Raporti i KiE-së për Shqipërinë: Problem korrupsioni, drejtësia dhe bojkoti i PD-së

423
Sigal

Opozita dhe opozita bashkohen për reformën në drejtësi e korrupsionin, reagojnë Oerd Bylykbashi dhe Valentina Leskaj

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka miratuar më 2 tetor 2014, raportin për Shqipërinë, duke theksuar se pavarësisht progresit të arritur, vazhdojnë të mbeten shqetësuese çështje të tilla si paanshmëria e institucioneve të shërbimit civil, pavarësia e gjyqësorit dhe korrupsioni. Asambleja shpreh shqetësimin se pavarësisht reformave të shumta, pavarësia dhe paanshmëria në sistemin gjyqësor nuk është siguruar mjaftueshëm dhe sistemi vazhdon të jetë nën presionin politik.

Gjithashtu, theksohet nevoja për reforma urgjente konsensuale gjithëpërfshirëse duke përfshirë këtu edhe ndryshime në Kushtetutë, për të siguruar pavarësinë e sistemit gjyqësor gjë që cilësohet prioritet për autoritetet shqiptare. Asambleja ka shprehur shqetësimin për përhapjen e gjerë të korrupsionit në të gjitha nivelet e gjyqësorit gjë që sipas saj, çon në dëmtimin e paanshmërisë dhe efikasitetin e këtij institucioni.

Asambleja iu bën thirrje autoriteteve të reformojnë Gjykatën e Lartë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë në të njëjtën vijë me rekomandimet e komisionit të Venecias.

Gjithashtu Këshilli i Europës i kërkon autoriteteve të zbatojë plotësisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese por edhe gjykatave të tjera. Një pjesë të mirë të raportit të Asamblesë e zënë zhvillimet politike në Shqipëri, ku ka shprehur keqardhjen për vazhdimin e retorikës së ashpër midis dy palëve, duke i bërë thirrje opozitës mos të vazhdojë bojkotin e parlamentit e të komisioneve parlamentare. Gjithashtu në raport i bëhet thirrje shumicës së majtë të mos përdorë shumicën konstitucionale për të shmangur opozitën dhe palët të gjejnë konsensus për reformat e rëndësishme. Gjithashtu në raport vihet në dukje shtyrja e zbatimit të ligjit për shërbimin civil, e cila mundëson zbatimin e rregullave strikte për punësim në bazë të meritokracisë. Në rezolutën e saj Asambleja Parlamentare e KiE thekson se, është mjaft e rëndësishme që të zbatohen reformat dhe paketat legjislative të miratuara, duke e vënë theksin te reformat parlamentare për të cilat është rënë dakord nga maxhoranca dhe opozita, me qëllim funksionimin e duhur te parlamentit dhe dialogut politik. Në fund të raportit Asambleja Parlamentare thekson se duke parë dhe evidentuar shqetësimet e përmendura më lart, do të vazhdojë monitorimin e zbatimit të detyrimeve dhe zotimeve që ka marrë Shqipëria derisa këto shqetësime të kenë marrë përgjigje pozitive.

 

Bylykbashi: KiE i kërkoi maxhorancës konsensus me opozitën

Në miratimin e rezolutës për Shqipërinë, të pranishëm në Asamble ishin edhe përfaqësues të opozitës dhe të maxhorancës. Nga Strasburgu, deputeti i PD, Oerd Bylykbashi deklaroi se në këtë rezolutë, KiE ka kërkuar nga maxhoranca konsensus dhe bashkëpunim me opozitën, sepse në të kundërt ka ndikim në zhvillimet e mëvonshme. “Nëse kjo qeveria nuk do ta kuptojë se KiE nuk toleron që të vazhdohet më tutje me këtë frymë mosbashkëpunim me opozitën, duke e vënë opozitën në një situatë që nuk mund të gjejë më hapësira në parlament, sigurisht kjo do të bëjë një shqetësim të vazhdueshëm dhe do të ndikojë në zhvillimet e mëvonshme”. Bylykbashi tha se maxhorancës iu kërkua që mos përdorë shumicën për të anashkaluar opozitën dhe sipas tij, e rëndësishme në këtë rezolutë ishte futja e termit “Konsensus”. “Në mënyrë të veçantë, i kërkoi maxhorancës që mos të përdorë shumicën e saj për të anashkaluar opozitën dhe të kërkojë konsensusin në miratimin e ligjeve të rëndësishme. Nga ndryshimet që u bënë dje, kryesore ishte futja e termit “konsensual”. Pra çdo gjë që duhet bërë, ata kërkojnë që të bëhet me konsensusin e opozitës dhe jo siç ka ndodhur deri tani.”

Leskaj: Të ndarë për ‘territorin’, opozita pa kauzë për bojkot

Strasburg-Këshilli Parlamentar i Europës nuk ka justifikuar bojkotin e opozitës, duke i kërkuar rikthim sa më të shpejtë. Një fakt të tillë e bëri me dije, kryetarja e delegacionit shqiptar në Asamblenë e KiE, Valentina Leskaj. Në një lidhje telefonike nga Strasburgu, Leskaj tha se, KiE kritikoi fort mungesën e pjesëmarrjes së opozitës në reformën territoriale, e cila sipas saj u vlerësua pozitivisht nga reporterët e Këshillit. “Pati kriticizëm sa i përket luftës kundër korrupsionit, por sidomos në fokus të raportit dhe debatit në Asamblenë parlamentare ishte bojkoti i opozitës me konkluzionin që opozita duhet të kthehet në parlament. Është kërkuar nga opozita që të kontribuojë dhe është kritikuar mungesa e prezencës dhe kontributit sa i takon reformës territoriale”. Opozita dhe maxhoranca në delegacionin shqiptar nuk i kanë shmangur ndasitë e tyre në Asamble për ndarjen e re të territorit dhe bojkotin e opozitës. Për zonjën Leskaj opozita nuk ka një kauzë për bojkot, siç e kishte mazhoranca e sotme në 2009 si opozitë. “Opozita vazhdon të insistojë që reforma territoriale nuk është bërë mirë. Që mund të ishin më shumë, ndarja mund të mos ishte kaq e thellë vetëm me 61 njësi, por mund të ishte me mbi 100 njësi. Apo sa i përket qasjes, mënyrës si u bë reforma dhe pjesëmarrjes. Përgjigja jonë ishte ajo që ka ndodhur në të vërtetë, që ju kemi dhënë të gjitha mundësitë që të kontribuonte dhe të arrinim në një qëndrim të përbashkët. Në çdo ditë që është bërë Komiteti për reformën i është bërë thirrje opozitës që të jetë pjesë, i është lënë bashkëkryesimi, e drejta e vetos. Dhe nëse ka ndonjë rezerve, nëse do kishte qenë prezent minimalisht do të kishin mundësi të diskutonin, por jam e sigurt do të kontribuonin dhe mund të arrinin edhe në një pikë të përbashkët. Reagimi i reporterëve të KiE ishte që opozita duhet të ishte bërë pjesë dhe duhet të bëhet pjesë e parlamentit. Kemi pasur diferenca sa i përket qëndrimit lidhur me parlamentin, sepse në KiE nuk mund të konceptohet se për shkak se pati një incident mes tre deputetëve opozita largohet nga parlamenti. Argumenti që ndodhi për incidentin në parlament nuk është argument bindës dhe i qëndrueshëm për tu larguar, pasi incidente të tilla ka pasur vazhdimisht në parlamentin shqiptar. Është e vërtetë që PS ka pasur një bojkot në 2009, por bojkoti mbështetej mbi një kauzë të madhe që ishte kauza e zgjedhjes, jo në individë. Në rastin konkret nuk është mbështetur mbi një kauzë dhe kjo në një farë mënyrë ua heq kartën e justifikimit sa i përket mungesës në parlament. Me këtë nuk dua të them se bojkoti i 2009 është i justifikuar dhe ne për këtë kemi reflektuar ndaj u kthyem. Kemi pasur diferenca sepse përfaqësuesi i PD ka kërkuar që ky incident të futej në rezolutën përfundimtare të KiE dhe unë e kam kundërshtuar me argumentin se nëse ky incident do të futet në rezolutë duhet të futen në radhë të parë 4 të vrarët në protestën e 21 janarit”. E megjithatë politika shqiptare është prezantuar e unifikuar kur bëhet fjalë për procesin e integrimit dhe rolin e Shqipërisë në rajon. “Kemi rënë dakord në 3 amendamentet që unë kam paraqitur. Së pari të kishte një konfirmim sa i përket marrjes së statusit kandidat.  E dyta, njohja e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. Dhe treta për çështjen e korrupsionit”.

Duke u ndaluar në rekomandimet e rezolutës, Leskaj tha se, dy sfidat kryesore janë: Së pari, lufta ndaj korrupsionit dhe reforma në drejtësi. “Sfida mbetet tek lufta e korrupsionit dhe drejtësia. Sistemi i drejtësisë ishte pjesa që pati vëmendjen më të madhe. Kritizimin, por dhe rekomandimin sa i përket përmbylljes së reformës në drejtësi, por mbi të gjitha jo reformës në letër por rezultateve konkrete. Sigurisht ka rekomandime dhe për vazhdimësinë dhe reformën territoriale. Për çështjen e medias ka pasur një debat. Kam paraqitur dy amendamente. E para për rolin e KKRT dhe formatimin e dy enteve rregullatorë mediatike.

Dhe e dyta, një shqetësim të përhershëm të KiE sa i përket dekriminalizimit për veprën e fyerjes dhe shpifjes. Në të dyja i kemi dekriminalizuar, por kërkohet që ky proces të thellohet. Dhe sidomos tek media, theksi u vu tek zbatimi i ligjit”. Rezoluta për Shqipërinë e miratuar sot në KiE, përmbledh një raport 5-vjeçar të progresit në vend, duke filluar nga 2008 deri në gjysmën e parë të 2014-s.