Raporti i DASH-it, Vokshi: Të drejtat e njeriut janë të kërcënuara

451
Në seancën e sotme parlamentare, deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka reaguar pas publikimit të raportit vjetor të DASH-it. Ajo tha se “të drejtat e qytetarëve në vendin tonë kërcënohen në të gjithë sektorët, e sidomos në drejtësi e shëndetësi”. “Në kohën kur Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, DASH publikoi raportin për të drejtat e njeriut për 2015-n, ku thuhet se këto të drejta kërcënohen nga korrupsioni në të gjithë degët, e kryesisht në sistemin e shëndetësisë e të drejtësisë, e sidomos nga dhuna në familje”, tha Vokshi.
“Vetëm dje, një kryetar bashkie kërcënoi një nënë, ndërsa pas kësaj u dekorua nga ministri. Vetë këta dhunojnë qytetarët. Edhe pas reagimeve për këtë ngjarje, ende nuk ka nisur ndonjë hetim apo procedim. Raporti i DASH-it për të dytin vit radhazi thekson se edhe sistemi shëndetësor në vend rrezikohet nga korrupsioni”, vijoi deputetja e PD-së.
Sipas saj, krimi dhe korrupsioni ka uzurpuar të gjitha zyrat e shtetit, dhe kjo thuhet në raport. “Shumica po pengon reformën në drejtësi. Ne, deputetët e opozitës do të vazhdojmë të denoncojmë situatën në sistemin e shëndetësisë. Shëndetësia ndodhet sot në një gjendje të mjeruar. Nuk është e drejtë të futen barna kontrabandë në Shqipëri. Nuk po sigurohen ilaçet për të sëmurët me tumor. Po bëhen tendera abuzivë, ndërsa në spitale situata është skandaloze”, tha deputetja Vokshi.
Sigal