Servet PËLLUMBI/ Politikanët e blerë, rrezik për demokracinë

418
Sigal

Servet Pëllumbi, Profesori i së Majtës dhe i politikës shqiptare,  i njohur për mençurinë dhe urtësinë e gjykimit e mbajtjes së ekuilibrave politik në këtë tranzicion të gjatë të Shqipërisë, edhe një herë,  në librin e tij të fundit “Etikokracia”, jep një ‘leksion’  të gjatë për politikën,  shtetarët dhe raporteve të tyre me demokracinë. Libri që synon të sjellë refleksione mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë, i botuar në tetor të vitit 2013, është mirëpritur nga intelektualë dhe lexues të thjeshtë…

                          *       *      *

Një dinamikë specifike dhe larmi formash demokracie ndeshen sidomos brenda vetë partive politike. Në këtë rast, format dhe niveli i demokracisë së brendshme partiake varen jo vetëm nga qenia ose jo demokratike e shoqërisë së dhënë, por dhe nga tipi i partisë, bie fjala, nëse është e tipit masiv me forume e struktura të shtrira në gjithë vendin, apo e tipit “pararojë” me anëtarësi të lëshuar që udhëheq me programin që ofron e që ia drejton gjithë popullit, me modelin e liderit dhe ekipit, apo të skuadrës që ai përzgjedh rreth vetes. Për të qenë më i qartë, po i referohem debatit rreth formës së demokracisë së brendshme në Partin Socialiste Shqiptare që vazhdon prej disa vitesh, por që në Konventën (22-23 shkurt 2013) për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, duket se realisht fitoi forma e demokracisë që është karakteristike për Partitë “pararojë” që u drejtohen shqiptarëve shqiptareve, pra gjithë popullit. Në këtë rast, ka rëndësi të theksohet se me kodin e famshëm zgjedhor nuk votohet drejtpërdrejt për kandidatët për deputetë, por për partinë dhe kjo quhet arsye e mjaftueshme për të mos pyetur posaçërisht për kandidaturat as zgjedhësit dhe as strukturat e partisë! Koncepti që qarkullon më shpesh në një rast të tillë është ai i skuadrës që përzgjidhet nga kryetari. “Ne jemi një skuadër tha E. Rama në Konventën e shkurtit të PS-së, unë jam në krye të saj, pas meje është PS-ja”. Gjithsesi, gabohet ndonjë “analist kompetent” kur e quan këtë “Partia neopuniste, miliardere e Ramës”/ sepse realisht s’mund të ketë asnjë ngjashmëri me Partinë e Punës, me struktura organizative e disiplinë rigoroze si Parti-shtet që ishte, me formë funksionale qoftë dhe formalisht. Për më tepër që “kjo parti puniste” (pa koalicionin), në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 mori 713.407 vota, ose 41.36 për qind, duke u radhitur e para ndër 66 partitë pjesëmarrëse në zgjedhje. Kuptohet, kemi të bëjmë thjesht me një sharje, por jo me kritikë që bazohet në njohjen e evolucionit të partive në ditët tona. Nëse duam të gjejmë vërtet diçka të ngjashme në formë me “projektin Rama”, këtë mund ta gjejmë te lëvizje e variante partish që po eksperimentohen edhe në vende të tjera, si në SHBA gjatë zgjedhjeve të fundit presidencial (2012), në Poloni në zgjedhjet e vitit 2011 dhe në Itali në zgjedhjet e shkurtit 2013. Suksesi i projekteve politike jo doemos kërkon përfshirjen brenda caqeve të strukturave partiake me hierarki rigoroze. Madje në partitologjinë e sotme ka filluar të flitet për “perëndimin” e partive tradicionale, të skemave të ngurta “e majtë – e djathtë” me dallime minimale në neoliberalizmin e tyre, për nevojën e shpëtimit nga sundimi i klasës politike dhe rritjen e rolit të partive dhe lëvizjeve alternative apo i partive “antipartiake”, për rritjen e rolit të iniciativave popullore, të referendumeve (lokale e kombëtare), fronteve popullore sipas modelit francez në mbrojtje të demokracisë etj. Në një situatë të tillë kërkimi për mbijetesën e partive, prioritet të veçantë marrin, së pari, kujdesi për të gjeneruar dhe ofruar ide programore; së dyti, anëtarësia e lëshuar, që nuk përjashton as pjesëmarrjen e “njerëzve nga rruga”; së treti, përdorimi masiv i teknologjisë bashkëkohore të komunikimit (rrjetet sociale) që i bëjnë lidhjet me njerëzit të shpejta, dinamike dhe direkte, kurse partitë më elastike, më afër projekteve dhe lëvizjeve politike. Sidomos më afër rinisë. Kjo nënkupton edhe format “ndërmjetëse” apo strukturat e përkohshme alternative në funksion të projekteve të tilla politike, siç janë zgjedhjet. Të kësaj natyre janë në SHBA Organizing for action, si lëvizje diversifikuara sidomos për të shtuar bazën e të dhënave dhe informacionit për votuesit që përdori Presidenti Obama në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012. Ndërkohë, ka dhe lëvizje politike për t’u bërë më jetëgjata shndërrohen në parti për të marrë pjesë në zgjedhje, siç ndodhi në Poloni në zgjedhjet e vitit 2011, kur biznesmeni Janusz Palikot vetëorganizoi një lëvizje masive përmes internetit dhe arriti që brenda një viti të ngrinte nga hiçi një forcë të tërë politike dhe të fitonte 10 për qind të votave. Edhe më mbresëlënëse u paraqit Lëvizja “Pese Yje” e ish-aktorit komik italian Beppe Grillo, pra, i ardhur nga jashtë interesave të politikës dhe funksioneve publike, por i njohur për polemikat apo “ligjërimet pa doreza” direkt në sheshe me Berluskonin, duke shprehur me logjikën e qytetarit të thjeshtë përbuzjen ndaj partive tradicionale dhe ndaj kastës politike italiane. zgjedhjet e zhvilluara Itali 24 shkurt 2013, “Pesë yje”, si partia e re jo tradicionale përmbysi gjithçka, fitoi 25.5 për qind votave dhe 162 deputetë, duke u radhitur si forca e tretë politike vend. Metoda e përdorur në të tri rastet e përmendura tërheq vëmendjen për novatorizmin e vetë, sepse mbështetet në kombinimin e tradicionales, të dialogëve të tipit të Sokratit e Platonit direkt në sheshe, në ekrane apo duke përcjellë e adresuar mesazhe nëpërmjet “You tube” dhe rrjeteve të tjera sociale. Madje Beppe Grillo, në një mënyrë të re “hartoi” edhe listën e kandidatëve për deputetë duke hapur një garë on-line për të gjithë anëtarët e Lëvizjes “Pesë yje”. Mbase, meriton të vlerësohet si një model i demokracisë së drejtpërdrejtë i së ardhmes. Por ka dhe lëvizje të fuqishme proteste me veprim të drejtpërdrejtë, pa asnjë lloj orientimi ideologjik si Occupy Ëall Street (Shtator 2012 e në vazhdim), protestuesit e “pranverës arabe” etj., të cilat si rregull kanë strukturën e rrjeteve sociale, nuk kanë një qendër që mund të paralizohet a neutralizohet me lehtësi nga pushteti etj. Në kufizime të tilla qëndron si forca dhe dobësia e tyre, gjë që mundëson përdorimin e lëvizjeve të tilla nga forca dhe elita të organizuara politike. Mbase mbi përvoja të tilla u projektua edhe tek ne “Lëvizja Kuq e Zi”, e cila e konceptua si një lëvizje patriotike mundi të tërhiqte masa të mëdha shqiptarësh brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të shtetit shqiptar, si dhe të rinj që ndjenin nevojën të protestonin, që për një kohë të gjatë nuk kishin pasur përfaqësim në spektrin politik dhe ishin të pakënaqur nga praktikat e njohura partiake. Veçse pasi lëvizja u shndërrua në parti politike, gradualisht përmes qëndrimeve dhe deklaratave politike “artificialisht radikale” u bë e qartë se drejtuesi kryesor i saj bënte lojën nacionaliste parazgjedhore të PD-së dhe të Berishës. Për pasojë, “shqiponja doli sorrë”, siç u shpreh lideri i PS-së Edi Rama, “flluska”e fryrë tej mase, plasi shpejt dhe elektorati e ndëshkoi me të drejtë rreptë duke i dhënë vetëm 10196 vota më 23 qershor 2013, që nuk konvertohen as me një mandat deputeti! Ndërkohë, në fushatën e zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013 dy koalicionet ballë për ballë, ai i 36 partive të majta dhe të qendrës i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” i kryesuar nga Edi Rama (me 57.63 për qind të votave) dhe ai i 25 partive me emërtimin “Aleanca për punësim, mirëqenie e integrim”, i kryesuar nga Sali Berisha (me 39.46 për qind të votave) u ndanë edhe në raportet e ndryshme ndaj demokracisë. I pari jo vetëm që tërhoqi më shumë parti, por dhe mundi të shndërrohej në lëvizje, të përdorte më me sukses lëvizjet e forumeve të rinisë, të grave socialiste e të LSI-së, variante të Organizing for Action, si dhe komunikimet përmes Facebook dhe Twitter, apo novacionet në organizimin e mitingjeve dhe aktiviteteve të tjera elektorale; kurse koalicioni i Berishës i dha më tepër hapësirë populizmit tradicional, pjesëmarrjes së imponuar me lista e presione për pushim nga puna, vënie note pakaluese nga mësuesit në provime, mbartjes së mitingashëve nga një qytet në tjetrin për t’i bërë mitingjet sa më masivë e sa më spektakolarë dhe pamjen e “demokracisë direkte” më imponuese ndaj zgjedhësve! Në rastin e parë u vunë re risi të spikatura të fushatës dhe pas fushatës, sidomos me vizionin e ri për bashkëpunimin dhe qeverisjen strategjike të dy qeverive dhe dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës; në të dytin praktika tradicionale të “Partisë-shtet” dhe të imponimit të pushtetit të “Njësh”-it, deri dhe për të sabotuar vizitat e kryeministrit Edi Rama më 13 e 16 shtator 2013 respektivisht në Prishtinë dhe në Bruksel. Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, pra, u vunë ballë përballë: vizioni demokratik i koalicionit “Për të ardhmen Europiane”, me ide e praktika të reja e premtuese për të ardhmen, me vizionin e autoritarit, i sintetizuar tenjë person që pretendonte se ishte “prijës legjendar” i shqiptarëve, madje i pagabueshëm dhe i përjetshëm! “Berishizmi”, në thelb filloi të veprojë si një regjim i “Partisë-shtet” me përqendrim pushtetesh në një dorë dhe sistem kapilar korrupsioni që e shndërruan demokracinë në një fasadë banale. Kjo pati ndikimin e vetë vendimtar për zgjimin e elektoratit shqiptar që me votën e tij solli ndryshimin e madh, humbjen e së djathtës dhe fitoren e thellë të koalicionit të majtë që u shndërrua në një projekt fitoreje. Populli diti të zgjedhë me mençuri midis këtyre dy alternative dhe nuk “u mashtrua nga premtimet”, siç deklaron Berisha, që si autokrat tipik, shpalosi hapur mungesën e respektit ndaj zgjedhësve shqiptarë. Në interesin e analizës, më duhet të ritheksoj se në zgjedhjet e 23 qershorit u provua ndër të tjera edhe se lufta politike sot bëhet jo thjesht për të pasur akses në rrjetet sociale, por për përmbajtjen, për ta bërë fushatën zgjedhore demonstrim realist të demokracisë konkrete, për t’i bërë fjalën dhe premtimet sa më konkrete e bindëse, aq dhe moderne, të argumentuara, krijuese dhe tërheqëse, sidomos për rininë. Gjithsesi, nuk do të le pa analizuar këtu një moment që më duket me interes të veçantë teorik e praktik për demokracinë. Tek ne, në media (pse jo dhe në nivele të caktuara të PS-së), ngjalli një lloj reagimi jo aq pozitiv përgjigja që unë dhashë në pyetjen: “kur ka pasur më shumë demokraci në PS, kur ishit ju në drejtim apo tani”, e shtruar nga gazetarët e pranishëm në emisionin “Debat”. Edhe pse kërkova të mos personalizohej problemi, unë dhashë afërsisht një përgjigje të tillë: “Në atë kohë kishte më shumë demokraci në nivelin e strukturave, forumeve, apo në raport me anëtarin e partisë si figura qendrore në parti, me konferenca të rregullta partie, që zgjidhnin drejtuesit dhe votonin edhe kandidaturat për deputet”. Tani nga drejtuesit e sotëm të partive demokracia e institucionalizuar, apo e strukturuar quhet disi e kapërcyer, gjithsesi dytësore, sepse ka prioritete, mundësi e teknologji të reja organizimi dhe drejtimi. Pra, asgjë nuk duhet paragjykuar, aq më pak të idealizohen praktika të së kaluarës, apo të hidhet poshtë gjithçka si pa asnjë vlerë. Është fakt gjithsesi, se mjaft nga konceptimet e mëparshme të demokracisë partiake janë vjetruar dhe ato parti që vazhdojnë të vegjetojnë me ide e praktika që u ka ikur koha edhe në zgjedhjet e 23 qershorit treguan se duhet të hapen për ndryshime të thella. Faktet për reflektim: 25 prej partive pjesëmarrëse morën nën 1000 vota, kurse 27 të tjera morën nën 10 000 vota në shkallë vendi. Po i referohem për konkretizim të mëtejshëm modelit të Partisë së sotme Demokratike, që është partia e dytë më e madhe në sistemin politik pluralist shqiptar, e cila realisht ofron një tjetër lloj çngjyrosjeje duke luajtur me standarde të dyfishta dhe duke abuzuar me programe që nuk i ka, me statute që nuk i zbaton dhe me rreshtime politike zhurmëmëdha mitingjesh, apo dhe me struktura të përqendruara vetëm në dorën e kryetarit për të fshirë çdo lloj forumi partiak. Madje dhe kongreset e rrallë thirren kur do Berisha, si rregull, vetëm për riciklimin formalisht të vetvetes në krye të PD- së. Edhe pse Berisha “kreu një akt demokratik”, dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së, shpejtoi të shtonte se sovrani nuk kuptoi ndryshimet e mëdha të bëra nën drejtimin e tij dhe besoi më tepër “gënjeshtrat e Edi Ramës”! “Unë nuk mund të gënjeja aq sa kundërshtari”! Gjithsesi, del që faji qenka i sovranit dhe se ai jep dorëheqje “sa për sy e faqe”. Prandaj, deklaroi me arrogancën e zakonshme se do të drejtojë vetë gjithë procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të PD- së dhe se: “Do më shihni në Parlament e kudo duke luftuar si luan”! “Ne ramë duke mbrojtur kauzën tonë të drejtë (por populli u tregua mosmirënjohës!!!) dhe shumë shpejt do të ngrihemi në një fillim të ri, të fuqishëm”. Këtë, grupi i deputetëve të PD-së e demonstroi edhe në seancën debat për programin e qeverisë Rama më 14-15 shtator 2013, në të cilën u vu re hapur “bashkimi rreth Berishës”, i cili foli disa herë pa limit kohor, kurse gjithë të tjerët që morën fjalën përsëritën të njëjtën ide të shtruar nga Berisha, që “maxhoranca mbështetet mbi mashtrimin dhe krimin”, “ne nuk jemi dërmuar, por ne do t’u dërmojmë ju”, “nuk do t’u japim për asnjë moment paqe” etj., etj. Ja me ç’produkt demokratik i mbetet të mburret opozitës shqiptare pas 23 viteve në rrugën e demokracisë…! Kuptohet, në një parti të tillë ku ende ka bashkim vetëm ndaj një njeriu, ndaj “Njësh-it” dhe s’bëhet fjalë as për analiza kritike, as për nxjerrje mësimesh nga humbja, as për garë demokratike, as për procese reformuese dhe ndërrim elitash, nuk mund të bëhet fjalë as për debat publik sepse vendin e demokracisë së brendshme e zë urdhri, diktati tipik për partitë shtet me struktura të paafta për rimëkëmbje e “fillim të ri”. Dëshmi e gjallë për këtë, ishte fushata pak më shumë se dy javore midis dy kandidatëve (për Berishën i preferuar ishte L. Basha), për ta “zëvendësuar” atë në krye të PD-së dhe për të siguruar “vazhdimësinë e berishizmit”, pra të sistemit autokratik. Takime të stisura me “anëtarësinë” entuziaste sikur të ishte fituese, asnjë program reformimi të PD-së dhe sulme alla-Berisha vetëm kundër fitimtarit në zgjedhjet e 23 Qershorit! Koha pas zgjedhjeve, gjithsesi provoi se Berisha nuk arrin të kuptojë (apo s’bën dot ndryshe), që kjo është rruga më e shkurtër për shkatërrimin e gjithçkaje me nuanca pozitive nga trashëgimia e tij politike, sepse politika s’është gjë tjetër veç “mjeshtëri e rënies në çastin e duhur” (Voltaire). Në një prononcim për gazetën “Shekulli” për dorëheqjen e Berishës, thashë se “do të doja që ikja e Berishës të ishte reale dhe jo fiktive, që Partia Demokratike pa Berishën të bënte me seriozitet analizën e humbjes dhe reformimin e vet, kurse me Berishën nëpër këmbë, siç thotë populli, vështirë se do të bëhet ndonjë gjë e mirë”. Ditët në vijim, përfshi dhe seancën e Kuvendit të 14-15 shtatorit, e provuan si të drejtë një paralajmërim të tillë. Zgjedhja e “trashëgimtarit të berishizmit” u bë në një proces të deformuar e jo demokratik, me më pak se 40 për qind të “anëtarësisë”, shumica të shtuar në listat e votuesve dy javët e fundit (sipas Olldashit); Berisha që mbështeti hapur të përzgjedhurin e vet, që ditën e parë i përcaktoi atij “vijën e sjelljes”: të bëjë gjithçka për t’u shkurtuar ditët atyre që “erdhën në pushtet në mënyrë të pamerituar, nëpërmjet mashtrimit e krimit”! Nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga përbetimet e tij të dikurshme: “T’u ngrijmë buzëqeshjen socialistëve”! Kjo më përforcon bindjen se një parti e mësuar me kulte, me tribalizëm e korrupsion, që do të sundojë duke e venë veten mbi ligjin, pa demokraci të brendshme e me drejtim monokratik si PD, nuk mund të bëjë ndryshe, sidomos nuk mund të bëjë analiza kritike, të njohë dhe të ndreqë gabimet. Aq më pak të realizojë reforma, të vlerësojë anëtarësinë dhe të adoptojë forma të reja të demokracisë partiake. Gjithçka flet për atë që Berisha e berishizmi do të jenë nëpër këmbë për një kohë relativisht të gjatë, deri dhe me gjuhën dhe mimikën e Berishës të transplantuar tek pasardhësi me të cilin e lidhin shumë fije, të njohura dhe të panjohura ende, që me siguri do ta konservojnë PD-në, tashmë në opozitë, për të qenë në mbrojtje të Sali Berishës dhe të familjes së tij. Nuk është e rastit që “fushata zgjedhore” për kreun e PD-së nuk pati asgjë kritike për humbjen, për përgjegjësitë e PD dhe të Berishës, por vetëm ditirambe për “legjendarin” Berisha. Në këtë mënyrë, PD humbi një shans për të treguar një minimum demokracie dhe se do të jetë një opozitë konstruktive e vetëreformuese. Ndodhi e kundërta sepse PD vazhdon të jetë nën diktatin e Berishës, tip politikani që si rregull harron se “ekziston një limit, përtej të cilit durimi pushon së qeni një virtyt”. (Edmund Burke, 1729-1797). Gjithsesi, gjendjen aktuale kaotike të PD- së, paralajmëruese të një përçarjeje të thellë, nuk mund ta përligjë siç mendohet ende në PD, as teza e J. Sartori, sipas së cilës “partitë qeverisëse” që kërkojnë disiplinë s’janë aq demokratike, por gjithsesi prodhojnë demokraci! E vërteta është ndryshe. Demokracia dhe disiplina nuk e përjashtojnë, por e nënkuptojnë njëra-tjetrën dhe përfshihen ndër veçoritë e demokracisë partiake që i japin asaj prapashtesën “e brendshme”. Nënkuptohet, një parti që s’është demokratike si PD e sotme, që nuk respekton “kushtetutën e vet”, statutin, vendimet e veta, të drejtat dhe detyrat e anëtarit të partisë, debatet, diskutimet, lirinë e mendimit dhe mendimin ndryshe, që identifikohet me “liderin historik” (“PD është Sali Berisha”, thotë J. Topalli, “Berisha nuk mund të zëvendësohet”, i përgjigjet Basha!), nuk ka si të realizojë rotacion normal të elitës partiake, të respektojë Kushtetutën e vendit dhe shtetin ligjor, pra nuk ka si prodhon demokraci dhe të shërbejë si ndërmjetëse midis popullit dhe shtetit. Parti të tilla, si rregull, nuk dinë të bëjnë as opozitë, sepse kujtojnë se janë bërë vetëm për të qeverisur dhe kalimin në opozitë e quajnë “aksident”, mashtrim të kundërshtarit etj., etj.. Në të dyja këto role, tashmë ajo është provuar’ Rezultati i 23 Qershorit dhe farsa e zgjedhjes së “trashëgimtarit të fronit”, e ritheksoj, dëshmoi se parti të tilla ose nuk duhet të ekzistojnë më, ose duhet të reformohen rrënjësisht, sepse “rrezatojnë” autoritarizëm, por jo demokraci. Ndërkohë, probleme të demokracisë së brendshme, në një formë apo në një tjetër, ka edhe në parti të tjera që formalisht përfshihen në një sistem politik anarkik, brenda të cilit partitë “rendin” herë majtas herë djathtas, kurse drejtuesit e tyre, përgjithësisht, duket sikur nuk e dinë ç’është “qendra” dhe ç’rol luan klasa e mesme për konsolidimin dhe qëndrueshmërinë e demokracisë, për të pasur një sistem politik të moderuar si ai i vendeve të zhvilluara dhe që funksionon në mënyrë demokratike. Kjo e bën urgjente, së pari,një reformim të thellë të sistemit politik të deformuar tashmë, duke filluar nga ligji mbi partitë politike dhe ndryshimi i sistemit aktual zgjedhor; së dyti, për të përpunuar e zbatuar standarde vërtet pluraliste në krijimin dhe funksionimin e partive politike, standarde që nuk duhet të bien ndesh me demokracinë që kërkohet për shoqërinë tonë në përgjithësi dhe sidomos për ta bërë vërtet funksionale demokracinë parlamentare. Për këtë, imperative është që partitë të vendosen brenda rregullash të njohura si vlera të demokracisë standarde, që nuk mund e nuk duhet të preken pavarësisht se kush është në krye të partive, kush vjen e kush ikën në se nuk do “të qëndrojë përjetësisht mbi kalë”! Në një vështrim të tillë, sa parimor aq dhe konkret, demokracia e brendshme e partive nuk duhet të jetë dhe të mbetet çështje ekskluzive e vetë partive përderisa edhe pse dëgjojmë të thuhet se partitë dhe sistemi partiak pluralist janë “një pasuri kombëtare”, në të vërtetë, kudo në botë por sidomos tek ne, partitë si rregull, nuk kanë parësore interesat e përgjithshme, por ato parciale! Në kushte të një realiteti të tillë politik fragmentarizues, shpesh dhe përçarës e çoroditës, opinioni i shëndoshë publik, shoqëria civile dhe media kanë një rol të veçantë, duke filluar nga debatet rreth formave të demokracisë që aplikojnë partitë e ndryshme dhe deri te kërkesat për të venë rregull atje ku vazhdon të quhet “anarkia si nënë e rregullit”! Gjithsesi, në fund të fundit, fjala i takon sovranit edhe për çështje të tilla që ose e bëjnë demokracinë funksionale ose e zhytin në disfunksion. Sot, sovranit duhet t’i thuhet hapur se ku pikon çatia e pluralizmit politik shqiptar. Në këtë kuptim do të ishte me interes kombëtar për demokracinë shqiptare, që pas zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013 të reformohet në mënyrë thelbësore edhe pluralizmi politik, pra dhe teoria e praktika e demokracisë partiake. Partitë e përfshira në koalicione më 23 Qershor 2013 u votuan për atë që ato janë realisht, por dhe për premtimet e garancitë që dhanë edhe për fushën e demokracisë. Kështu PS gjatë fushatës elektorale parashtroi një përvojë konkrete në “debatin me Shqipërinë”, një organizim të ndryshëm partiak dhe një formë demokracie më të drejtpërdrejtë. Fitorja e merituar në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, do parë edhe si një testim e miratim për ta përpunuar më tej një përvojë të tillë demokracie. Gjithsesi, mban diskutim, mbase është më e mirë, më fleksibile, më moderne, më pa ngjyrë e më produktive nga demokracia e brendshme me të cilën jemi mësuar në vitet më të mira të PS-së. Veçse, për çdo rast do të nënvizoja nevojën e plotësimit të dy kushteve paraprake për qenien apo përligjjen e demokracisë partiake e çfarëdo forme qoftë, së pari, që për çdo ndryshim thelbësor në tipin e partisë dhe formën e demokracisë së brendshme, të kërkohet niveli maksimal i transparencës me qëllim që ndryshimi që do të bëhet të kuptohet drejt dhe të mbështetet; së dyti, që ndryshimet e thella në tipin e partisë dhe të demokracisë partiake të mos eksperimentohen kur partia është para sprovës së zgjedhjeve politike, por kur është në situata më të qeta. Mund të ndryshosh program, statut, logo, stemë apo dhe ngjyrën e flamurit, si në rastin e PS-së para zgjedhjeve, por të gjitha këto duhen bërë në mënyrë sa më demokratike, sepse partia është një lloj kontrate që meriton të respektohet. Nuk jam kundër “risive” në fushën e demokracisë partiake, por me kusht që ato të mos e rritin mosbesimin ndaj partive politike, përfshi dhe ndaj “partisë së zemrës”, duke kaluar nga mendimi ndryshe deri te braktisja e saj dhe kalimi demonstrativ në “kampin kundërshtar”, siç ka ndodhur shpesh në parlamentin e politikën shqiptare duke krijuar deri dhe maxhoranca fiktive për të mbajtur në pushtet një qeveri me legjitimitet të cunguar. Në secilin prej rasteve të njohura për lexuesin, në pikëpyetje është vënë intencionaliteti, qëllimësia e politikës, prandaj çdo përpjekje për të gjykuar rreth “të drejtës” apo të “pa drejtës” së këtij apo atij politikani a deputet për të “ndërruar krah”, humbet çdo kuptim, sepse provohet se edhe në fushën politike, sidomos në kushtet e pluralizmit, me një fuqi financiare më të madhe mund të blesh të drejta e privilegje politike më të mëdha, aq sa “duket sikur një dorë e pakapshme i çon gjërat për dreq” (John Rolls), për më tepër duke i shtyrë drejt regjimit të nivelimit dhe të mediokritetit. Ndodh që për dukuri të tilla të natyrës ideore dhe morale të fajësohet ndërrimi i shpeshtë i elitave si rezultat i rotacionit demokratik dhe zgjedhjeve. Madje, mund të gjenden edhe plot shembuj për ta përforcuar këtë. Një shtrim i tillë i problemit real, që në thelb ka të bëjë me varfërinë ideore, etike dhe profesionale të elitave, është i njëanshëm, konstatim i një fakti që nuk mund të quhet “produkt skarco” i demokracisë, sepse parimet demokratike kur kërkojnë ndërrimin periodik të elitave, kjo shoqërohet me nevojën e përpunimit të ideve të ngulta, të vlerave morale, të përfytyrimeve të qëndrueshme rreth rolit, përgatitjes dhe përzgjedhjes së elitave dhe harmonizimit të brezave etj. Në se kjo nuk bëhet e çdo gjë i lihet spontanitetit dhe justifikohet me “kështu desh sovrani”, atëherë nuk e ka fajin demokracia, por abuzimi me të. Në një rast të tillë, idetë programore, qëllimet dhe normat morale humbasin vlerën e tyre, kurse demokracia, si regjim institucional nuk mund të mos jetë në udhëkryq, për të mos thënë se s’ka më demokraci, sepse ajo bëhet formale apo fasadë, diçka thjesht administrative. Ndërkohë, fenomeni që ka marrë emrin shitblerje e partive, liderëve, deputetëve, politikanëve e të zgjedhurve është shumë i rëndë dhe asgjë nuk mund ta përligjë, sepse shkon në drejtim të kundërt me kërkesat objektive të shoqërisë për konsolidim të demokracisë e zgjerim të “përmasave të lirisë” dhe deformon rëndë përfaqësimin e vullnetit të zgjedhësve, shton konfliktualitetin, mosbesimin dhe armiqësitë. Thënë ndryshe, është tregues i një shoqërie në rënie, pa demokraci të mirëfilltë, me moral të dobët dhe me politikanë që ndërrojnë idetë e bindjet si këpucët që i vesh kur del në pazar dhe i heq kur vjen në shtëpi!