Reforma në Kuvend, Vasili: Lapsus që do të sqarohet

451
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka thënë se futja në kalendarin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë të reformës në drejtësi nga data 13 qershor deri në 1 korrik, është një keqkuptim procedural.
“Kalendari nuk është futur nga ne. Kuvendi do të sqarojë çdo keqkuptim, është një lapsus dokumentesh. Ne jemi shumë të përqendruar për ta votuar reformën në drejtësi. – tha Vasili. – Bëhet fjalë për një keqkuptim procedural, por kjo nuk është e rëndësishme. Mendoj se reforma duhet të ishte votuar dje. Çdo minutë e humbur është një minutë e çmuar. Ky është një proces që do të vazhdojë me miratimin. Çdo reflektim i opozitës është i mirëpritur, por pa penguar ecurinë përpara dhe miratimin e draftit”.
Po ashtu, Vasili tha se votimi elektronik në zgjedhjet e ardhshme është një qasje që mazhoranca ka dashur ta aplikojë që në vitin 2013: “Votimi elektronik është një proces që ne e kemi dashur që në 2013-ën në një qark pilot në Fier. Problemi është te besimi që kjo të bëhet në mënyrë korrekte. Vullneti besoj se është i përbashkët dhe askush nga mazhoranca e opozita nuk është kundër”, – shtoi Vasili.
Një ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë lajmëroi se paketa e reformës në drejtësi është përfshirë në kalendarin e punimeve të Parlamentit nga 13 qershori deri më 1 korrik. Fillimisht u përfol se konferenca e kryetarëve nuk vendosi që të përfshihet për shqyrtim paketa për ndryshimin e Kushtetutës si pjesë e reformës në drejtësi, duke mos pasur konsensus. Por pasdite vonë, u bë publike nga Kuvendi kalendari i miratuar në konferencën e kryetarëve, ku në punimet e komisioneve është përfshirja e ndryshimeve kushtetuese. Por vendimi i konferencës ka shkaktuar reagimin e ashpër të opozitës, pasi sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, kjo është një procedurë e njëanshme. Në një prononcim për mediat, Paloka tha se është një shkelje e rëndë ligjore, që duhet kallëzuar edhe në gjykatë.
Sigal