyje në vend, kanë alarmuar Ministrin e Brendshëm Dritan Demiraj. Gjatë ditës së djeshme ai ka zbritur në terren. Ka qenë i pranishëm në Krastë të Elbasanit. Gjendja atje është tepër e rëndë. Ministri i Brendshëm i bënë apel gjithë qytetarëve për të dhënë kontributin e tyre me qëllim shuarjen e flakëve. Ai shprehet se në këtë situatë, nuk sheh të dalin në terren përfaqësuesit e qeverisë vendore. “E papranueshme. Jam në Krastë të Elbasanit dhe vetëm pak forca zjarrfikëse, të ushtrisë, emergjencave civile janë angazhuar në shuarjen e flakëve. Asnjë person nga qeveria vendore, bashkia, qytetarë të zonave përreth. Kjo situatë vihet nën kontroll të plotë vetëm nëse bashkëpunojmë të gjithë së bashku. Një falënderim shkon për z Premçi dhe strukturat e tij. I nxehti ka bërë që në vendin tonë për tashmë dy muaj të ketë shumë zjarre”, shkruan Demiraj. 
Sigal