Shqipëri-Greqi, pakti i paqes apo pakt me djallin

792
“Nuk ka gjykatë që e shpëton negociatorin e Bushatit”
Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe ish-shefi i Shtabit, Xhemal Gjunkshi, fundosin ushtarakun e përfshirë në bisedimet me Greqinë. Negociatori tjetër, Ylber Dogjani, dorëzoi dosjen me materiale pikante
Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka reaguar për debatin e ndezur lidhur me negociatat Shqipëri-Greqi për çështjen e detit dhe përfshirjen në delegacionin shqiptar të një ushtaraku të akuzuar publikisht për spiunazh. Në këtë mënyrë, çështja e Artur Meçollarit, ekspert detar i Forcave të Armatosura, i cili akuzohet si i papërshtatshëm për të negociuar paktin detar me Greqinë, komplikohet befas. “Negociatat midis palëve ndërluftuese bëhen nëpër hotele, negociatat dhe bisedimet mes vendeve fqinjë dhe aleatë, si Shqipëria dhe Greqia, bëhen formale, transparente, ligjore dhe me frymën e bashkëpunimit. Bisedimet në hotelet e Kretës dhe Korçës janë problematike për sa më sipër”, u shpreh Imami. Sipas tij, bisedimet kanë shkuar edhe përtej atyre politike, duke zbritur në nivel teknik. “Pjesëmarrja në këto bisedime e z. Artur Meçollari, në cilësinë e përfaqësuesit të Ministrisë së Mbrojtjes, nga njëra anë tregon se bisedimet nuk janë aq sportive sa duket nga veshja e dy ministrave të Jashtëm, por janë të përfshira edhe në nivel teknik; pra negociatat kanë filluar, në mos edhe kanë mbaruar. Nga ana tjetër përfshirja e Z. Meçollari, i zhveshur me vendim ministri për shkelje të ligjit, në këto negociata e cënon besimin e publikut te një proces që edhe deri këtu është jo-transparent”, u deklaroi Imami. Sipas tij, kjo çështje ka nxjerrë në pah edhe dy probleme të tjera. “Meçollari ka fituar gjyqin kundër vendimit të ministrit të Mbrojtjes, sepse Ministria e Mbrojtjes nuk ka mbrojtur interesin më të mirë të vendit dhe as sigurinë brenda Forcave të Armatosura. Duket sheshit se Ministria e Mbrojtjes, nën drejtimin e Partisë Socialiste, nuk ka paraqitur në gjykatë provat dhe faktet mbi të cilat është mbështetur vendimi i ministrit. Me dosjen që disponon SHIU nuk ka gjykatë që mund të japë vendim kundër vendimit për nxjerrje nga rradhët e ushtrisë të kolonelit në fjalë, i cili në fakt nuk e kishte për herë të parë që largohej nga ushtria për arsye të njohura nga shërbimi i Forcave të Armatosura”, nënvizoi ish-ministri Imami. Në të njëjtën kohë, ai tha se kryetari i PD është informuar për këtë çështje dhe rëndësinë e saj prej më shumë se një jave, por “ka heshtur si fija e barit”, siç do të mund të thuhet metaforikisht. “Mosveprimi i tij është i kuptueshëm dhe i shpjegueshëm, sepse një veprim i qartë politik në interes të kësaj çështjeje, nuk do të ishte në favor të kryetarit të PS. I vetmi që foli, në fakt si gjithmonë ishte z. Berisha që mesa duket u informua nga media. Por, vetëm në Shqipëri ndodh që dikush gdhin i akuzuar si “spiun” dhe ngryset hero. Në këtë vazhdë, kryetari i PD, i opozitës, nuk u mjaftua që me mosveprimin e tij mbështeti kryeministrin, por sot në mëngjes nëpërmjet deputetit Gjunkshi veproi haptaz dhe u deklarua kundër deputetit Berisha, kundër kryeministrit Berisha si dhe ministrit të Mbrojtjes që kishte marrë atë vendim”, vlerësoi Imami. Ai shtoi se “përgënjeshtrimi që u bë në një deklaratë tjetër në aksham tregon se edhe z. Basha nuk pati kurajë për të qëndruar haptaz kundër partisë së tij dhe interesit të vendit, por dëmin e bëri”.

Në negociata, edhe akuzuesi, edhe i akuzuari


Praninë në grupin negociator me Greqinë të ekspertit detar Artur Meçollari e ka kundërshtuar edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Xhemal Gjunkshi. Tashmë deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës, Gjunkshi tha se Artur Meçollarit iu ndërpre marrja e gradës “gjeneral”. Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka bërë publik edhe emrin e ushtarakut tjetër, që solli informacionet kompromentuese për Artur Meçollarin. “Ai (Meçollari) gjatë përballjes për t’u graduar me gradën e gjeneralit, në dosjen e tij personale u gjetën dokumente kompromentuese, që nuk e lejonin që të avanconte më përpara. Për këtë ka informacionin shumë të qartë komandanti i Forcës Detare, Ylber Dogjani, i cili në atë kohë kishte detyrën e Komandantit të Qendrës Personel-Rekrutimit dhe ka sjellë vetë dokumentacionin për të”, tha gjeneral Xhemal Gjunkshi. Ndërkohë, ironia e çështjes është se si i denoncuari, edhe denoncuesi janë të dy anëtarë të grupit negociator, të përzgjedhur nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. Deputeti Xhemal Gjunkshi i njeh megjithatë ekspertit detar Meçollari përgatitjen profesionale si ushtarak detar, por është i prerë kur thotë se është i papërshtatshëm për të negociuar pikërisht me grekët çështjen e kufirit detar. “Për mua është e prerë jo, për këta që janë në pushtet që e rikthyen dhe po e mbajnë, le të vazhdojnë me të”, thotë ai.
Sigal