Serbia i dorëzon Francës kërkesën për ekstradimin e Ramush Haradinajt

504
Sigal

Autoritetet serbe thanë të martën se kanë dërguar në Francë
kërkesën për ekstradimin e ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj të
cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.

Gjykata në qytetin Colmar në Francën lindore, duhet të shqyrtojë
kërkesën para se të marrë një vendim për zotin Haradinaj i cili po mbahet në
paraburgim në atë qytet që nga 5 janari kur u ndalua në bazë të një urdhër
arresti të lëshuar nga autoritetet serbe 13 vjet më parë.

Ndalimi i tij nxiti reagimin e institucioneve dhe partive
politike në Kosovë, të cilat bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm,
ndërsa tashmë avokatët mbrojtës kanë bërë edhe kërkesën zyrtare për lirimin e
tij. Për të enjten është paralajmëruar një seancë rreth zotit Haradinaj.

Të martën parlamenti i Kosovës hodhi në debat çështjen Haradinaj
duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.

Kjo nuk është hera e parë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të
një urdhër arresti serb.

Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës,
në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia
ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga
autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa
raste të nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në
bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë
edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë
organizatë.

Ramush Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm për të
gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën ndërkombëtare në Hagë.

Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars
të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e
së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007
dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u
rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë
i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në
hapësirat e ish Jugosllavisë.

Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.

Ndalimi i tij në bazë të urdhër arrestit serb ka shtuar
tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu të vështira ndërmjet Kosovës e cila
shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe Serbisë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë
e saj, megjithëse është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve
me Kosovën në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Ministri i Punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se
vendi i tij ka marrë informacione se “se diaspora shqiptare po përgatitet”, siç
tha “për marrjen e përfaqësive diplomatike-konsullore serbe, me qëllim të
detyrimit të Serbisë që të heq dorë nga ndjekja e Ramush Haradinajt”.

Ai tha se këtë informacion Serbia e ka marrë nga agjencitë
perëndimore të sigurisë.

Deklaratat e tij u dënuan ashpër
nga ministria e Jashtme e Kosovës e cila “i konsideron ato nxitëse,
tendencioze dhe që kanë për qëllim ta mbajnë në tension rajonin. MPJ vlerëson
se kjo është gjuhë e viteve 90-a dhe e frikës kur Serbia i orkestronte vetë
sulmet që ua atribuonte të tjerëve. Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës
deklaratat e Daçiçit janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato
janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe
prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në këto rrethana, akte
të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t’i
atribuohen pastaj diasporës shqiptare”, thuhet në një reagim të ministrisë së
Jashtme të Kosovës.