Raporti i OSBE/ODIHR/ Klima politike e tensionuar, ka shqetësime për blerje vote

406
Ekspertë të ODIHR-t, pas një misioni faktmbledhës dyditor në Tiranë, publikuan një raport paraprak për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit.
Raporti konstaton se klima politike është e polarizuar mes PS-së në pushtet dhe PD-së në opozitë, e cila pak kohë më parë i dha fund bojkotit parlamentar.
“Ekipi i OSBE/ODIHR, gjatë takimeve të zhvilluara, u shpreh se, ashpërsimi i retorikave politike mes partive do të ketë impakt negativ në zgjedhje”, thekson raporti.
Ndërkohë që saktësohet se fushata nis më 22 maj 2015, raporti nënvizon “shqetësime për presione potenciale ndaj votuesve, sidomos ndaj nënpunësve civilë, si dhe keqpërdorim të mundshëm të të ardhurave shtetërore e blerje vote”.
Zgjedhjet konsideron si një test për reformën e re administrative lokale.
“Ndërkohë që të gjithë partitë dhe kandidatët e pavarur u kërkohet të deklarojnë shumën e financimit të fushatës si dhe shpenzimet, por ligji nuk përcakton afatin se kur ky informacion duhet të bëhet publik”, nënvizon raporti.
“Kjo ndihmon në më pak transparencë”, thuhet në raport duke shtuar se KQZ është e autorizuar të verifikojë informacionin dhe të raportojë në lidhje me sanksionet ndaj atyre partive apo kandidatëve që nuk japin këtë informacion.
Lidhur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionin që administron procesin zgjedhor, raporti thekson se “KQZ dhe komisionet në nivel lokal janë të pambrojtura nga presioni politik dhe nuk kanë një konfidencë të plotë”.
Referuar takimeve në Tiranë ekspertët në raport theksojnë se “na është kërkuar që OSBE/ODIHR të sjellë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve për të monitoruar të gjitha shkallët e procesit, në mënyrë të posaçme punën e administratës zgjedhore, regjistrimin e kandidatëve, fushatën elektorale dhe procedurat që do të ndiqen ditën e zgjedhjeve si numërimin, tabulimin dhe rezultatin”.
Ekspertët, në raport i rekomandojnë OSBE/ODIHR-t dërgimin e një misioni vëzhgimi për zgjedhjet e ardhshme. Ata kërkojnë që fillimisht të dërgohen 24 vëzhgues afatgjatë për të ndjekur procedurat në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Më pas, një ekip me vëzhgues afatshkurtër prej 250 personash, për të ndjekur ditën e zgjedhjeve, procedurat, votimin, numërimin, tabulimin dhe rezultatin.
Sigal