Rihapen diskutimet pozitë-opozitë për reformën në drejtësi. Burimet: Shumica tërheq draftin e ekspertëve

438
Ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së Vlahutin, duket se kanë arritur të bëjnë sërish bashkë palët politike, në mënyrë që të gjendet konsensusi për rifillimin e punës për reformën në drejtësi.
Pas takimit që u zhvillua sot, duket se janë rihapur diskutimet pozitë-opozitë për reformën në drejtësi. Mësohet se shumica ka tërhequr draftin e ekspertëve, që ndër të tjera propozonte emërimet në gjyqësor me 84 vota, dhe tashmë tryeza për reformën pritet të mblidhet duke u bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Tërheqja e draftit të shumicës, pritet të rikthejë në tryezë ekspertët e PD-së, të cilët kishin bojkotuar diskutimet, duke kundërshtuar draftet paralele. Ekspertët e djathtë kërkuan zbatimin 100% të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.‏
Tashmë ekspertët thonë se janë integruar në draft të gjitha propozimet e opozitës, për Gjykatën Kushtetuese, për marrëdhënien e ministrit të Drejtësisë me KLD-në, si dhe janë pasqyruar propozimet për integrimin.
DRAFTI I KUNDËRSHTUAR NGA OPOZITA
Opozita kërkoi tërheqjen e mazhorancës nga vendimi për të miratuar me 84 vota emërimet në gjyqësor, emërime të cilat mazhoranca e sotme me këtë shumicë votash mund t’i bëjë njëanshme, duke kapur sistemin. Por, grupi i ekspertëve i nivelit të lartë “injoron” Venecian dhe propozon emërimet në gjyqësor me 84 vota.
Në dokumentin prej 18 faqesh, që “Gazeta Shqiptare” zbardh të plotë amendimet e komisionit i mbetet propozimit të tij për ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Adriatik Llalla, duke gjetur gjithashtu edhe mekanizmin zhbllokues në rast se në votimin për kryeprokurorin nuk sigurohen 2 të tretat e votave. ”Prokurori i Përgjithshëm emërohet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh sipas një procedure transparente dhe publike dhe bazuar në merita dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar, të cilët gëzojnë reputacion të lartë.
Nëse Kuvendi nuk emëron Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur më lart nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsiderohet i emëruar. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm parashikohet me ligj”, thuhet në draftin e ekspertëve të nivelit të lartë. Edhe pse Venecia nuk e konsideronte domosdoshmëri ndërprerjen e mandatit të kryeprokurorit aktual Adriatik Llalla, komisioni i qëndron variantit që prokurori të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e prokurorit të ri brenda dy muajsh nga konstituimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Sigal