“Sfidat në rrugën drejt Bashkimit Evropian” , zv/kryeministrja Mesi në konferencën ekonomike

458
Zv/Kryeministrja Senida Mesi ndërsa ishte e ftuar për të marrë pjesë në Konferencën Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Budva të Malit të Zi, zhvilloi takime dypalëshe me Kryeministrin e Malit të Zi dhe Zv/Kryeministrin e Serbisë. Zv/Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi ka marrë pjesë në Konferencën Ekonomike të Ballkanit Perëndimor “Sfidat në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, organizuar dje në Budva të Malit të Zi nga Dhoma e Ekonomisë së këtij vendi dhe qeveria malazeze. Në panelin e diskutimit të kësaj konference ku ishin gjithashtu të pranishëm përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit, gjatë fjalës së saj, Zv/Kryeministrja Mesi nënvizoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe sinergjisë, pavarësisht sfidave të ndryshme që mund të ketë secili shtet i Ballkanit Perëndimor. Duke shprehur bindjen se bashkërendimi i strategjive të vendeve të rajonit ngelet një domosdoshmëri për sinkronizimin e nevojave të qytetarëve dhe sipërmarrjes, Znj. Mesi u ndal tek integrimi drejt Bashkimit Evropian si një mision i përbashkët i shteteve të Ballkanit Perëndimor. Brenda këtij kuadri, ajo tregoi progresin e çmueshëm që Shqipëria ka bërë dhe nënvizoi faktin se Qeveria Shqiptare mbetet tërësisht e angazhuar në plotësimin e çdo prioriteti për arritjen e këtij synimi madhor. Gjatë ditës së Konferencës Ekonomike, Zv/Kryeministrja Mesi zhvilloi gjithashtu takime dypalëshe me Kryeministrin e Malit të Zi Dushko Markoviç dhe Zv/Kryeministrin e Serbisë Rasim Ljajic.
Sigal