Raporti i dëgjesave në Shkodër, Rama: Bashkitë e drejtuar nga PD më problematike

118
Kryeministri publikon raportin e përgatitur me problemet e ngritura gjatë dëgjesave publike në Shkodër. Drejtësia, mjekësia, pronat dhe infrastruktura në krye
Pasditen e djeshme kryeministri Edi Rama bëri publike pasqyrën zgjedhore dhe raportin e dëgjesave për Qarkun Shkodër. Sugjerimet kanë qenë të shumta. Por në krye të këtij raporti zënë vend problematikat e shumta që qytetarët ndeshen në përditshmërinë e tyre. Jo gjithçka e thënë nga qytetarët është vulosur në këtë raport. Të dhënat e marra në terren janë përpunuar nga grupi i punës. Thuhet se Partia Socialiste në Qarkun e Shkodrës mori 39,247 vota apo 1432 vota më shumë se në zgjedhjet e 2013-s. Këto vota prodhuan katër mandate, por nuk mjaftuan për të marr të pestin. Të gjitha takimet në qarkun e Shkodrës kanë qenë të hapura dhe të njoftuara paraprakisht. Thotë, se takimet janë regjistruar dhe transmetuar në media me qëllim, transparencën e tyre. Takimet në nivel Bashkish janë organizuar në prani të drejtuesit politik të qarkut dhe deputetit. Ndërkohë bëhet e ditur se shqetësimet e ngritura nga qytetarët gjatë dëgjesave janë përpunuar nga ekipi i drejtuesit politik të qarkut dhe deputetëve për t’u integruar në agjendën e politikave publike të qeverisë për qarkun e Shkodrës. Në raport thuhet se në turin e dëgjesave ka pasur një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve, të cilët kanë qenë të bindjeve të ndryshme politike. Kjo, sipas kryeministrit, bën të mundur ruajtjen e komunikimit mes qytetarit dhe të zgjedhurve për adresimin e problematikave që hasin qytetarët në raport me shërbimet që ofron administrata publike dhe pushteti lokal. Gjatë dëgjesave në të gjitha bashkitë u evidentua, mungesa e investimeve në nivel qarku, krahasuar me qarqet e tjera, puna e dobët e pushteti lokal, kryesisht në bashkitë e drejtuara nga PD-ja si në zonat urbane dhe ato rurale, si dhe performanca e dobët e disa drejtorive, të cilat, nisur nga shpeshtësia e ngritjes së shqetësimit, veçohen tetë çështje prioritare, të teta thellësisht të lidhura me profilin e qarkut dhe përvojën personale të qytetarëve që i kanë ngritur këto çështje. 

o Ecuri e dobët e procesit të legalizimeve në 58 raste, 
o E njëjta ecuri në procesin e regjistrimit të pronave 51 raste. 
o Një tjetër problem paraqiten mbifaturimet e OSHEE në 58 herë. 45 herë është folur për mungesën e infrastrukturës rrugore në dëgjesat publike në Shkodër. 
o Mungesa e rrjetit të ujësjellësit 45 herë, mungesa e shërbimeve 41 herë, 
o Punësimet pa kriter dhe paaftësia e administratës publike 40 herë, 
o Pranimi dhe lëvizja e trupës së arsimtarëve në kundërshtim me ligjin 36 herë. 
Për secilën nga rastet e publikuara në tabelën me të dhënat e marra nga qytetarët, është dhënë edhe Bashkia apo njësia administrative përkatëse. Bashkia e Shkodrës, sipas raportit, ka mungesë të theksuar të investimeve në bujqësi dhe ngritjes së qendrave për grumbullimin e produkteve bujqësore. Bashki të tjera me probleme të theksuara janë: Vau i Dejës, Malësi e madhe, Pukë, Fushë Arrës, Dajç, Njësia Administrative Velipojë, ajo Bushat, Ana e Malit. Edhe Bërdica, Guri i ZI, Njësia Administrative Shalë, kanë paraqitur probleme të mëdha gjatë dëgjesave. 

Qytetarët janë ankuar për mungesën e investimeve dhe kanë kërkuar zgjidhjen sa më shpejt të tyre. Ka edhe shumë njësi të tjera të cilat sipas raportit paraqiten me problematikat e lartëpërmedura. Rama bashkëngjitur postimit në rrjetin Facebuuk, u kërkon qytetarëve të japin mendimin e tyre edhe për problematika të tjera, të cilat ekzistojnë, por nuk i gjejnë në raport. 

• Krijimi i fronteve të punës, 
• çmimet në turizëm, 
• ulja e çmimit të naftës, 
• amortizimi i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike,
• sistemi gjyqësor i korruptuar, 
• mungesa e eksesit në shërbimet parësore mjekësore, 
• falja e detyrimeve/debive për minatorët,
• ngritja e më shumë qendrave shëndetësore dhe shkollave, 
• mosregjistrimi i pronave të marra me 7501 dhe i banesave, 
janë disa nga shqetësimet ngritura nga qytetarët e Shkodrës dhe të publikuara në raportin e kryeministrit të vendit, Edi Rama pasditen e djeshme. Në këtë raport ka ankesa të shumta edhe për spitalin rajonal të Shkodrës, për të cilin thuhet se nuk janë kryer investime. 

Disa nga kërkesat e qytetarëve

Krijimi i fronteve të punës
Çmimet në turizëm
Ulja e çmimit të naftës për bujqësinë
Amortizimi i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, 
Sistemi gjyqësor i korruptuar,
Mungesa e eksesit në shërbimet parësore mjekësore, 
Falja e detyrimeve/debive për minatorët,
Ngritja e më shumë qendrave shëndetësore dhe shkollave,
Mosregjistrimi i pronave të marra me 7501 dhe i banesave,
Publikimet e kryeministrit, ja çfarë kërkojnë qytetarët
E ndërsa kryeministri Edi Rama ka vendosur që të krenohet me botën nënujore, referuar një reportazhi të publikuar nga Associated Press për thesaret nënujore të bregdetit tonë, qytetarët kanë reaguar në postimin e tij duke u ankuar për mungesën e rojeve në plazhe, plehrat, zjarrin, papunësinë dhe shumë probleme të tjera. Komentuesit shprehen se në plazhe nuk ka roje. Plehrat dhe zënia e plazheve nga privati është një tjetër shqetësim që ngrenë qytetarët për shefin e qeverisë. Ndërsa problemi tjetër aktual është zjarri që ka përfshirë shumë zona të vendit nga veriu në jug për të cilin ndjekësit kërkojnë reagimin nga kryeministri. Dy ditë më parë në Velipojë një fëmijë nga Kosova humbi jetën, pasi në plazh nuk kishte roje.