SHBA: Mes të zgjedhurve, edhe trafikantë vajzash

646
Shtetet e Bashkuara nxitën Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit që të punojnë më shumë së bashku kundër trafikimit të qenieve njerëzore, për kujdesin ndaj viktimave dhe dënimin e grupeve kriminale. Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, foli me shqetësim për këtë dukuri në një konferencë rajonale kundër trafikimit të qenieve njerëzore, “Përmirësimi i shërbimeve dhe vetëdijes për të luftuar trafikimin e personave në Ballkan”. “Midis burrave të zgjedhur në Shqipëri dhe në ndonjë vend tjetër, janë edhe disa nga ata që kanë trafikuar vajza. Ata duhen dënuar sa më shpejt, se ky është një krim i shëmtuar”, tha ambasadori amerikan Donald Lu. Ambasadori Lu u bëri thirrje qeverive të rajonit, e sidomos asaj shqiptare, të shtojnë fondet për strehëzat e vajzave dhe fëmijëve, që përpiqen të shkëputen nga trafikimi dhe të shpëtojnë nga rreziqet si viktima të grupeve kriminale për t’u ri-integruar në shoqëri. Projekti për bashkëpunimin rajonal u financua dhe u mbështet nga Departamenti i Shtetit, si një hap me rëndësi në bashkëpunimin rajonal për luftën kundër trafikimit të personave. Në konferencën rajonale morën pjesë Koordinatoret Anti-trafik të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës, ndërsa zv/ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Rovena Voda, tha se zbatimi i këtij projekti të përbashkët rajonal veprimesh kundër trafikimit të personave, do të sjellë rezultate së shpejti. Në Shqipëri janë ngritur disa strehëza nga organizata jofitimprurëse për të mbrojtur vajza dhe fëmijë nga trafikimi, pasi policia i shkëputur nga duart e trafikantëve dhe grupeve kriminale. Edhe një qeveria shqiptare ka strukturat e veta për këto operacione, të cilat në vazhdim do të kryhen në bashkëpunim më të ngushtë me vendet e Ballkanit dhe me vendet e tyre fqinje.
Sigal